leoni

Selatin Novosella: TË BOTOHET VEPRA LETRARE DHE PUBLICISTIKE E ADEM DEMAÇIT NË 40 VËLLIME

(Fjalë e mbajtur në ekspozitën tematike “KUJTESA E KOSOVËS: PORTRETE TË ADEM DEMAÇIT NË PIKTURË DHE FOTOGRAFI” e organizuar nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë, më 26 shkurt 2020, në ditëlindjen e 84 të Adem Demaçit)

 

Përshëndetje!

Na ka tubuar sot Adem Demaçi, ashtu siç na ka tubuar gjatë gjithë jetës së tij, qoftë me praninë e tij, qoftë pa praninë e tij fizike, për 28 vite sa ia po i vuante burgjet serbe dhe jugosllave. Kështu do të na tubojë gjithnjë jeta e tij, shembulli i tij, sakrifica e tij, vepra e tij, misioni i tij historik, vizioni i tij politik, filozofia tij jetësore, mendja e tij paravajtëse, testamenti dhe amaneti i tij.

Trashëgimia poliedrike dhe polivalente e Adem Demaçit është kolosale. Në Shoqatën e të Burgosurve Politikë të Kosovës, gjatë një pune të pandërprerë hulumtuese, janë grumbulluar, sistemuar dhe studiuar:

33 vepra të botuara dhe të ribotuara të Adem Demaçit.

3 vepra të përkthyera nga letërsia botërore nga Adem Demaçi.

4 libra me intervista të Adem Demaçit.

5 romane të Adem Demaçit të përkthyera në italisht, në gjermanisht, në maqedonisht dhe 2 në esperanto.

31 monografi kushtuar jetës dhe veprës së Adem Demaçit.

497 libra në të cilat flitet edhe për Adem Demaçin.

125 CD me materiale të ndryshme të Adem Demaçit dhe për Adem Demaçin.

155 poezi kushtuar Adem Demaçit.

26 këngë kushtuar Adem Demaçit

30 piktura dhe vizatime kushtuar Adem Demaçit.

Rreth 200 revista dhe gazeta, me shkrime të Adem Demaçit dhe për Adem Demaçin.

Rreth 10.000 faqe me dokumente arkivore, dorëshkrime të Adem Demaçit, programe politike, statute të organizatave, intervista, fjalime, analiza, deklarata, letra të Adem Demaçit nga burgu etj.

Gjatë kësaj pune hulumtuese, siç u tha më lartë, janë sistemuar edhe fotografi të panumërta, piktura dhe vizatime, një pjesë e të cilave janë prezantuar në këtë ekspozitë të titulluar “KUJTESA E KOSOVËS: PORTRETE TË ADEM DEMAÇIT NË PIKTURË DHE FOTOGRAFI”, pikërisht në ditëlindje e 84 Bacës sonë të çmuar, Adem Demaçi.

Në shekullin e njëzet Kosova i dhuroi historisë sonë kombëtare tri personalitete unike dhe të papërsëritshme: Hasan Prishtinën – ideatorin e lëvizjes irredentiste shqiptare, rrymë politike e lindur në jetën tonë kombëtare pas mbetjes së Kosovës dhe Viseve tjera jashtë trungut të atdheut tonë të shtrenjtë,  Shqipëri; Adem Demaçin  – vazhduesin besnik të kësaj filozofie politike, siç do të thotë  edhe ai vet me një rast, se: ”gjithë jetën e kam ndie veten një ushtar të vogël të Hasan Prishtinës”, kurse ne do të thoshim ushtar i madh i Hasan Prishtinës, Përfaqësuesi dhe  – Adem Jasharin, realizuesin e projekteve të dy të parëve.

Sa herë të përmendet romansieri i parë, i pjesës së letërsisë shqipe jashtë Shqipërisë së shtetëzuar, do të na kujtohet Adem Demaçi dhe romani i tij i famshëm “Gjarpërinjtë e gjakut”.

Sa herë të përmenden fjalët e një të burgosuri politikë, të thëna para Gjyqit të Qarkut të Prishtinës, në janar të vitit 1959: ”Po ju them edhe njëherë se, nëse Serbia dhe Jugosllavia vazhdojnë me këtë politikë ndaj shqiptarëve dhe nuk lejojnë që Kosova dhe viset tjera të pushtuara nga Jugosllavia të bashkohen me shtetin anë, Shqipërinë, nuk do të ketë paqe as në Jugosllavi as në Rajon. Nëse Serbia vazhdon me këtë politikë, një ditë ajo do të bëhet shkaktare e shpartallimit të krejt Jugosllavisë dhe, në fund, do të mbetet edhe pa Kosovën!” do të na kujtohet Adem Demaçi, atëherë vetëm 23 vjeçar.

Sa herë të përmendet kampioni i burgjeve të pushtuesit të shqiptarëve, burgje që zgjatin 28 vite, të mbajtura në Burgun e Podujevës, të Prishtinës, të Mitrovicës së Sremit, të Nishit, të Pozharevcit dhe të Stara Gadishkës, prej të cilave do t’i vuaj 6 vite e gjysmë në qelitë nën dhe, plotësisht i vetmuar, gjithsesi do të na kujtohet Baca ynë i çmuar Adem Demaçi.

Sa herë të ligështohemi, në udhëkryqet e jetës, do të na kujtohet mendimi i artë i Bacit: “Jeta është një maratonë që, për të arritur në cak, duhet të vraposh, nëse nuk mund të vraposh atëherë ec, nëse nuk mund të ecësh atëherë shko në këmbë e duar!”

Sa herë të kujtojmë luftëtarin e betejave të panumërta, se me 100 plagë në trup e në shpirt, po vihej në kreun e udhëheqjes politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në luftën e fundit ballore  Kosovë – Serbi, do të na  kujtohet, gjithsesi, Baca ynë i shtrenjtë Adem Demaçi.

Sa herë që na zbehet dashuria ndaj Atdheut tonë, atdheut të  gjithë shqiptarëve, Shqipërisë, duhet të na kujtohet dashuria dhe adhurimi i Adem Demaçit për Shqipërinë, të cilës, zakonisht, ai i drejtohej NËNA SHQIPËRI!

Sa herë që të kemi nevojë të dimë, se pas cilëve liderë dhe udhëheqës politikë të rreshtohemi, duhet ta rikujtojmë porosinë lapidare të Adem Demaçit: “Ju lutem, mësohuni të shkoni pas ideve e jo vetëm pas individëve. Sepse individët mund të gabojnë, mund të sëmuren, mund të burgosen dhe mund të vdesin, kurse idetë nuk vdesin kurrë!”

Për këto dhe  për shumëçka tjetër duhet ta mbajmë të gjallë figurën e emblematike të Adem Demaçit. Brezat duhet të mësojnë për figurën e Bacës Adem. Figura e tij duhet të prezantohet në Historinë e letërsisë shqipe, në Historinë e të gjitha niveleve të shkollave tona, në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo që jetojnë shqiptarët.

Shumica e njerëzve vdesin. Vetëm të rrallët ndërrojnë jetë, siç ka ndërruar jetë  Baca ynë i dashur Adem Demaçi, më 26 korrik 2018. Andaj, Ai duhet të jetë pjesë e jetës sonë të përditshme.

Sa do të arrihet që Adem Demaçi, Heroi i Kosovës, i dekoruar nga Presidenti i Kosovës, Jakup Krasniqi, Nderi i Kombit, i dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, Doktor Nderi i Universitetit të Prishtinës, fituesi i Çmimit  “Saharov”,  dhe i  çmimeve, dekoratave dhe shpërblimeve të panumërta, kombëtare dhe ndërkombëtare,  të bëhet pjesë e jetës sonë, do të varret nga tre faktorë: një – nga bashkëveprimtarët e Bacit Adem, të cilët  me kujtimet, evokimet dhe shkrimet e tyre do ta bëjnë atë që, për arsye  që dihen, nuk mund  ta bëjë askush tjetër; dy – nga institucionet e shkencës, të artit, të letërsia dhe të kulturës, duke e bërë Jetën dhe Veprën madhore të Adem Demaçit objekt të hulumtimeve, studimeve dhe botimeve të tyre dhe tre – do të varet nga institucionet shtetërore të Kosovës, për themelimin e të cilave, Adem Demaçi kishte kontribuar pakufi. Ai, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, d.m.th., edhe për themelimin e institucioneve tona, vetëm nuk kishte vdekur dhe ringjallur.

Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, me të drejtë, pret nga Qeveria e re e Kosovës që t’i marrë dy vendime. Një – që me akt të veçantë ta themelojë Institutin për Hulumtimin, Studimin dhe Publikim e veprimtarisë së të burgosurve poliitkë të Kosovë, që do të bartë emrin ”ADEM DEMAÇI”, siç e parasheh Ligji për Statusin e të Burgosurve Politikë, të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës shumë vite më parë, dhe – dy që ta mbështes financiarisht projektin për botimin e veprave të zgjedhura të Adem Demaçit dhe për Adem Demaçin, në 40 vëllime.

Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës ka bashkëpunuar me të gjitha Qeveritë e  Kosovës deri tashti, për realizimin e projekteve të saja. Besojmë se, edhe me Qeverinë e re, do të vazhdojmë këtë bashkëpunim, me një ndajshtim se kryministri Albin Kurti ishte ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Adem Demaçit, Përfaqësuesin e Përgjithshëm Politikë të Ushtirsë Çlirimtare të Kosovës, në kohën më të vështirë për Kosovën, deri në burgosjen e tij në Burgun e Pozharevcit, ku Adem Demaçi i kishte vuajtur 10 vite burg të rënd, së bashku edhe me Skender Kastratin, Fehmi Baftiun etj.

Institutin me emrin e Adem Demaçit dhe botimin e kompletit të veprave të Adem Demaçit ia kemi boxh marathonamakut shqiptar.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …