Në reagimin e tij kundër portalit të Berat Buzhalës dhe Televizionit 7, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shkruar lidhur me statusin që Akademiku, Rexhep Qosja ka postuar në faqen e tij sociale sot. E pata të pamundur të mos e ndaj me ju, sepse e pamundur është të mos preket plaga që një tufë xhagajdurësh, me atributet e rrejshme të patriotit a të mendimtarit, që rëndom politika a gazetaria në trojet tona ua veshin njerëzve pa din e as iman, po rreket të hapë, zgjerojë e thellojë, bash ashtu siç e demaskon me një qartësi të dhimbshme Rexhep Qosja, në shënimin e tij.
POR…
Në një pikë nuk jam dakord me Rexhep Qosen!
Kjo urrejtje e organizuar shoviniste ndaj Shqipërisë, siç ai e quan ai, nuk është thjesht një organizim mjetesh politike, mediatike e financiare, sa të paskrupullta aq edhe të errëta, e cila sipas Rexhep Qoses, mund të sjellë pasoja në marrëdhëniet mes të dy shteteve shqiptare, por një ofensivë e egër pushtuese e hapësirës publike të komunikimit, që me vulgaritetin, shpifjet dhe dritëshkurtësinë e saj, ka nisur ta dëmtojë keq vetë Kosovën.