Jakup Krasniqi: Dhimbja e madhe e Drenicës bashkoj kombin

Jakup Krasniqi: Dhimbja e madhe e Drenicës 22 vjet më parë bashkoi kombin

Sot po e përkujtoj 22 vjetorin e rënies,  së dëshmorëve e martirëve duke rikujtuar ato ditë të vështira, me fjalën që mbajta në ditën e varrimit të Deshmorëve e martirëve të Kombit!

DHIMBJA E MADHE E DRENICES BASHKOI KOMBIN

Të nderuar bashkëkombës të Qirezit e Likoshanit: në emër të subjekteve politike dhe asociacioneve tjera të Gllogocit ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. Vëllezër dhe motra Jemi tubuar sot në këtë tubim të madh mortor për të shprehur dhembjen e madhe shpirtërore për martirët e Drenicës legjendare, për dëshmorët e pavdekshëm te lirisë, e të ardhmërisë dhe njëkohësisht për të shprehur, më shumë me pjesëmarrjen e heshtjen tonë indinjatën ndaj armikut të egër e barbar, si dhe përkrahësve të tij kudo që janë.

Ka kohë që subjektet tona politike të të dy komunave drenicase i kanë tërhequr vërejtjen faktorit politik kosovar opinionit të vendit dhe atij botërorë se veçimi i Drenicës, me një rreth të hekurt është një ogur i zi. Dhe u deshtë që hordhitë kriminalo-banditeske, pushtetaro-paramilitare të bëjnë masakër mbi familjet e pambrojtura shqiptare që parti politike dhe individë me ndikim të thirrin popullin shqiptar për të protestuar masovisht e me dinjitet kundër dhunës dhe terrorit që u ushtrua në Drenicë edhe njëherë si shumë herë deri më tani u pa si në dritën e diellit se populli është i bashkuar, veçse liderët duhet të lirohen nga bajraktarizmat dhe dëshirat për të ushtruar pushtet në shtetin e okupuar.
Në këtë dhembje të madhe me Drenicën, është e tërë Kosova, është edhe tërë Shqipëria. Dhe të shpresojmë që Drenica mos të jetë vetëm shtylla kryesore në pararojë të nderit dhe dinjitetit kombëtar, por të jetë edhe katalizatori më i fuqishëm i bashkimit kombëtarë të partive, liderëve dhe forcave të tjera të hapësirës mbarëkombëtare. Bashkimi kombëtar në çdo kohë është i nevojshëm dhe gjithherë është shprehës i fuqisë sonë. Por, sot në kohë të marrë me rreziqe të mëdha, të befasishme e tinëzare, kur nuk dihet si të zë mbrëmja a të çelë agu.

Bashkimi është ilaçi më i mirë për plagën tonë shekullore – përçarjen. Le të më lejohet që nga ky tubim i madh mortor, nga ky tubim i dhembjes së madhe kombëtare edhe në emrin tuaj t’ua tërheqim vërejtjen e fundit të gjithë atyre që vazhdojnë t’i shërbejnë një armiku kaq të egër e barbar.

Gjithashtu i’u tërheqim vërejtjen të gjithë mekanizmave ndërkombëtarë, OKB-së, KS, pastaj SHBA-ve, BE-së, PE etj. Që t’i respektojmë kartat e dokumentet e ndryshme, që nga ajo e Atlantikut e deri te këto të Helsinkut e të Parisit, që edhe vetë janë hartues dhe nënshkrues të tyre. Kemi bindjen e plotë se në asnjë dokument valid të përmendur, mbrojtja e pragut dhe dinjitetit kombëtar s’mund të vlerësohet vepër terroriste. Asnjë luftë çlirimtare, në asnjë vend të botës nuk është cilësuar terroriste, as lufta e jonë s’është tjetër veçse çlirimtare. Po të donim ta ushtronim terrorizimin sigurisht se nuk do te bënim në shtëpitë tona do ta bënim në Serbi. Serbia ka mjaft qytete të pastra serbe etnikisht a mund të quhet terrorist njeriu i vrarë brenda pragut të shtëpisë?

Me 28 shkurt 1998, në Likoshan dhe Qirez soldateska serbe pas një ndeshje disfatore që pati me UÇK-në, ushtroi dhunë dhe terror mbi popullsinë e pambrojtur dhe masakroi dhjetëra veta të moshave të ndryshme duke treguar edhe një herë para botës se ushtari e polici serb janë trimosh vetëm kur luftojnë me njerëzit duarthatë, duke treguar edhe njëherë para botës se diplomatë e burra shtetëror nuk duhet të kenë kurrë për nder të përshëndetën e të rijnë gju me gju me kryebanditin e bandave të Serbisë – Millosheviqin.

Po ndahemi nga Ju, o martirë të kësaj toke me dhembje të mëdha shpirtërore se zemra të thyera, pse nuk patëm mundësi e ndoshta edhe guxim njerëzor t’iu vinim në ndihmë atëherë kur mund t’iu ndihmonim. Po ndahemi nga ju, me shpresë e dëshirë që gjaku i juaj i derdhur, brezave t’u bëhet dritë, dritë për të ndriçuar rrugën e lirisë rrugën e ardhmërisë sonë. Po ndahemi nga ju edhe me një të madhe shpresë që këtë bashkim të cilin po e shprehim, edhe më fuqimisht për të madhen fitore.

Lavdi e përjetshme ! Paçi të lehtë dheun e tokës nënë!

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …