Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Qeveria e re e Kosovës duhet ta sqarojë politikën e saj ndaj Serbisë

Zhvillimet e fundit në Kosovë përfshirë edhe presionin nga jashtë, që kanë të bëjë me raport e saj politike me Serbinë, e shtron domosdoshmërinë për ta sqaruar një herë e mirë politikën e saj të veprimit ndaj politikave agresive te Serbisë në përgjithësi, e këtyre të pas Pavarësisë se Kosovës, me theks të veçanet pas bisedimeve politike të Brukselit është bërë e domosdoshme. Gjithashtu është bërë tepër e nevojshme një komunikim i ri me vendet euro-atlantike me të cilat kemi ardhur deri këtu, e të cilave vende duhet t’u themi se Kosova gjatë gjithë periudhës se pas qershorit 1999 ka bërë krejt çka ka qenë në mundësit e saja për t’i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë dhe i kemi bërë se bashku me ta. Për këtë qellim kemi bërë shumë kompromise të cilat i dinë dhe më i njohuri prej tyre është Dokumenti Gjithëpërfshirës për Zgjedhjen e Statusit Përfundimtar të Kosovës, i njohur edhe si Dokumenti i Presidentit Ahtisari. Me atë Dokument, komuniteteve pakicë e sidomos komunitetit serb i janë ofruar të drejta të një standardi të lartë politik, sa edhe kanë rrezikuar funksionimin normal të institucioneve kushtetuese të vendit. Këto politika janë arritur se bashku me Grupin e Kontaktit e veçmas me vendet euro-atlantike. Ndërsa gjatë gjithë këtyre viteve, politika serbe nuk ka lëvizur nga llogoret e saja të luftës së njohur anti Kosovë e anti shqiptare. Pra, Serbia në asnjë moment nuk ka treguar vullnet për t’u shkëputur nga politikat e krimit e të gjenocidit dhe filluar epokën e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën e qytetarët e saj. Kjo politikë u është mirë e njohur vendeve të Demokracisë Perëndimore dhe jo vetëm atyre.

Këtyre vendeve të Botës euro-atlantike e veçmas vendeve të BE-së që janë bërë pengesë e ecjes se Kosovës në rrugën e integrimeve veri-atlantike, të cilave duhet treguar me argumente të gjitha arsyet pse Qeveria e Kosovës e ka vendosur taksën 100% ndaj mallrave serbe e boshnjake. Nëse është nevoja për këtë çështje, le të formohet një trupë e përbashkët e vendeve euro-atlantike për të ardhur pas një hulumtimi të një përfundim i argumentuar se vërtetë ku janë pengesat që pamundësojnë normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës e Serbisë?! Në Kosovë apo në Serbi, natyrisht duke u konsultuar me kujtesën administrative të Rambujesë e të Vjenës. Përndryshe çdo ngutje për të arritur çfarëdo përfundimi, nuk do të jetë gjë tjetër vetëm se “një përpjekje sizifi”, për tu rikthyer serish nga fillimi. Kjo situatë e kërkon domosdonë që t’i kthehemi kujtesës se arkivuar historike që nga Bisedimet e Rambujesë, të Vjenës e krejt deri me sot. Për të hulumtuar atë kujtesë është mirë që nuk u duhet ndihma e Kosovës dhe as ajo e Serbisë. Përndryshe, çdo përpjekje për të hequr Taksën 100% pa ndonjë qartësim se nga dëshirojmë të shkojmë e ku synojmë të arrijmë, nuk do të jetë një zgjidhje e frytshme e as e qëndrueshme, përkundrazi do të këtë dhe do të krijoj vështirësi të reja. Shkurt duhet të përcaktohet qartë e saktë çka po dëshirojmë të arrijmë? Zgjidhje të problemit apo vazhdim të rrugës që e dimë dhe e dimë mirë që të gjithë që se bashku e bëmë këtë rrugëtim më shumë sesa njëzet vjeçar!

 Po e zëmë se Taksën edhe mund ta heq Qeveria e re e Kosovës, po çka do të arrijmë me këtë veprim? Ndryshim substancial apo vazhdim të avazit të vjetër?! Dikush po thotë: ta heqim taksën e ta vendosim reciprocitetin?! Mirëpo, duhet sqaruar se për çfarë reciprociteti po flasim? A e dinë ndokush këtë? Nëse nuk e bëjmë një reciprocitet të plotë për çështjet më kardinale që e ndihmojnë normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, ndoshta është më mirë të mbesim këtu ku jemi e të presim ditë më të mira. Si kompensim për heqjen e Taksës se Qeverisë së Kosovës, cili do të jetë veprimi i Serbisë? A është ajo e gatshme për t’i normalizuar marrëdhëniet me Kosovën? Apo do t’ia lemë Serbisë “Livadhisjen në Livadhin e Babës”?! A pak livadhisi ajo në livadhin e huaj?! Dihet që më shumë se njëqind vjet e tehu, Serbia e Jugosllavia, nuk patën vesh në asnjë kohë e në asnjë rast që ta dëgjonin zërin e shqiptarëve për liri, barazi e demokraci. Përkundrazi, Serbia e donte Kosovën pa shqiptarët vendas, prandaj shumë herë ushtroj politika të krimit të gjenocidit. Mos dënimi i këtyre politikave të gjenocidit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (pas tri luftërave të fundit) e kanë trimëruar shumë edhe Serbinë e sotme.

Në Kosovë ende ka shumë njerëz që e dinë sesi kemi ardhur deri këtu ku jemi. E dimë se cila frymë politike, njerëzore e kombëtare na solli këtu ku jemi, e cila frymë politike, njerëzore e qyqare ishte si uji i moçalit, i cili as nuk ecën e as nuk pihet. Dihet se me frymën e moçalit do të jetonim në moçalishten e Jugosllavisë se vogël (Serbi – Mal i Zi) ose të degdisur e të shpërndarë në Botë si zogjtë e qyqes?! Ne, të frymës së parë si edhe ata të frymës se dytë, e dimë se cila frymë e solli lirinë, çlirimin dhe Pavarësinë e Sovranitetin e vendit. Prandaj qeveritaret e vitit 2020 e kanë për obligim qe qytetarëve të Kosovës t’ju tregojnë se cilën frymë do ta ndjekin, rrugën e ndryshimit apo të moçalit?! Ndërsa, qytetarët e dinë, kuptohet ata që kanë kujtesë kombëtare, jo ata që kanë kujtesë mize, se një pjesë e qeveritarëve të sotëm kanë pas ofruar një frymë më të avancuar se ajo që i ka sjellë ndryshimet që i kemi pas qershorit 1999, përfshirë edhe Pavarësinë e shpallur më 17shkurt 2008.

Ne, qytetarët e lirisë e të pavarësisë duhet ta dimë saktë se nga cila frymë do të qeverisemi tani e tutje?! Do të qeverisemi nga fryma e parë, nga ajo e moçalit apo nga fryma ma e avancuar sesa e para (e Pavarësisë)?! Fryma e bashkimit kombëtar do të na bënte më krenar! Dhe nuk kemi asnjë arsyeje që ta kundërshtojmë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …