Prokurori i Specializuar ka njoftuar kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës se e ka ndërmend të fillojë procedime penale duke bërë kërkesë për caktimin e një gjykatësi të procedurës paraprake. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë përgjegjëse për hetimin e krimeve që pretendohet se i kanë kryer ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër serbëve dhe disa shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me regjimin e Beogradit, gjatë dhe para luftës së viteve 1998-1999. Në një komunikatë për media të lëshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar thuhet se kryetarja e të ashtuquajturave Dhomave të Specializuara ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake “për të shqyrtuar aktakuzat e dorëzuara nga Prokurori i Specializuar”. “Përmbajtja e aktakuzave mbetet konfidenciale, përveç nëse konfirmohet dhe derisa të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake”, thuhet në komunikatë.
Procedimet paraprake nisin kur Prokurori i Specializuar e çon aktakuzën për shqyrtim te gjykatësi i procedurës paraprake. Aktakuza konfirmohet vetëm nëse mbështetet në prova të mjaftueshme. Në rast se aktakuza konfirmohet, i akuzuari paraqitet para gjykatësit të procedurës paraprake dhe deklarohet rreth fajësisë. Nëse i akuzuari thotë se nuk është fajtor, atëherë pasojnë fazat tjera të procedurës paraprake. Nëse e pranon fajin, caktohet shqiptimi i dënimit. Nëse aktakuza nuk konfirmohet, atëherë lënda hidhet poshtë.
Gjatë vitit 2019, mbi 250 ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë udhëtuar drejt Hagës, për t’u intervistuar nga prokurorët ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar. Në mesin e tyre ka pasur edhe autoritete të larta të UKÇ-së, që pas luftës ishin dhe janë pjesë e skenës politike të Kosovës.