Është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, kryesuar nga kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, në të cilën u shqyrtuan disa çështje nga fushëveprimi i Bordit.
Fillimisht, anëtarët e Bordit u njoftuan për gjendjen aktuale të lumenjve në komunën e Mitrovicës dhe dëmet e shkaktuara nga dalja e lumenjve jashtë shtratit të tyre, si pasojë e reshjeve të pandërprera gjatë ditëve të shkuara.
Për situatën aktuale raportoi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj. Ai tha se gjendja ka filluar të stabilizohet, pasi që edhe reshjet janë ndalur. Sipas tij gjatë dy ditëve të fundit Sitnica ka vërshuar disa qindra hektarë tokë të punueshme dhe rreth dhjetë shtëpi në lagjen “2 Korriku” dhe në fshatin Frashër.
Dragaj tha se dëmet e shkaktuara nga vërshimet, në krahasim me vitin e kaluar kur po ashtu pati vërshime, janë dukshëm më të vogla. Ai shtoi se drejtoria gjatë gjithë kohës ka qenë e mobilizuar dhe se ka intervenuar atje ku ka pas nevojë.
Në këtë takim Bordi i drejtorëve mori vendim që të mbuloj shpenzimet për transportin e nxënësve të një lagje të fshatit Kaqandoll, të cilët për të ndjekur mësimet duhet të udhëtojnë për çdo ditë nga 10 kilometra, në të dyja drejtimet, me ç’rast edhe janë të rrezikuar nga egërsirat e shumta që gjenden në malet e atjeshme.
Në vazhdim Bordi dha pëlqimin për formimin e komisionit prej pesë anëtarëve për evidentimin dhe regjistrimin e pasurisë jofinanciare nën menaxhimin e komunës.
Po ashtu, Bordi diskutoi edhe për çështjen e mirëmbajtjes (pastërtisë) së hapësirave në objektet e institucioneve komunale. Me këtë rast u vlerësua se kompania e kontraktuar nuk është duke i kryer obligimet e veta ashtu si duhet, andaj edhe ekziston mundësia e shkëputjes së kontratës.
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri edhe në këtë takim kërkoi nga drejtorët e drejtorive që të jenë më të përkushtuar në kryerjen e obligimeve të tyre dhe sidomos të jenë të kujdesshëm sa i përket çështjes së skadimit të kontratave me operatorët e ndryshëm, në mënyrë që të mos shkaktohen probleme të panevojshme.