Sot, Zana Bytyqi-Geci e OJQ-së “Familja dhe Shpresa” kërkon takim me kryeministrin, Albin Kurti. Edhe Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiçi, e të tjerët si Ministri i tij i Jashtëm, Ivica Daciçi, duhet që të thirren nga prokurori Jack Smith që të bëjnë një udhëtim deri në zyrën e tij në Hagë për të dëshmuar apo intervistuar si të dyshimtë për krime lufte, sepse ata ishin ministra dhe zëdhënës të Sllobodan Millosheviqit. E që kjo të bëhet e mundshme, së pari duhet plotësuar ligji për gjykatën speciale për krimet e luftës nga parlamenti i Kosovës,” shkruan në një letër Kryetarja e shoqatës nga Klina “Familja dhe Shpresa’, Zana Bytyçi-Geci, drejtuar Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, me të cilin ajo kërkon takim për të çuar përpara kërkesën e njohur të shoqatës për plotësimin e ligjit në fjalë nga parlamenti i ri i vendit.
Ajo në këtë letër sot ka kërkuar një takim me Kryeministrin Albin Kurti, për t’ia dorëzuar atij kërkesën, tash edhe në cilësinë e kreut të ekzekutivit të vendit tonë, për plotësimin e ligjit për gjykatën speciale, me seli në Hagë të Holandës, për krimet e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 dhe sqaruar atij personalisht pse kjo duhet të ndodhë patjetër.
Zana Bytyqi-Geci shkruan në letrën publike se meqë pozita e Kurtit tash ka ndryshuar, dhe edhe qeveria e re e koalicionit e pranojnë realitetin e ekzistencës së gjykatës, të cilën Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kishte kundërshtuar dhe mos-njohur deri para pak muajve, ai mund të iniciojë në Kuvendin e tashëm të vendit – ku partitë në pushtet e kanë shumicën e votave – kërkesën shoqatës për plotësimin e ligjit të gushtit të vitit 2015, në mënyrë që gjykata në fjalë të merret edhe me , dhe së pari, me krimet e Serbisë ndaj civilëve shqiptarë e t’i ndëshkojë vrasësit serbë për krimet e bëra gjatë luftës.
Bytyqi-Geci në letër shkruan se delegacioni i shoqatës ka edhe plotë çështje të tjera për të biseduar dhe kërkuar nga Kurti në pozitën e tij të re institucionale dhe nga partia në krye të cilës është ai, që ndërlidhen me krimet e Serbisë, por se ato do të t’ia bëjnë sy-me-sy në takimin e kërkuar.