Ahmet Qeriqi: Shënimi që nga pikëllimi nuk arrita ta lexoj në varrimin e Agim Lecit

A. Qeriqi: Na paska ikur “truri” i kombit nëpër botë, tani ardhka koha ta kthejmë në vend

Të vetëquajturit analistë, pastaj edhe politikanë gjysmakë që perceptimin e tyre politik e formësojnë nga mediet e portalet, ka kohë që mundohen të na bindin se nga Kosova, Shqipëria e viset shqiptare ka ikur “truri i kombit”, kanë ikur më të mençurit, më të zellshmit, më të shkolluarit, më trimat dhe këtu në trojet e Shqipërisë paskan mbetur njerëz pa tru, mjeranë e qyqarë që nuk dinë të qeverisin, që nuk janë të shkolluar as të emancipuar.

Disa nga këta njerëz me “tru” duhet të kthehen për të na qeverisur, meqë kombi paska ngelur pa pjesën më vitale, pjesën orientuese e shpëtimtare. Sikur është truri.

Po ja që “truri” nuk po kthehet në atdhe, sepse ka gjetur rehatinë dhe bollëkun në Gjermani, Zvicër, Austri, Itali, Greqi, Amerikë dhe në shumë vende të botës.

Më kujtohet kur në fund të viteve 80-të disa ikanakë, largoheshin nga Kosova, dikush me pasaporta, dikush tjetër  duke kaluar kufirin për në Shqipëri dhe shumica syresh shtireshin se ishin në shënjestër të regjimit dhe po të mos iknin do të burgoseshin e do të ekzekutoheshin. Kishte në mesin e tyre edhe spiunë të Serbisë që isjin rekjrutuar për qëllime që kuptueshme.  Realisht kishte edhe të tillë, që ishin rrezikuar dhe disa nga ata edhe kishin shpëtuar duke u larguar nga Kosova, të tjerët që vepronin ishin arrestuar, ndërsa shumica  që kishin mbetur në Kosovë dhe troje kishim vepruar  fshehtas, në mënyrë të organizuar.

Një pjesë e rinisë ishte larguar meqë nuk donte të shërbente në ushtrinë okupatore serbe, por shumica e tyre sapo filloi lufta në Kosovë, lanë atje rehatinë, lanë familjet, “morën trurin me vete”  dhe u bënë pjesë e luftës çlirimtare. Një pjesë e madhe e të përndjekurve, sidomos nga ata radhët e të burgosurve politikë u bënë pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe secili kryente detyrat e veta në shërbim të kombit e atdheut. Mjerisht pati edhe parazitë, të cilët u vetëshpallën të ndjekur  e të persekutuar dhe shfrytëzuan pozitat nëpër fonde të ndryshme si të LDK-së, të Qeverisë në mërgim por edhe të Fondit “Vendlindja thërret”.

Sot,  kur kanë kaluar më shumë se 20 vjet prej mbarimit të luftës, shumë nga këta njerëz me “tru”, nuk pranojnë të kthehen në Kosovë, sepse këtu nuk po shkon puna mbarë, sepse po qeverisin njerëz pa tru, të padijshëm, të papërgjegjshëm dhe se gjendja në Kosovë po degradon pikërisht sepse “truri” na paska ikur  dhe ja që kurrsesi nuk po pranon të na kthehet e të na shpëtojë nga  kjo zezonë!.

Jo pak herë dhe në pak vende mund të lexoni por edhe të dëgjoni shprehje e lehje zagarësh si këto:

– Ku vihet atje, bre, po e keni ba ma keq se n’ koh t’ Milloshit!.

– Po qeverisin hajnat e UÇK-së.

– Kosovën e qeverisin kara-komandantat, ku rrihet atje!

– Çfarë lufte të hamamit keni ba ju?

– Ju jeni trupi i Kosovës dhe jo çlirimtarët e saj!.

– Veç kush osht hajvan e magar kthehet në Kosov.

– N’ Kosov bahet mire veç mu ngjallë Milloshi edhe niher.

– Zoti mos m’i ktheft as ashtat atje…

Këto konstatime, sharje e fyerje, kjo zagarhane e një pjese të “trurit” të shkapërderdhur nëpër botë është vazhdimisht e pranishme ne komentime e forume të jugo-medieve kosovare.

Të tilla konstatime sharje e fyerje na vinë nga një pjesë e “trurit” që nuk pranon të kthehet në Kosovë, sepse atje janë bërë milionerë dhe sepse këtu ua kemi prishur rehatinë, meqë  nuk mund të jetojnë më si parazitë duke i shërbyer hapur Serbisë sikur kanë bërë,  jo pak e pak, por shumë e shumë prej tyre,  që e morën arratinë dhe pas luftës morën viza duke u paraqitur si njerëz të rrezikuar nga UÇK-ja, disa morën edhe vërtetime se janë romë, egjiptianë, ashakali dhe po të qëndrojnë në Kosovë do të ndiqeshin  nga UÇK-ja.

Tani, kur për herë të parë pas luftës në Kosovë, vendin nuk e qeverisin më komandantët e UÇK-së, por pacifistët e LDK-së dhe militantët “revolucionarë” të Vetëvendosjes, “truri” nuk ka më arsye të mos kthehet në Kosovë. Tani ka ardhur koha e tyre dhe pikërisht për këtë Vetëvendosja mori një numër të madh votuesish nga Mërgata, jo nga ajo e qyqeve, por nga trimat e trimëreshat, që do ta shpëtojnë më në fund Kosovën, që për shumë kohë kishte ngelur në kthetrat e komandantëve të UÇK-së.

Tani në Kosovë po vjen “truri” dhe të shpresojmë me trutë e tyre me dijen e mençurinë, me kursimin që i kanë bërë vetës dhe nuk kanë sakrifikuar as një fije floku për çlirimin e Kosovës, tani ky soj njerëzish me “tru” i duhet shumë vendit, sepse paska ardhur momenti vendimtar. Komandantët e UÇK-së do t’ i dërgojnë në Gjykatën  Speciale, do t’ i dënojnë dhe do t’ i degdisin nëpër burgjet e Evropës. “Krahu i luftës” do ta humb besimin në popull dhe këta njerëzit me tru do të na qeverisin përgjithmonë, fare lehtë, ashtu sikur thotë Amerika e Be-ja. Nuk kemi nevojë për trurin që mendon ndryshe. Tekefundit kështu kanë jetuar shqiptarët 400 vjet me trurin e Turqisë, 100 vjet me trurin e Serbisë dhe nuk kemi pse merakosmi, as pse të mundohemi.

Po cili politikan do t’ i thotë jo Trampit, Grenellit, Merkelit, Macronit, Putinit?

Rroftë pra “truri” i brendshëm dhe i jashtëm,  qoftë edhe në kokën boshe!.

Çka na vyen truri kur jemi vasalë dhe kur as edhe një vendim të vetëm nuk e marrin dot pa i konsultuar ambasadorët e huaj, këshilltarët e sekserët e tyre. Sot nuk duhet shumë “tru” për të qeverisur, por si gjithnjë duhet të mbështetemi në traditën e pasur të stilit historik pacifist, puro shqiptar: lepe-peqe, moljim lepo Jes-okej,  të mbështetemi në servilizmin e mirënjohur ndër shekuj, në idiotizmit bizantin lindor të  maksimës:  “Haja qenit, pija qenit tash i bimë karadyzenit”.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …