Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka vizituar rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” me rastin e 50 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës. Ajo u mirëprit nga rektori i UP-së, Marjan Dema dhe nga përfaqësues të stafit akademik. Ministrja Dumoshi e rektori Dema diskutuan për bashkëpunimin mes të dyja institucioneve në projekte të përbashkëta. Me rastin e kësaj vizite, Ministrja Dumoshi ka uruar rektorin Dema për 50 vjetorin e themelimit të UP-së. Ndër të tjera, ministrja tha se të gjithë e kujtojmë me nderim dhe respekt kontributin e të gjithë atyre që çuan në themelimin e vatrës kryesore të dijes para 50 viteve që njëherësh ishte dhe ka mbetur shtylla kryesore e zhvillimit të Republikës së Kosovës. Për më tepër më poshtë gjeni urimin e Ministres Dumoshi.
I dashuri Rektor Demaj,
Të dashur profesorë dhe profesoresha të nderuara të Universitetit të Prishtinës,
Të dashur studentë!
Themelimi i Universitetit të Prishtinës është ngjarje madhore në historinë e kulturës shqiptare. Prandaj, ju uroj nga zemra 50 vjetorin, duke shprehur respektin dhe konsideratën time më të thellë për punën e vyeshme që bëni për të ngritur edhe më lart dijen, shkencën dhe kulturën e vendit tonë. Me këtë rast, kujtojmë me nderim dhe respekt të gjitha përpjekjet që çuan në themelimin e këtij Universiteti, veçmas kontributin e madh që kanë dhënë demonstratat e vitit 1968 dhe plejada e patriotëve shqiptarë që sakrifikuan çdo gjë për përparimin tonë kombëtar. Po ashtu, me respekt të thellë, duhet të kujtojmë themeluesit e Universitetit, rektorët dhe profesorët si Dervish Rozhaja, Gazmend Zajmi, Idriz Ajeti, Mark Krasniqi, Hajredin Hoxha, Fehmi Agani, Syrja Pupovci, Ali Hadri, Hasan Mekuli e Muslim Mulliqi dhe një plejadë e tërë intelektualësh dhe patriotësh të vyer, që u bënë pishtarë të dijes dhe të kulturës. Pa dyshim, rol të pazëvendësueshëm në të gjitha përpjekjet tona kombëtare kanë dhënë studentët e këtij Universiteti, të cilët krahas studimeve, janë përfshirë edhe në zhvillime politike, duke u dhënë atyre shtytje dhe dinamikë të veçantë. Universiteti i Prishtinës, prej themelimit u bë shtylla themelore e zhvillimit të vendit tonë Kosovës, duke luajtur rol fondamental në emancipimin dhe ngritjen politike e kulturore. Kurse gjatë viteve të rënda të shtypjes serbe, ky Universitet, me profesorë dhe studentë, u bë gardian i lirisë, demokracisë dhe pavarësisë. Prandaj, si Ministre e Kulturës, u jam pafundësisht mirënjohëse, juve dhe të gjithë paraardhësve tuaj. Po ashtu, shpreh vullnetin dhe dëshirën time që të punojmë bashkë, në dobi të vendit dhe të kulturës së vendit tonë.