Fazli Maloku

F. Maloku: Në 30-vjetorin e rënies në altarin e lirisë, të dëshmorit, Xhevdet Hasan Breznica (3.12.1967- 1. 2.1990)

(Pjesë nga ditari im)

Magurë, një shkurt 1990

     ” Ditë e bukur pranverore. Rastisi që po këtë ditë të jem në Magurë, ku punoja në detyrën e mësuesit. Po sa zbrita nga autobusi, në rrugën e fshatit takoj qindra protestues, kryesisht të rinj nga fshati Magurë me rrethinë. Pjesën dërmuese i njihja si ish nxënës të shkollës ku punoja, nxënës të shkollave të mesme, studentë, por edhe nxënës të fillores. Në ballë të kolonës Xhevdeti, ish nxënës i imi me shokë. Pas përshëndetjes, i pyeta. Sa kohë keno që protestoni? Përgjigja ishte. “Ka rreth dy orë”. Si për mahi i pyeta. Kush është komandanti këtu? “Të gjithë jemi komandantë “- foli Xhevdeti. Ju parapëlqeva që ta ndërprisnin protestën, nga se e paskeni arritur qëllimin. Nuk mora përgjigje. Rruga e fshatit Magurë i ngjanë patkoit po ta shikosh nga hyrja prej fshatit Sllatinë dhe dalja kah Lypjani. Policët e Stacionit policorë të Magurës (të gjithë shqiptarë, përjashto zv. postkomandantin që ishte serbian) qëndronin të shtrirë në oborrin e Stacionit pa ndërmarrë kurfarë masash!…

       Rreth mesditës, nga Lypjani erdhi “njësia speciale” e policisë serbiane me autoblinda e praga me mitralozë të rëndë. Pasi u pozicionuan në kodrinat e fshatit Magurë, nga ku mund të shihej i tërë fshati me rrethinë si në pëllëmbë të dorës, pa kurfarë paralajmërimi paraprak, shtinë breshëri rafalesh në drejtim të demonstruesve, herë mbi kokat e tyre e herë para këmbëve, duke hedhur edhe gaz lotësjellës! Por ja që njëri nga këta qëlloi më katil se vetë katilët, një dorë gjakësore kriminele qëlloi mbi ta, duke vrarë Xhevdetin e duke plagosur disa të tjerë!! U dëgjuan britma dhe lemeria!! Xhevdeti, ishte goditur me dhjetëra plumba në ballë e kraharor! Pranë tij i plandosur fëmija 10 vjeçar, Nexhat Shala, të cilin fati e deshi dhe nuk e kapen plumbat. Trimat nuk u hutuan për asnjë çast. Morën të plagosurit dhe me shpejtësi rrufeje i dërguan për Prishtinë. Trupin e Xhevdetit e vendosen në funeralin, i cili përherë qëndronte varur në muret e xhamisë së fshatit. E mbuluan me flamur kombëtar duke e nisur për në familjen  në fshatin e tij, Dobrajë e Madhe. Policia fashiste serbiane, u tërhoq me shpejtësi në drejtim të Lypjanit, duke shtirë rafale të pandërprera mbi çatitë e shtëpive buzë rrugës. Në lëndinën e bukur të fshatit mbeti vetëm gjaku i njomë i Xhevdetit dhe shokëve të plagosur. Toka shqiptare u vadit me gjakun e djalërisë shqiptare, të cilët nuk kërkonin asgjë më shumë se që kishin të tjerët: Liri, Barazi, Kosova Republikë…

         Shtëpia e xha Hasanit ishte në hyrja të fshatit, po të hysh nga Magura. Trupi i xhevdetit në arkivolin e mbuluar me flamurin kombëtar në përcjellje të djalërisë liridashëse u futen në oborrin e shtëpisë së tij. Xha Hasani qëlloi ulur në drutë stivë, i cili pak më parë kishte ardhur nga burgu i Smrekovnicës, në të cilin kishte mbajtur 60 ditë burg, si grevistë me qindra minatorë të tjerë. U ngrit në këmbë. U përul pranë arkivolit plot dinjitet, si një shkëmb graniti para trupit të birit të vrarë, duke e puthur në ball tha: “NË GJAKUN T’ËND SHOH LIRINË”, kështu foli xha Hasani, pa iu dridhur buza e pa i dalë loti! Në të njejtën mënyrë veproi edhe nënë Azeminja. Të gjithë ne qanim. Xha Hasani me bashkëshortën Azeminen ngushlloni e përqafonin shokët e Xhevdetit, duke iu dhënë kurajo. Ajo që qajti me zë ishte motra e vogël dhe e vetmja e Xhevdetit, Makfirja. I ra sipri të vëllait, si dikur motra e Avdisë, në këngën e Osa Kukës…”

     Xhevdet Hasan Breznica, lindi më 3 dhjetor 1967, në fshatin Krojmir (ish Dobrajë e Madhe-FM), komuna e Lypjanit, nga babë Hasani dhe nëna Azemine. Xha Hasani me bashkëshortën Azemine, linden gjithsej gjashtë fëmijë, pesë çuna e një gocë. Familja Breznica ka gjenezën nga fshati Breznicë (Sanxhaku i Nishit) dhe nga aty në vitet 1875-78, si qindramijëra familje shqiptare u detyruan dhunshëm para tytave e hanxharëve të ushtrisë serbiane, ta lëshonin vendlindejen e tyre shekulore dhe të vendoseshin të vendoseshin anë e kënd Kosovës. Po thuaj i gjithë fshati Krojmir, njëri nga më të mëdhat në komunën e Lypjanit, përbëhet nga “muhaxhirët”, të cilët me fanatizëm e nostalgji ruajtën mbiemrat e fshatrave nga kishin ardhur: Breznica, Llugiqi, Berbatovci, Zhegrova, Stullca…etj.

  … Të gjitha përgatjet për varrimin e dëshmorit, Xhevdet Breznica, tashmë kishin përfunduar. Ishte marrë vendimi që para se të varrosej trupi i Xhevdetit të dërgohej në fshatin Magurë, në vendin ku ishte vrarë një ditë më parë. Pushteti pushtues kishte marrë informata nga bashkëpuntorët shqipfolës për planin tonë dhe na ishte përcjellur kërcënimi disa herë se “në rast se do të sillej trupi i armikut të vrarë në fshatin Magurë, do të jeni të gjithë të vrarë, jo nga policia, por nga serbo-malaziasit vendorë, të cilët ishin të armatosur! Kjo polici e cila na vrau ditë më parë, tani kujdeset për sigurinë tënë!! Me gjithë rreziqet që i kishim parasysh, trupi i Xhevdetit u vendos në rimorkio të traktorit, dhe kolona prej mijëra shqiptarësh të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare nën pushtimin jugosllav, marshoi me dinjitet në drejtim të Magurës. Traktori u ndal në lëndinën e bukur të fshatit Magurë, ku ishte ende i njomë gjaku i Xhevdetit. Ashtu siq ishte paraparë, u lexua një shkrim( i hartuar e i lexuar nga autori i këtij teksti) mbi jetën dhe veprën e Xhevdetit, duke e denoncuar me shprehjet më të rënda pushtetin pushtues dhe pçolicinë vrastare e kriminale të kriminelit Millosheviq. Pastaj, kolona vazhdoi për në fshatin Kroimir. Pranë trupit të Xhevdetit, atdhetari i shquar, prof. Avdi Kelmendi, bëri thirrjen vëllezërore që dy kryefamiljarët e dy familjeve: Bahtiri e Zhegrova, të hasmëruara vite më parë, e që s’kishte arritur askush t’i pajtoi. Në respekt të gjakut të dëshmorit dhe duke përkujtuar se “Atdheu Ndodhet Në Rrezik”, t’ia shtrijnë dorën e pajtimit njëri-tjetrit. Dhe kush do të mund të ti rrezistonte këtij apeli?! Kështu edhe ndodhi. Ky ishte njëherit pajtimi i parë në gjithë Kosovën për të vazhduar më pastaj si “Lëvizje e Pajtimeve të Gjaqeve e Ngatërresave”. Kështu trupi i gjakosur i dëshmorit, ende pa u mbuluar me dhe, mbylli një plagë gjaku, nga shumë plagë që i kullonin popullit dhe Atdheut.

    Qëllimi i këtij demonstrimi, përmes varrimit të dëshmorit, Xhevdet Breznica, ishte që pushtuesit serbi t’i bëhej e qartë se shqiptarët nuk iu frikësohen plumbave dhe se aty ku bie një lule e rinisë shqiptare, mbijnë për një herë qindra e mijëra të tjerë. Vëlla Xhevdet u flijua në moshën 22 vjeçare, mu në lulen e rinisë nga gjaksorët serbianë!

     Brezi i ri, që po rritet në Kosovën e lirë, sot po frymëzohet dhe po kalitet krenarë, të bindur se as kush kurrën e kurrës nuk do të guxojë të shkeli apo të nëpërkëmbi gjakun e pastër si loti të dëshmorëve të kombit të të gjithë brezave. Njëherit, brezi i ri, duke respektuar dëshmorët, ua bën me dije si miqëve, po ashtu edhe armiqëve, se kurrën e kurrës më shqiptarët nuk do të lejojnë që dikush t’ua cenojë lirinë dhe integritetin territorial vendit të tyre.

             Lavdi dëshmorit, Xhevdet Hasan Breznica!

             Lavdi dëshmorëve të kombit të të gjitha brezave!

             Rroftë populli shqiptar!

             Rroftë Shqipëria Etnike!

PS

Letra e lexuar në fshatin Magurë, pranë trupit të dëshmorit, Xhevdet H. Breznica,

është hartuar dhe lexuar nga autori i këtij shkrimi. Origjinali i letrës së lexuar, i shkruar me dorë, në fletë fletoreje nxënësish, ruhet edhe sot në ditarin e autorit të tekstit. Në këtë ceremoni të datës 2 shkurt 1990, për dëshmorin,

Xhevdet H. Breznica nuk është lexuar diçka tjetër apo nga dikush tjetër.

Fazli Maloku, Prishtinë

Datë, 29 shkurt 2020

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …