Fjala e Kryetarit Jashari në Seancën Solemne të Kuvendit Komunal të Skenderajt

Fjala e Kryetarit Jashari në Seancën Solemne të Kuvendit Komunal të Skenderajt

Të nderuar asambleistë,

Të dashur familjarë të dëshmorëve, martirëve, të zhdukurve, invalidëve e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të nderuar mysafirë dhe ju të pranishëm, Jemi mbledhur sot në këtë seancë solemne, për nder të 12 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, shtetit tonë të ri, me popullin më të vjetër dhe autokton në Ballkan, shtetit për të cilin askush më shumë se ne nuk luftoi e sakrifikoi me shekuj të tërë. Përpjekjet shekullore të popullit shqiptar të Kosovës për Liri e Pavarësi, grevat e minatorëve, kryengritjet e studentëve, protestat e demonstratat gjithë popullore kundër politikës represive të agresorit serb, lufta e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari, kontributi lobues i diasporës sonë, përkrahja e pa rezervë e Amerikës e intervenimi i NATO-së, janë pjesë e historisë sonë të lavdishme dhe shtetit që sot bashkë po ndërtojmë. Sot 21 vjet nga lufta jonë çlirimtare dhe 12 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, kujtojmë e nderojmë të gjithë ushtarët, dëshmorët e martirët që ranë në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë. Janë ata që shkruajtën historinë e përjetshme, është vepra dhe heroizmi i tyre unik ai që vulosi të ardhmen e Kosovës. Sot Kujtojmë heroizmin e familjes Jashari, luftën e shenjtë çlirimtare të Komandantit Legjendar Adem Jashari e bashkëluftëtarëve të tij, kujtojmë masakrat mbi civilët në Qirez e Likoshan, Abri, Izbicë, Rezallë, Reçak, Studime, Dubravë, Krushë e Madhe, Has e masakra tjera mbi popullin e pafajshëm e liridashës shqiptar. Kujtojmë e nderojmë sakrificën e invalidëve të UÇK-së e viktimat civile të luftës sonë çlirimtare. Populli ynë i përvuajtur, i robëruar me shekuj e i etur për liri bëri rezistencë të pa shembullt, luftë të pastër në mbrojtje të tokës sonë dardane, popullit tonë demokratik e liridashës. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008 ishte edhe një betejë më shumë e fituar me mund e sakrificë por lufta jonë ende nuk ka përfunduar. Tani kemi shumë punë që ta bëjmë shtetin të fortë ashtu siç e ëndërruan dhe e deshtën të parët tonë. Tani duhet të punojmë bashkërisht, përtej dallimeve tona ideologjike, politike e konceptuale në zhvillimin e vendit, fuqizimin e rendit e ligjit, arsimit, shëndetësisë e rinisë, luftimin e korrupsionit e nepotizmit, rritjen e punësimit dhe ndaljen e migrimit të të rinjve jashtë vendit. Sot patriotizëm është besimi në vlerat institucionale e demokratike, kujdesi për shtetin, për pronën publike, mjedisin, ruajtjen e vlerave tona tradicionale e historinë tonë të lavdishme. Sot, si çdo ditë tjetër, jam në shërbim të qytetarëve të komunës sonë, në shërbim të ngritjes së mirëqenies sociale, zhvillimit të arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës e bujqësisë si bazë e zhvillimit ekonomik e punësimit në komunën tonë. Shteti ynë edhe pas 12 vite pavarësi po përballet me sfida të mëdha por të cilat mund t’i tejkalojmë vetëm të bashkuar e duke vënë interesin shtetëror para çdo interesi partiak e grupor. Të rënët në altarin e pavdekësisë, sollën Lirinë e Pavarësinë. Ne, jetësojmë amanetin e tyre, duke zhvilluar shtetin! Të dashur asamblistë, mysafirë të pranishëm dhe ju qytetarë, urime 12 vjetori i Pavarësisë së Kosovë, shëndet e mbarësi për të gjithë!

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …