Kolegji Biznesi: Roli dhe rëndësia e demonstratave të vitit 1981

Kolegji Biznesi: Roli dhe rëndësia e demonstratave të vitit 1981

Prof. dr. Shyqri Kabashin

 Fjala e hapjes

Të nderuar veprimtarë të çështjes kombëtare!

I nderuari z. Gani Krasniqi!

I nderuari Naim Ramadani!

Të nderuar studentë dhe profesorë të Kolegjit BIZNESI!

Në emër të studentëve dhe profesorëve të Kolegjit tonë, ju falënderoj që jeni sot në mesin tonë, për të përkujtuar ato ngjarje të mëdha, të marsit dhe prillit të vitit 1981. Ngjarje, të cilat, siç e ka dëshmuar historia e mëvonshme e kësaj pjese të popullit shqiptar, kishte lëkundur themelet e një shteti artificial, siç ishte ish-Jugosllavia e atëhershme.

Në historinë më të re të popullit shqiptar të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare, që kishin mbetur nën pushtimin sllav, demonstratat e studentëve dhe të popullit shqiptar të vitit 1981, kanë shënuar një epokë vendimtare në jetën historike të popullit shqiptar.

Përkundër kësaj peshe, ngjarjet e vitit 1981 ende nuk e kanë gjetur trajtimin e duhur në historinë tonë të re. Sepse me këto ngjarje, përveç se bota kishte kuptuar se një popull ishte i pushtuar, brenda shoqërisë shqiptare në Kosovë në kishte filluar ndarja e madhe dhe diferencimi historik i dy klasave shoqërore, kundërshtare. Klasa projugosllave, që pranonte jugosllavizimin dhe asimilimin e qetë të shqiptarëve, duke i trajtuar ata si “kosovarë” dhe lëvizja ilegale çlirimtare, e cila ishte bartëse e tri luftërave të armatosura çlirimtare, ajo e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e Komandantit  Legjendar Adem Jasharit, të Luftës Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, në Kosovën Lindore, si dhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të shqiptarëve nën Maqedoninë e sotme. Prandaj, mund të thuhet, demonstratat e vitit 1981, si dhe luftërat çlirimtare, kishin vetëm një qëllim: çlirimin nga robëria shekullore dhe nga pushtimi serbo-jugosllav.

Në kushte dhe rrethana të caktuara lëvizjet nacionaliste shqiptare, u përkrahën fuqishëm atëbotë nga Tirana zyrtare, ku arriti ta konsolidojë idealin e lirisë dhe ta mbajë gjallë atë, në rrugën e gjatë e të mundimshme të historisë.

Mirëpo, demonstratat e studentëve dhe të popullit shqiptar, të vitit 1981, kanë një specifikë tjetër, shumë të veçantë dhe shumë të rëndësishme. Ato ngjarje grushtin më të fortë ia dhanë idesë së jugosllavizimit të shqiptarëve. Këtu zë fill vetëdijesimi i shqiptarëve për liri, barazi dhe vetëvendosje, të cilët padrejtësisht dhe me bekimin e qarqeve politike evropiane kishin mbetur të okupuar nga Serbia dhe Jugosllavia.

Në anën tjetër, këto ngjarje shpalosën edhe një veçori tjetër të pushtetarëve lokalë të sistemit jugosllav, të cilët ishin bartësit kryesorë të procesit të diferencimit ideopolitik. Do të thotë, këto janë dy anët kryesore të vlerës dhe të antivlerës së ngjarjeve të vitit 1981, vetëdijesimi i shqiptarëve për luftën për liri, si dhe bartësit dhe zbatuesit e politikës titiste shqipfolëse e Kosovës. Ishin këta partiakët e të gjitha niveleve nga: Lidhja Komuniste e Jugosllavis, Lidhja Socialiste e Popullit Punonjës të Jugosllavis, Lidhja e Rinis Socialiste e Jugosllavis, Lufta Antifashiste Nacionale Çlirimtare, pastaj prokurorë, gjykatës, porotë, milicë, sigurimi i shtetit i identifikuar, si UDB-ja, si dhe një klasë e tërë denoncuesish, të cilët për shërbimet e tyre kundër nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptarë, shpërbleheshin në shumë aspekte.

Duke lënë anash të gjitha të këqijat që kanë bërë këta shqipfolës, po përmendim vetëm një fakt. Ju, të nderuar të burgosur politikë, që sot na keni nderuar me praninë tuaj, sigurisht keni qenë në burg kur është zhvilluar aksioni gjakatar kundër familjes së Tahir dhe Nebih Mehës në Prekaz, më 13 maj të vitit 1981. Në ballë të forcave të rrethimit ka pasur edhe milicë shqiptarë.

Pushtuesi ynë, Serbia dhe Jugosllavia, edhe përmes të tillëve, në mars dhe prill të vitit 1981, ka vrarë me dhjetëra demonstrues, si në Prishtinë, në Ferizaj, në Gjakovë, në Vushtrri, në Mitrovicë, në Drenas në Malishevë, në Rahovec, e kudo në trojet e pushtuara, të mbetura jashtë kufijve të Shqipërisë londineze.

Mandej nga milicët e tillë të Mehmet Maliqit, të Azem Vllasit, të Rrahman Morinës, e të tjerëve, janë vrarë në rrethim Nuhi Berisha e Rexhep Mala, Bedri Sokoli e Afrim Zhitia, Fahri Fazliu e Ismet Krasniqi, si dhe dhjetëra të tjerë. Në të gjitha arrestimet e qindra grupeve të rezistencës në Kosovë gjatë viteve të 80-ta, pjesëmarrës të aksioneve kanë qenë SUP-ovcat shqipfolës. Dhe sa më shumë që këta argatë të dreqit, siç i ka quajtur simboli i rezistencës sonë kombëtare, Adem Demaçi, tregoheshin besnikë të pushtuesit, aq më tepër kërkohej nga ata, që të zbatonin deri në asgjësim veprimtaritë kombëtare të të rinjve shqiptarë.

Kan kaluar 17 vite nga perfundimi i luftes se lavdishme te UÇK, ende ne Republiken e Kosoves kan mbetur mbeturinat (nostalgjistet) e Jugosllavizmit perkatesisht Kosovarizmit ,ata te cilet po trumbetojn qe ta themelojn kombin kosovar, ata te cilet kan krijuar institucione kombetare brenda Republikes se Kosoves, dhe ate Agjencione Kombetare, Institute kombetare,etj etj.

Lidhur me kete, nga ketu, ju sugjeroj institucioneve te Republikes se Kosoves qe te i heqin nga mendja, strategjia, praktika,etj e Kombit Kosovar perkatesisht institucioneve Kombetare ne kuader te Republikes se Kosoves. Le ta din ata se emertimi Kombetare e ka karakterin-shtrirjen ne ter teritorin ku flitet shqip perkatesisht ku jetojn shqipetaret.

Pra, lufta për liri, rrënimi i themeleve të pushtuesit tonë, kishte filluar me demonstratat e studentëve dhe të popullit shqiptar të vitit 1981, për rëndësinë historike të tyre do të flitet edhe sot në këtë përkujtim të atyre ngjarjeve.

Të dashur studentë!

Të nderuar të profesorë dhe të pranishëm!

Sot, me ardhjen e tyre na kanë nderuar, veprimtari i çështje kombëtare, i burgosuri politik i demonstratave të vitit 1981, babai i Dëshmorit të Kombit, Labinot Krasniqi, z. Gani Krasniqi, i dënuar më 15 vjet burg të rëndë.

Po ashtu na ka nderuar edhe veprimtari dhe i burgosuri politik, Naim Ramadani, nga Ferizaj, i dënuar me tetë vjet burg të rëndë, për pjesëmarrje dhe organizim të demonstratave të vitit 1981.

Të ftuarit tanë do të rikujtojnë ngjarje e momente të asaj kohe, pra të demonstratave të vitit 1981, mundësisht duke respektuar kohën, kurse të interesuarit mund të bëjnë pyetje pas përfundimit të fjalës së të ftuarve tanë.

Sot kur kan kaluar 35 vite nga Demostratat e lavdishme askush nga shteti nuk eshte i interesuar te organizoj as me te voglin organizim ne shenje mirnjohje,rrespekti per te gjithe te vraret, plagosurit, burgosurit, maltretuarit,etj-nuk organizojn sepse sigurisht kan ndoshta pune me te medha apo ma te ndershme.

I nderuari Gani Krasniqi,

I nderuari Naim Ramadani,

Mirë se keni ardhur në mjediset e studentëve të Kolegjit Biznesi në Prishtinë!

Prishtinë, më 11. 3. 2016

 

Kontrolloni gjithashtu

Sot në Kuvendin e Kosovës mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga partitë opozitare

Deputetët flasin për detyrimet e mundshme financiare të Kosovës

Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën plenare, ku do të diskutohet lidhur me detyrimet e mundshme …