Murat Nikaj, (1905-1969) luftëtar i përkushtuar i Lëvizjes Kombëtare

A.Q: Veprimtaria e disa organizatave kombëtare në vitet 1951-1953 dhe represioni drastik i regjimit të RSFJ-së kundër tyre III

  1. Grupi atdhetar i Murat Nikajt dhe bashkëluftëtarëve të tij

Në vitet vijuese: 1951 1953 u arrestuan dhe u dënuan me burg edhe disa dhjetëra grupe të shqiptarëve, të cilët nuk i bindeshin regjimit. Përveç luftëtarëve dhe veprimtarëve të NDSH-së u dënuan edhe “jatakët” e tyre, u dënuan me pretekst se ishin ballistë e informbyroistë. Në të gjitha aktakuzat dhe aktgjykimet ata trajtohen si ballistë, me qëllim për t’ i dënuar me ligjet e luftës, edhe pse dihet se në vitet 1941-1945, në Kosovë nuk kishte organizim partiak, madje nuk kishte as Organizatë të Ballit Kombëtar, nga e cila me kohë ishte distancuar NDSH-ja.

Gjatë muajve tetor nëntor të vitit 1953, inspektorët e UDB-së kishin arrestuar dhjetë shqiptarë të fshatrave të rrethit të Drenasit. Ata fillimisht i kishin dërguar në Stacionin e Milicisë në Qirez e prej andej në Skënderaj. Gjykata e Qarkut të Pejës, sipas Aktgjykimit P. nr 137/53, më datë 7. 11. 1953, i kishte shpallur fajtor dhe i kishte dënuar me burg të rëndë  duke i paragjykuar  se kishin vepruar dhe mbanin kontakte me grupin e Aziz Zhilidovës, i cili qysh në vitin 1949 kishte depërtuar në Shqipëri, por në raste të caktuara hynte në Kosovë me dijen dhe lejen e Shërbimit Shtetëror  të Shqipërisë.

Ishin shpallur fajtorë dhe ishin dënuar:

Sadik Dervishaj nga Gradica, ishte dënuar 13 vjet gurg.

Aziz Hajdar Nika nga Dobrashevci, 8 vjet.

Fazli Hajdaraj nga Dobrashevci, 6 vjet.

Azem Nikaj nga Gllanasella, 4 vjet.

Ibish Dervishi  nga Gradica, 10 vjet.

Bajram selman Zuka nga Likoshani, 13 vjet.

Ilaz Dervishi nga Gradica, 7 vjet.

Selim Kastrati nga Likoshani, 5 vjet.

Brahim Preniqi nga Hadja ishte dënuar tri vjet burg.

Murat Nika nga Gllanasella i cili ndodhej në burg, nga Divizioni i Gjyqit Ushtarak në Prishtinë  në aktakuzën nr. 61/47  ishte dënuar me burg  të rëndë në kohëzgjatje 15 vjet dhe me punë të detyruar të dhunshme gjatë vuajtjes së dënimit. Në aktakuzën e dytë, të pasqaruar gjatë procedurës, Murat Nika dënohet sipas  nenit 110 në Kodit Penal të kohës me gjashtë vjet burg të rëndë. Pavarësisht se paraprakisht në vitin 1947 kishte qenë i dënuar 15 vjet, nuk ishte bërë bashkimi i veprave, por ishte dënuar edhe gjashtë vjet të tjera. Si lëshim i  procedurës merret edhe fakti se ai nuk ishte shpallur recidivist edhe pse gjashtë vjet më parë  ishte dënuar me burg. Lëndës së  vitit 1947  i mungon një pjesë formale e procedurës e cila përshkruhet vetëm me aktakuzën nr. 61/47, e cila nënkupton se lënda penale kundër Murat Nikës ka qenë e 63-ta me radhë e vitit 1947. Nuk janë dhënë sqarime  për këtë lëshim procedural dhe në mungesë të përshkrimit të plotë të lëndës.

Të gjithë të këta ishin dënuar edhe me heqjen e të drejtave civile, me vite të caktuara pas daljes nga burgu, po ashtu në afate të caktuara nuk gëzonin të ashtuquajturën të drejtë qytetare, për të votuar dhe për të qenë i votuar, ishin dënuar me të holla edhe për shpenzimet e procedurave hetimore e gjyqësore dhe kufizime të tjera, të cilat nuk përmenden në asnjë aktakuzë, por që ishin masa edhe më represive, sikur ishte  izolimi, apo sikur quhej në popull, “lëçitja”, përgjimi dhe vëzhgimi i lëvizjeve, selektimi me rastin e pranimit në studime të familjarëve të tyre, mospasja e së drejtës për bursë apo ndonjë benificion gjatë shkollimit, mos dhënia e pasaportave dhe shumë masa të tjera,  që i aplikonte UDB-ja kundër të gjitha familjeve shqiptare, të cilat nuk ishin pajtuar kurrë me ripushtimin e Kosovës nga Jugosllavia.

Ky grup i dhjetë atdhetarëve, akuzoheshin se nga vitit 1949 deri në gusht të vitit 1953 kishte vepruar në organizatën e Aziz Zhilivodës, e cila kishte për qëllim të shtrinte veprimtarinë e vetë, jo vetëm në Drenicë po kudo në Kosovë, me qëllim të kryengritjes dhe bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Sipas aktakuzës P. nr 137/53, më datë 7. 11. 1953,  Murat Nika akuzohej se kishte vepruar në kuadër të këtij grupi.

Në aktakuzën e ngritur tij shkruan se: Murat Nika i lindur në vitin 1902, (1905)  në fshatin Gllanasellë, baba i nëntë bijve (11 bijve) ka qenë edhe më parë i dënuar nga Divizioni i Gjyqit Ushtarak në Prishtinë  në aktakuzën nr. 61/47 me burg të rëndë në kohëzgjatje 15 vjet dhe me punë të detyruar të dhunshme gjatë vuajtjes së dënimit. Murat Nika ishte akuzuar  në bazë të ligjit penal të RSFJ-së nga neni 3, pikat  7. 8. dhe 14 për vepër penale kundër  “popullit”, rendit kushtetues dhe Shtetit. Në aktakuzën e ngritur të vitit 1953, thuhet se Murat Nika e ka mbajtur një pjesë të dënimit, ndërsa në burg gjendet prej 14 tetorit të vitit 1953. Për herën e dytë, si pjesëtar i organizatës së Aziz Zhilivodës ishte dënuar 6 vjet burg. Me rastin e shqiptimit të dënimit, nuk ishte saktësuar se a ishte bërë lidhja e veprave të njëjta penale dhe cili kishte qenë vendimi definitiv me burg.

Në shënimet familjare të cilat i ka publikuar,  Adrian Nikaj,  ( RKL-Personalitete 30 1. 2020) janë prezantuar edhe disa të dhëna jetë-shkruese për Murat Shaqir Nikajn

Murat Nikaj, ishte njëri nga pjesëtarët më të përkushtuar të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, për Krahinën e Drenicës dhe më gjerë. Gjatë luftës së Drenicës, Murat Nikaj ka komanduar një Batalion të Brigadës së Shaban Polluzhës. Gjatë tërheqjes së Brigadës së Drenicës nga Podujeva, vendi i parë ku vendosët shtabi  ishte pikërisht  në Kullën e Murat Nikajt në Gllanasellë (Dr Islam Dobra-Lufta e Drenicës, botim i viti 1997). Deri në vdekjen e Shaban Polluzhes dhe Mehmet Gradicës, Murat Nikaj ishte angazhuar në luftë. Kishte treguar trimëri të pa parë në rastin e tërheqjes dhe shpëtimin e djalit të Shaban Palluzhës, Tafës, i cili në luftime të Kolashinit ishte plagosur dhe kishte mbetur nën rrethimin e çetnikëve.  Në ditën kur kanë rënë duke luftuar  Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica, Murat Nikaj ishte së bashku me të birin Behramin (i cili ishte 16 vjeçar) dhe me Xhemajl Berishën, Zeqir Mehë Morinën, Zenel Kozhicën, në vijën e parë të luftimeve, duke e mbrojtur vendqëndrimin në Kullat e Dvoranëve për të mos rënë në dorën e Serbëve, Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica të cilët ishin plagosur rëndë gjatë luftimeve.  Murati së bashku me Brahim Luten e kanë bartur trupin e Mehmet Gradicës, nga kulla e Dvoranëve e deri në Gllanasellë, vetëm për të mos rënë në duart e serbëve. Me Mehmet Gradicën, Murati e kishte kaluar fëmijërinë dhe rininë. Sheqiri i ati i Muratit ishte bash nip i Mehmet Gradicës.   Ishte pjesëmarrës ne Kuvendin e Nëntorit te vitit 1944 për themelimin e Brigadës se Drenicës  ne krye te se cilës Brigadë u emërua Shaban Polluzha. Se bashku me Bajraktarin e Llaushës, e bëjnë pajtimin e Mehmet Gradicës me Shaban Palluzhen, për të luftuar kundër Serbisë.  Në bashkëpunim me Hilmi Zariqin, Ymer Berishen, Gjon Sereqin, Ajet Gergurin, Azem Bellaqevcin etj ngritën struktura te organizuara ne kuadër te Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare (LNDSH). Ka qenë pjesëmarrës i Kuvendit te LNDSH-se i njohur si Besëlidhja e Madhe dhe njëri nga organizatoret e Kuvendit te fundit te LNDSH-se i njohur si Kongresi i Lipovices. Ishte kryetari i Komitetit te LNDSH-se te themeluar ne Drenicë, gjegjësisht Komiteti i Çikatoves-Gllanasellës.

Ne vitin 1946 nga familja e Muratit u burgosen te gjithë meshkujt e moshës madhore: Sheqir Nikaj, Ramë Nikaj, Beqir Nikaj, Qerim Nikaj dhe Behram Nikaj. U mbajtën në burg të Skënderajt deri në fund te vitit 1947 si pengje në duart e pushtetit komunist.

Për t’i shpëtuar nga torturat meshkujt e tij, Murat Nikaj në vitin 1947  është detyruar të dorëzohet. Në LNDSH, ishte i inkuadruar edhe kushëriri i tij,  Isuf Nikaj, i cili gjatë tërë kohës sa ishte në mal kishte qëndruar me Fazli Hajdarin-Dobrashevcin, kjo dëshmohet në deklarata të dhëna nga Hilmi Zariqi në hetuesi para UDB-ës shënohej-identifikohej, si Jusuf Gllanasella e herë si Jusuf Mehmeti. Ai i ishte dorëzuar pushtetit komunist pak kohë para Murat Nikaj, në fillim të viti 1947. Sipas dëshmive të Osman Gurgurit nga Godanci dhe të Azemine Lahollit-Kiqina, gjatë qëndrimit në ilegalitet-në mal, furnizimin me ushqim dhe rroba e ka bërë Rifat Murat Nikaj dhe Azemine Laholli, nana e Brahim Lute nga Gllanasella.

 

Pas disa vitesh burg u lirua nga një amnisti e kohës, por menjëherë pas daljes nga burgu Murat NIKAJ, përsëri bëri organizimin e një grupi kryengritës i cili për fat te keq u zbulua nga UDB-a Jugosllave dhe me 19.02 të vitit 1953, sipas Aktgjykimit K.br.137/53, P.130/54 të Gjykatës së Pejës, u dënua serish me 6 vite burg për veprimtarinë e tij anti Jugosllave.

Pas mbajtjes së dënimit nga gjykimi i herës së dytë, në vitin 1963 sërish burgoset dhe mbanë burg prej tri viteve, me arsyetimin se po bënë agjitacion kundër rendit komunist të asaj kohe. Në vitin 1966 lirohet nga burgu.  Deri në vitin 1990 pushteti Jugosllav nuk ka lejuar që të rregullohet as varri i tij, sepse cilësohej nga pushtuesit si armik i shtetit dhe nuk lejonin asnjë shënim që te ketë varri i tij. Pas rënies se sistemit një partiak ne vitin 1990 ne mënyrë krejt te heshtur pasardhësit e tij ia vuan dy gurë pranë varrit te tij.

Murat NIKAJ tërë jetën dhe tërë pasurinë ia kushtoi luftës për lirinë e trojeve te pushtuara. Nga pasojat që kishte përjetuar gjatë torturimit në hetuesi, ai vdiq më një  Janar te vitit 1969. Murat Nikaj ka pasur 11 djem dhe ka lënë shumë nipër e mbesa.

Murat Nika ashtu sikur edhe vëllezërit e kushërinjtë kanë qenë luftëtarë popullorë, pjesëtarë dhe pjesëmarrës në Kryengritjen e Shaban Palluzhës, kanë vepruar në platformën e Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare. Kjo familje atdhetare luftës heroike të UÇK-së i ka dhënë shtatë dëshmorë, në mesin e tyre edhe Abdullah Nika, nipi i Murat Nikës,” njëri ndër prijatarët e luftës në UÇK-s, i rënë më 14 shkurt të vitit 1998, i cili, vendin e tij të punës, te “Trafoja”, e kishte shndërruar në bazë të fortë të UÇK-së”.

Nga familja Nikaj luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu kanë bashkuar  shumë pjesëtarë,  ndërsa shtatë prej tyre janë shpallur dëshmorë: Avdulla Nika, Abedin Nika, Fatmir Avdi Nika, Fatmir Nuredin Nika, Kadri Nika, Mexhit Nika, Shefqet Nika dhe shumë martirë. ( Nuhi Daut Nika, Filolet, 2 mars 2018)

Familja Nika e Gllanasellës, radhitet në mesin e familjeve të njohura atdhetare, të cilët amanetin për çlirim e bashkim e kanë ruajtur nga  brezi në brez dhe thirrjeve  të Atdheut iu kanë përgjigjur në të gjitha periudhat kritike.

Murat Nika,  ka qenë një luftëtar popullor, shumë i njohur në pjesën qendrore të Drenicës, i cili ka kryer shërbime të shumta në dobi të kombit e atdheut. Në deklaratën e luftëtarit të njohur të kësaj ane, Hilmi Zariqi, të cilën e ka dhënë gjatë hetimeve në zyrën e UDB-së, gjatë disa ditëve në nëntor të vitit 1946, përmendet në veçanti aktiviteti dhe respekti që kishte Murat Nika në atë kohë. Ai ka veçuar faktin se kudo që ishte paraparë nevoja për ndonjë aksion apo kontakt të bashkëluftëtarëve, Murat Nika kishte njerëzit e tij dhe pa vonesë tuboheshin në vendin e caktuar, shumë herë edhe në odën e tij, në fshatin Gllanasellë. Hilimi Zariqi kishte deklaruar se Murat Nika ka përfaqësuar fshatin e tij në takime. Ai ka qenë kryetar i Komitetit, Nezir Haziri zëvendës, dhe Milazimi nga Krasmirovci ishte sekretar.

Murat Nika kishte qenë i angazhuar edhe nga Ajet Gërguri, lidhur me përgatitjen paraprake të Kongresit të Lypovicës, i cili ishte mbajtur më 25 korrik të vitit 1946, në kompleksin pyjor të Blinajës, në trekëndëshin e fshatrave, Krojmir, Shalë, Risinovc. (Dr. Muhamet Pirraku”  Mulla Idris Gjilani dhe mbrojtja kombëtare e Kosovës Lindore: 1941-1951. Prishtinë 1995.)

Hilmi Zariqi, në deklaratat e tij para OZN-ës ka pranuar  tërë aktivitetin që ka zhvilluar vetë, por edhe luftëtarët e NDSH-së, jo nga ligësia, por në radhë të parë për faktin se deri në ripushtimin serb të Kosovës, pas luftës së Shaban Palluzhës, në shkurt të vitit 1945,  ai kishte vepruar legalisht në krijimin e Shqipërisë Etnike dhe kishte mbrojtur idetë e bindjet e tij nacionaliste.

Po kështu në hetimet që i kishte bërë OZN-a edhe Gjon Serreçi kishte mbrojtur me konsekuencë programin dhe qëndrimet e NDSH-së. Duke arsyetuar formimin e kësaj Lëvizjeje, më 10 prill të vitit 1947, në zyrën e hetuesisë së OZN-ës në Prishtinë, Gjon Serreçi i pyetur për qëllimin e organizmit të Lëvizjes së rezistencës ka deklaruar: Kam thënë se duhet të formohet Organizata dhe se kjo nuk është organizatë balliste, por është Organizatë Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ka për qëllim luftën kundër rendit ekzistues shoqëror në Jugosllavinë e sotme dhe në Shqipërinë e sotme, për krijimin e Shqipërisë etnike duke e bashkuar Kosovën në kufijtë e saj etnikë, që do t’i bashkoheshin Shqipërisë së tillë, me rendin që do ta krijonim ne. Ndërrimin e rendit shtetëror e kemi planifikuar ta zbatojmë me intervenimin e fuqive të mëdha, të jashtme siç janë: Anglia dhe Amerika dhe me ndihmën e fuqive të armatosura, që ishin në male, të cilat do të ngriheshin për ta marrë pushtetin në duart e veta….( A. Q. Luftëtarë të NDSH-së II, Prishtinë 2016)

Hilmi Zariqi dhe luftëtarë të tjerë që ishin kapur tradhtisht,  por edhe të tillë që ishin dorëzuar,  kanë përmendur edhe bashkëpunëtorët e tyre, jo për t’ i ikur përgjegjësisë apo për ta ndarë “fajin” bashkë, sepse ata nuk kishin bërë kurrë  farë faji që binte ndesh me interesin e shqiptarëve, mirëpo kanë treguar se kanë qenë të organizuar dhe jo banda e grupe kaçake, sikur i trajtonte regjimi. Hilimi Zariqi ka treguar se shtëpia e Murat Nikës ka qenë bazë për strehim  nga ku edhe është marrë buka nga sa e sa bashkëluftëtarë, meqë ai ishte “shpianik” bujar e bukëdhënës për të gjithë, e veçmas për bashkëluftëtarët e tij. Ai madje u kishte dërguar bukën por edhe ndonjë gazetë,   kudo ku ata ndodheshin në male, herë vetë,  herë me njerëzit besnik të tij.

Në mesin e shumë personaliteteve me rëndësi e ndikim në radhët e NDSH-së, veprimtaria e të cilëve ende nuk është hulumtuar dhe nuk është zbuluar sa duhet, pa dyshim se është edhe kjo e njërit ndër luftëtarët  më konsekuent, më besnik dhe më trim, Murat Nika nga fshati Gllanasellë…

Dokumente: Aktakuza, aktgjykime

  1. nr. 137/53, më datë 7. 11. 1953
  2. Nr. aktakuzën nr. 61/47.

K.br.137/53, P.130/54.

Deklaratat e dhëna në hetime para inspektorëve të OZN-ës, të Hilmi Zariqit, më 14. 11 1946.

Literatura:

– Dr. Jakup Krasniqi: Lufta e Drenicës, 1944 – 1945, ishte luftë çlirimtare, Arkiv-Pres, 2019.

– Dr. Muhamet Pirraku”  Mulla Idris Gjilani dhe mbrojtja kombëtare e Kosovës Lindore: 1941-1951. Prishtinë 1995.)

– A. Q. Luftëtarë të NDSH-së II, Prishtinë 2016.

– Dr. Sabile Keçmezi-Basha: Hasan Remniku me shokë dhe veprimtaria e tyre atdhetare. – Ahmet Qeriqi: Luftëtarë të NDSH-së ( 1945-1950) Prishtinë 2005.

– Adrian Nikaj: RKL- Personlitete  30 1. 2020.

– Nuhi Daut Nika, Filolet 2 mars 2018.

– Dr. Islam Dobra-Lufta e Drenicës, botim i viti 1997.

– Vikipedia shqip.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …