Xhelal Gjeçovi

Dr. Xhelal Gjeçovi: Nderim e mirënjohje profesor Kristo Frashërit, të shenjtit të historisë

Bota akademike dhe i gjithë vendi e përjetuan ndarjen nga jeta të profesor Kristo Frashërit, shkencëtari, mendimtari e historiani i përmasave të jashtëzakonshme, që arriti majat e shkencës historike dhe u bë një figurë emblemë e historisë kombëtare, një autoritet shkencor i padiskutueshëm e i paarritshëm, i njohur e i respektuar brenda dhe jashtë. Ai i dha historiografisë shqiptare vepra që askush më parë mik kish mundur t’i realizonte, e pajisi atë me një mendim të ri, bashkëkohor, të aftë të përballet me sfidat e kohës dhe t’u japë përgjigje problemeve të ndërlikuara që shtruan ndryshimet e vrullshme me ndërrimin e sistemit.

Ai është ndoshta i vetmi historian që ka njohur në detaje çdo ngjarje e çdo figurë historike, nga të gjitha periudhat e historisë, që ka thënë me kompetencë fjalën për ta. Jeta e tij është një shembull i rrallë heroizmi në fushën e vështirë të shkencës e të kërkimit shkencor. I pajisur me cilësi të rralla, me vullnet të hekurt, me karakter të fortë, me dashuri ndaj vendit e ndaj historisë, iu përkushtua si rrallëkush, studimit të historisë së vendit dhe me punë sistematike që s’u ndërpre deri në ditët e fundit të jetës, arriti të ndërtojë e të lërë trashëgim një ka lanë të plotë studime shumë vëllime e shumëdimensionale, që ndriçojnë problemet më të mprehta të historisë së shqiptarëve, të jetës së tyre ekonomike, shoqërore e kulturore, nga lashtësia deri në ditët tona. Në këtë mënyrë, ai u rendit me dinjitet në plejadën e njerëzve të ditur të kohës, që e nxorën shkencën shqiptare nga spontaniteti e nga mediokriteti, e çliruan nga thashethemet, nga intrigat e nga meskinitetet, e vunë në shinat e evropianizimit e të modernizimit dhe me këto e kthyen vendin në qendër të studimeve albanologjike dhe i dhënë fund monopolit dhe diktatit të të huajve. Këtë mision e këtë detyrë historike në fushën e studimeve historike, profesori e realizoi jo me kritika të pafundme, me vend e pa vend, për kolegët e për të kaluarën, siç bëjnë sot disa historianë demagogë, por duke dhënë i pari shembullin konkret se si duhet shkruar historia e popullit tënd, e vendit tënd, si duhet çliruar ajo nga kthetrat e spekulantëve. Sidomos në këto vite të mendimit të lirë, pas ndërrimit të sistemit, opinioni është mahnitur nga puna e profesorit, nga veprat që ndiqnin njëra-tjetrën, njëra më e mirë se tjetra, të gjitha të përshkuara nga një mendim bashkëkohor, nga realizmi e nga objektiviteti shkencor. Askush s’ka arritur që ta mbyllë jetën me një bilanc të tillë pune, me aktivitete që gjallëruan e pasuruan jetën shkencore në vend; me vepra e botime që s’i kishte parë kurrë më parë vendi.

Lashtësia dhe mesjeta, periudha sa të vështira aq dhe interesante, epoka e lavdishme e Gjergj Kastriotit Skënderbeu, heroit tonë kombëtar, kryengritjet e mëdha antiosmane; Pavarësia dhe Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, në të cilën ai ishte pjesëmarrës në rreshtat partizane, si dhe periudha pas saj, e krahas tyre dhe Kosova e Çamëria, dy preokupimet e mëdha të profesorit, kanë pasur fatin që të trajtohen siç e meritojnë, nga penda e tij e artë. Është fat i madh për këtë vend që gjenerata të tëra u rritën e u formuan me veprat e profesorit; me to u përgatitën breza të tërë historianësh, mësues e studiues të historisë; me to brezat e rinj në shkolla mësuan historinë e vendit, u ushqyen e u edukuan me patriotizëm, me dashurinë për vendin e për historinë; kurse opinioni i gjerë brenda dhe jashtë është njohur herë pas here, përmes botimeve e referimeve shkencore, në simpoziume kombëtare e ndërkombëtare, me analiza të shkëlqyera mbi zhvillimet në të kaluarën e në ditët tona.

Të gjitha këto e bënë profesorin një figurë të njohur, të dashur e të respektuar; kurse veprat e tij të kërkuara e të lexuara, si rrallë herë, nga një rreth i gjerë lexuesish, nga të gjitha shtresat e profesionet. Kjo është dhe arsyeja që vdekja e tij u përcoll me dhimbje të thellë e me nderim të veçantë nga bota akademike e intelektuale, nga i gjithë vendi. Ne brezi që kemi patur fatin të punojmë me profesorin, që në fillimet e punës në fushën e historisë, në Universitet e në Akademinë e Shkencave, kemi ndjerë nga afër përkujdesjen, mbështetjen dhe inkurajimin e tij, ndaj dhe mirënjohja për të si pjesë e një marrëdhënieje të veçantë, të krijuar në vite, do të jetë dhe pjesë e kujtesës që do të na shoqërojë deri sa të jemi gjallë. Ne jemi krenarë që kemi qenë bashkëkohës, nxënës e kolegë të profesorit, që i përkasim shkollës që themeloi ai në fushën e historiografisë, që jemi formuar e frymëzuar nga mendimi, nga vepra e nga puna e tij kolosale.

Unë do t’i kujtoj përherë me dashuri e me nostalgji takimet e bisedat thuajse të përditshme së bashku me prof. Myzafer Korkutin, në Akademi, në Institut e në kafen afër shtëpisë, por dhe në shtëpi kur gjendja shëndetësore nisi të rëndohej. Korkuti dhe bashkëpunëtorët e tij në Akademi kanë një meritë të madhe që bënë çmos që veprat kryesore të profesorit të botohen sa ishte gjallë, që ai të ndjente kënaqësinë që ndjen autori kur vepra shkon në destinacion, tek lexuesi, që në këtë rast i priste me padurim. Takimet, bisedat e diskutimet mbi çështjet e historisë kanë qenë për ne një shkollë më vete, një shkollë e vërtetë. Ai ishte një bashkëbisedues i këndshëm, që të tërhiqte vëmendjen e të mahniste me kulturën, por dhe me mënyrën e komunikimit e të shpjegimit të gjërave. E gjithë jeta e profesorit, e pasqyruar dhe në kujtimet e botuara para pak kohe nga Akademia e Shkencave, përbëjnë një objekt të veçantë studimi e përfitimi, sidomos për gjeneratat e reja të historianëve. Ai ishte i lidhur ngushtë me jetën, me njerëzit, me preokupimet e me hallet e tyre. Shkrimet dhe analizat mbi dukuritë e jetës shoqërore e politike priteshin me shumë interes nga njerëzit, që dëshironin e uronin ta kishin edhe shumë e shumë vite të tjera, pasi ato u ngjallnin shpresën e lëkundur për shkak të politikave që u ndoqën në këto vite të tranzicionit, për të ardhmen e vendit, të cilën profesori gjithsesi e shikonte me optimizëm.

Unë kam pasu lidhje e komunikim të vazhdueshëm me profesorin. Edhe pasi u largova nga vendi, ato nuk u shkëputën e nuk u ndërprenë. I telefonoja vazhdimisht nga përtej oqeanit; pyetja e parë e profesorit gjithnjë ishte: “Kur do të vish”. Sa më shumë kalonin ditët e vitet, aq më shumë e ndjente nevojën për t’u parë e për t’u çmallë, me shokë e me miq, të vjetër e të rinj. Shtëpia e profesorit nuk pushonte nga vizitat e tyre, një traditë e krijuar që kur ishte gjallë gruaja e tij, Neta e dashur, një grua e rrallë që u nda nga jeta gati njëzet vite më parë. Vinin këtu për ta takuar e për të biseduar me profesorin njerëz të njohur e të panjohur, nga Tirana e nga rrethet, nga Shqipëria, nga Kosova e nga diaspora.

Atë mëngjes, sapo mora lajmin, ashtu i tronditur siç isha, gjëja e parë që bëra ishte telefonata në familjen e profesorit, për t’i shprehur ngushëllimet e rastit. Por, ajo është pak, fare pak nga sa dëshiroja. Do të doja të ndodhesha aty, pranë tij, për të hedhur një grusht dhe mbi varrin e profesorit dhe mikut tim, këtij historiani të madh të kombit, këtij shenjtori të historisë, për t’i dhënë lamtumirën e fundit e për të ndarë dhimbjen me kolegët e miqtë e tij të shumtë. Por, në kushtet që ndodhesha shumë larg vendit, ajo mbeti vetëm një dëshirë e një brengë. Unë jam i bindur se me kalimin e viteve, ne të gjithë do ta ndjejmë akoma më shumë nevojën për Kristo Frashërin. Por do të jenë veprat e tij që do të na vijnë në ndihmë, për të qetësuar disi shpirtërat tanë, për të plotësuar disi mungesën. Ato do të na mbajnë në kontakt të vazhdueshëm me profesorin; përmes tyre do të kujtojmë vitet e shkuara, të mbushura me punë, me disku-time e me debate, për çështjet e historisë por dhe për zhvillimet e sotme. Preokupimi i vetëm e i përhershëm i profesorit ishte që t’u lihej brezave një histori e vërtetë dhe jo e sajuar, një histori objektive, e pa politizuar dhe e pa deformuar, por këtë e bëjnë njerëzit idealistë e të ndershëm, siç ishte ai. Profesori punoi gjithë jetën, e megjithatë pasuria e vetme që la janë veprat e botuara, tashmë pronë e masës së gjerë të lexuesve, e vetmja pasuri që lënë zakonisht njerëzit e mëdhenj. Ai kishte shokë e miq të shumtë, por nuk kishte armiq. Ai kishte kundërshtarë në debate për pikëpamjet mbi historinë, një gjë e natyrshme dhe e dobishme për shkencën, pa të cilën ajo nuk bën dot përpara. Por, këto ditë të dhimbshme, edhe ata kanë ulur “armët” në respekt e në nderim të profesorit, të veprës së tij, e cila të paktën një gjë u ka mësuar, që dialogu e debati nuk bëhen me sulme e me sharje, por me argumente shkencore, logjike. Vetëm kështu arrijmë të kuptojmë, të njohim e të çmojmë njëri-tjetrin, por dhe të bashkojmë forcat për ta çuar përpara shkencën historike.

Mesazhi që percjellë vepra shkencore e profesorit është i thjeshtë por njëherësh dhe i madhërishëm: ”Duajeni këtë vend të bekuar, theksonte vazhimisht profesori; mos rreshtni së punuari e së luftuari për ta forcuar e begatuar atë, se është vendi ynë, është vendi i të parëve tanë; duajeni dhe çmojeni historinë se është historia e jonë, e të parëve tanë. Ajo na ka mbajtur gjallë edhe në momentet më të rënda me të cilat na ka përballur jeta”. Këto porosi, e tërë vepra shkencore e profesorit do të frymëzojë brezat e rinj për punë, për krijimtari, për përkushtim e angazhim në frontin e dijes, në veprimtarinë prodhuese e krijuese, intelektuale e shoqërore, që ky vend të forcohet e të begatohet siç e meriton populli i tij i mrekullueshëm, nga gjiri i të cilit kanë dalë njerëz të mëdhenj. Njeri prej të cilëve, padyshim ndër më të mëdhenjtë është dhe historiani, profesori dhe akademiku Kristo Frashëri.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …