Tre kryetarët partiakë: Bujar Nishani, Ilir Meta e Hashim Thaçi do të mbahen mend për shpërndarje dekoratash, mirënjohjesh, shpallje heronjsh dhe shpallje të ditëve të zisë.
Kryetarët: Bujar Nishani i PD-së, Ilir Meta i LSI-së, Hashim Thaçi i PDK-së, nuk do të mbahem mend për asgjë më shumë sesa për ndarje dekoratash, madje edhe kolaboracionistëve të fashizmit, antishqiptarëve të përbetuar, zjarrvënësve dhe huliganëve sikur ishin 700 pjesëmarrësit në rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës, të cilët me një dekret shtetëror i dekoroi kolektivisht, Bujar Nishani. Po kështu Nishani u ka dhënë “nishane” edhe qindra kolaboracionistëve të fashizmit gjerman e italian.
Ilir Meta do të mbahet mend për shpalljen qytetar nderi të Janullatosit, rrënuesit të Kishës Ortodokse Shqiptare dhe asimiluesit të krishterëve shqiptarë, pastaj ndarje dekoratash e urdhrash për zyrtarët grekë e sllavë, duke i dekoruar edhe me “Urdhrin e Skënderbeut”, ashtu sikur këtë urdhër e ka bërë përdorur edhe ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke e ndarë me vend e pa vend. Lum Skënderbeu për trashëgimtarët, nga ata që nuk kanë lexuar qoftë edhe një vepër të vetme për të, por shërbehen me autoritetin e tij hiq pa të keq, madje edhe duke i fryrë muskujt dhe duke u identifikuar më të.
Hashim Thaçi nga mesi i më shumë se dymijë dëshmorëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gati gjysmën i ka shpallur heronj, sidomos ata nga radhët e familjarëve, që politikisht i përkasin PDK-së. Nuk dihet se si do të veprojë edhe me këtë gjysmën tjetër. Mbase me një dekret do t’ i shpallë të gjithë heronj dhe do të mbesim pa asnjë dëshmor.
Po ashtu Thaçi do të ngel në kujtesë edhe për shpalljen e ditëve të zisë, pa asnjë kriter vlerësues. Pavarësisht heroizmit dhe veprës së mirë nuk mund të shpallet hero dhe të mbahet ditë zie për çdo polic që bie në detyrë, apo për këngëtarë e këngëtare, sepse atëherë duhet shpallur ditë zie kur të vdesin, ata që kanë mbajtur vite të rënda në burgjet e Serbisë prej 10 deri në 20 vjet ku kanë lënë jetën shëndetin. Thaçit, as kabinetit të tij nuk iu kujtua të shpallte ditë zie për Gani sylajn, njërin ndër veprimtarët më të njohur të Lëvizjes së re Kombëtare, por shpall ditë zie për këngëtaren, Pagarusha, pavarësisht meritave të saj si këngëtare, e cila ka kënduar shqip, serbisht, hebraisht, etj, por ka argëtuar edhe ish politikanët nëpër hotele e ahengje. Thaçi, Kadriu as Ramushi nuk ishin kujtuar as për një telegram ngushëllimi drejtuar familjes për vdekjen e rapsodit, Osman Sefa më 15 gusht të vitit 2016.
Nuk u shpall ditë zie për albanologun më të madh të Kosovës dhe të kombit përgjithësisht, Dr. Idriz Ajeti, por as për “Ajnshtajnin” e historisë së Mesjetës, të burgosurin politik, Muhamet Tërnava, madje familjes së tij, me rastin e vdekjes askush nga zyrtarët nuk i dërgoi qoftë edhe një telegram ngushëllimi, sepse atë ditë, më 6 shtator 2o17, Thaçi, Ramushi e Kadriu, ishin ftuar në një si manifestim njëlloj “takimi mashkullor” te Blendi Fevziu, në Tiranë, për të shënuar ditën kur nipi i Esad Pashë Toptanit ishte bërë gazetar-opinionist. Ngjarje për t’ u mbajtur mend, nga mendjelehtit (!)
Janë me qindra emra atdhetarësh që kanë vdekur në 10 vitet e fundit dhe një pjesë e madhe prej familjarëve të tyre nuk kanë marrë as telegram ngushëllimi nga autoritet e larta të Shtetit të Kosovës.
Askush nuk e di se cilat janë kriteret e Presidencës për të shpallur dëshmorë e heronj. Por ata si duket kanë të drejtë ekzekutive, andaj edhe bëjnë shpallje selektive dhe jo duke i peshuar meritat dhe duke u bazuar në kontributin që personalitete të caktuar i kanë dhënë kombit e atdheut, natyrisht edhe shkencës artit e kulturës.
Koha në të cilën po jetojnë karakterizohet me degradimin rapid të vlerave shoqërore morale e kombëtare, sepse pluralizmin politik dhe atë që e quajmë demokraci, secili e lakojmë sipas shijes e dijes. Në këtë mënyrë, nga shija e dija personale është shkruar dhe është botuar edhe një Enciklopedi shqiptare nga Akademia e Shkencave dhe arteve të Kosovës.
Kriteret për shpalljen hero, për mbajtjen e ditëve të zisë, për ndarje dekoratash e urdhrash, duke t’ i nënshtrohen parimeve të njohura botërisht dhe duhet të respektohen në nivelin standard. Nuk mund të lejohet që një kryetar shteti, qeverie apo partie të ndajë tituj sipas përzgjedhjes së vetë, apo të zëdhënëseve, sekretarëve e zyrtarëve të caktuar.
Ku janë sot: “Poveljet” “zaslugat”, “ordenet” e titujt e tjerë që regjimi titist në kohën e vetë u ka ndarë “meritorëve” besnikëve, në mesin e tyre dhe shumë shqiptarëve, apo shqipfolëse. Sot bijtë e bijat e tyre edhe nëse nuk turpërohen për to, nuk mburren, të paktën nuk na ka rënë të evidentojmë si dukuri, ndonjë mburrje me dekorata të tilla, edhe pse raste mund të ketë.
Po të ishte gjallë, Nonda Bulka, pa dyshim se këta tre kryetarë do t’ i quante “tregtarë dekoratash”…