Naxhije Doqi

NEHAT JAHIU: Naxhije Doçi, krenaria jonë kombëtare

Të gjithë ata që kanë pasur mundësi për të përcjellë veprimtarinë e një femre shqiptare siç është e nderuara Znj. Naxhije Doçi nga Prishtina jo vetëm që do të kishin ndierë kënaqësi shpirtërore nga veprimtaria e saj, por edhe do të ndjeheshin edhe shumë krenare ose krenar, sepse veprimtaria e saj nderon kombin të cilit i takon, nderon popullin e vet, familjen dhe në përgjithësi e nderon vendlindjen dhe atdheun e vet që e lindi, e rriti dhe e deshi dhe sot me gjithë shpirt. Krijuesja dhe atdhetarja Naxhije Doçi nuk ndalet duke dhënë kontributin e saj në shumë aspekte dhe për këtë nuk ka nevojë aq shumë të flitet dhe të shkruhet, sepse për te flasin veprat që ajo ka bërë deri më sot. I tërë opinioni shqiptarë si në trojet tona dhe në diasporën shqiptare, që e kanë përcjellë aktivitetin e saj kanë pasur rastin ta njohin një krijuese të mirënjohur të letrave shqipe, një hulumtuese shkencore, publicistike, kulturore, humaniste etj.

Naxhije Doçi është njëra ndër femrat më të angazhuara në shumë dimensione gjatë jetës së saj dhe kontributi i saj kurr nuk ka munguar me vite të tëra, por nuk mungon edhe në ditët e sotme. Vite të tëra kemi pasur rastin t’i lexojmë veprat e Znj. Naxhije Doçi dhe kemi pasur rastin të shohim dhe të lexojmë tema të ndryshme, të cilat i ka trajtuar dhe kurrë nuk ka ditur të lodhet dhe të ndalet së punuari. Kontributi i saj gjithnjë ka ngelur në veprat që ajo ka i ka bërë deri më tani dhe ky kontribut i krijueses Naxhije Doçi do të jetë një frymëzim për gjeneratat e reja nga brezi në brez.

Edhe unë pata fatin që nëpërmjet krijimtarisë së saj të njihem deri diku me veprimtarinë e Znj. Naxhije Doçi. Njëherit për mua ishte edhe një fat i madh që ta takoja në disa raste nga afër edhe në takime letrare, promovime librash etj., ku mu dha rasti që edhe të bisedoja me te dhe të ndjeja një kënaqësi shpirtërore, si edhe që të ruaja shumë kujtime që do të më mbeten gjithnjë të paharruara. Përshtypjet që mora në këto takime e biseda, si edhe leximi i një numri të librave të saj, të biografisë e të veprimtarisë sa saj në përgjithësi, si edhe të historikut të dhe e familjes së saj, më nxitën gjithsesi edhe që të shkruaj disa fjalë në këtë shkrim timin. Këtë shkrim do të jua ofroj edhe juve të nderuara mike e miq të mi, si edhe mbarë opinionit që do lexojnë këtë artikull timin të shkruar për të nderuarën dhe shumë të respektuarën Znj. Naxhije Doçi.

Të shkruash për personalitet të tilla siç është në këtë rast Znj. Naxhije Doçi na duhen shumë fjalë e fjali për t’i hedhur në faqe të letrës. Na duhen edhe shumë e shumë faqe të tëra për ta përfshirë një biografi dhe veprimtari të begatë të Znj. Naxhije Doçi dhe sipas meje ndoshta përsëri nuk do kishim mundur të përfshinim të gjitha, sepse po e them edhe njëherë se biografia e Znj. Naxhije është shumë e pasur. Por, besoj se në një të ardhme do të shkruhet edhe shumë më tepër se sa është shkruar, sepse meriton shumë e më shumë të flitet dhe të shkruhet për një zonjë shqiptare siç është Znj. Naxhije Doçi. Nga kjo do të thosha shumë i bindur se Znj. Naxhije Doçi është krenaria jonë kombëtare.

JETËSHKRIMI – NAXHIJE DOÇI – PROF. – PRISHTINË

Naxhije Doçi është e lindur në Therandë (Suharekë)–Kosovë, në Familjen atdhetare Bajraktari të Therandës. Kjo familje më së dy shekuj ishte përherë prijatare në luftërat për liri të tokave shqiptare, ndërsa në gjysmën e dytë të shekullit njëzet ishte e përndjekur dhe e burgosur pse vepronte me përkushtim të madh për t’u çliruar nga pushtuesi serb në Kosovë. Babai i saj, Destan Bajraktari, profesor, ishte i anatemuar nga pushtuesi serb, i burgosur politik, dhe autor i më se 40 veprave poetike e folklorike.

Naxhije Doçi është e martuar me Prof. Dr. Rexhep Doçi dhe jeton në Prishtinë me familjen. Ka tre djema dhe të tretë janë të shkolluar dhe me përgatitje të larta universitare, si edhe me tituj të lartë shkencorë. Të tre djemtë janë të martuar dhe i kanë edhe familjet e tyre.

SHKOLLIMI I KRIJUESES – NAXHIJE DOÇI

Naxhije Doçi shkollën fillore e kreu në vendlindje, në Therandë, të mesmen, Normalen në Prizren, Fakulteti Filologjik – Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Prishtinë. Gjatë shkollimit të saj fillor dhe të mesëm, që nga klasa e pestë e shkollës fillores, kur edhe ia kishin burgosur babin dhe xhaxhallarët, ishte përherë e diskriminuar nga pushtuesi serb në Kosovë. Të njëjtin fat e kishin pasur edhe fëmijët të tjerë të Familjes Bajraktari të Therandës, se i konsideronin të familjes reaksionare, që e kundërshtonin pushtuesin serb në Kosovë. Naxhije Doçi edhe pse ishte ndër femrat e para në Komunë të Therandës që ia kishte mësyrë rrugës së shkollimit të mesëm, pushtetarët serbë në Therandë, të përkrahur edhe nga disa shqiptarë, nuk kishin lejuar që t’i ndahej bursa për shkollim. Kishte bërë asokohe Kërkesë, sipas Konkursit të shpallur në Gazetën “Rilindja” edhe nëpër shumë Komuna të tjera të Kosovës, që t’i ndahej dikund një bursë, por kot. Nga të gjitha kishte marrë përgjigjen e njëjtë: Rridhni nga Familje Reaksionare!

Përkundër kësaj, pra me gjithë pengesat e natyrave të ndryshme për shkollim, Naxhije Doçi do ta kryej shkollimin e mesëm dhe atë me diplomim të shkëlqyeshëm. Asnjëherë nuk u step nga rruga e nisur për shkollim dhe as nuk u demoralizua për pengesat e shkaktuara. Do ta kryej pastaj edhe fakultetin, po ashtu me sukses të dalluar. Do të vazhdojë edhe me studimet post diplomime dhe si temë të dëshiruar e kishte zgjedhur “E folmja e Suharekës dhe etnografia”, për të cilën temë edhe kishte mbledhur material të shumtë në terren. Nga ai material i mbledhur shpesh herë ka bërë edhe shkrime në Gazetën “Rilindja” dhe në “Fjala”

Naxhije Doçi është e martuar me Prof. Dr. Rexhep Doçi dhe jeton në Prishtinë me familje. Ka tre djem, të tretë të shkolluar me përgatitje të larta profesionale, si edhe me tituj të lartë shkencor. Të tretë po ashtu edhe familjarë dhe me trashëgimi të mbarë.

PUNËSIMI: NAXHIJE DOÇI PROFESORESHË E GJUHËS SHQIPE

Naxhije Doçi ka punuar mbi 30 vjet profesoreshë (10 vjet) në shkolla fillore të Prishtinës dhe të tjerat në Shkollën e Mesme Teknike “28 Nëntori”- Prishtinë. Ishte përherë e përkushtuar për profesionin e zgjedhur, nga se nxënësit për të ishin krenaria e ardhmërisë së Kosovës. Përpos mësimi të rregullt përlotë suksese, përherë ka organizuar me nxënës edhe Recitalin e Shkollës dhe me këtë recital është bërë edhe gara në nivel shkollash të qytetit, si edhe në nivele komunale. Ka organizuar edhe Aktivitetin Letrar, ku dëshmoheshin nxënësit-talent të shkollës, punimet e të cilëve botoheshin për fillim në Gazetën e Murit, e me kohë edhe në Revistën Letrare të shkollës përkatëse. Kjo ishte një kënaqësi për nxënësit, edhe aktivitet i dalluar për shkollën.

Për Naxhije Doçin jeta si profesoreshë i kishte mirësitë dhe krenaritë e veta. Përveç kësaj i kishte edhe peripecitë e veta, se Kosova dhe populli shqiptar i saj rënkonin nën pushtimin serb. Trysnitë dhe padrejtësitë serbe në Kosovë secilën ditë e më shumë, shtoheshin. Nga pamundësia e durimit të së keqes së pa ndalur në mënyra të ndryshme, shtoheshin edhe pakënaqësitë e shqiptarëve kundër pushtuesit serb.

Në vitet e 80-ta në shkollën ku punonte, tani Shkolla e Mesme Teknike “28 Nëntori”- Prishtinë, Naxhije Doçi për shkak të reagimeve ndaj ndëshkimit të nxënësve shqiptarë, që dilnin në protesta kundër pushtimit serb në Kosovë, bije në sy për të keq tek administrata e shkollës dhe më gjerë. Reagimet e saj vazhdojnë edhe në kohën e ndryshimit të amendamenteve kushtetuese në vitin 1989 në Kosovë, segregacionit në shkolla dhe helmimit të nxënësve shqiptarë nëpër shkollat e Kosovës, më 1990. Në klasën ku ishte kujdestare e klasës i helmohen 23 nxënësve nga helmet toksike misterioze serbe dhe me ndihmën e nxënësve të paprekur nga helmimi i bartë me veturën e vet nxënëset e helmuara të klasës, as të gjallë e as të vdekura, për t’i dërguar deri në spital, si edhe nëpër shtëpitë e tyre. Angazhimet dhe veprimet e tilla do të kritikohen rreptë nga administrata diktatoriale e kohës dhe për këtë do të ftohet disa herë në bisedat e ashtuquajtura informative në SUP-in e atëhershëm tmerrues serb në Kosovë, si edhe do të merret vendimi për përjashtim nga puna si profesoreshë. Në vitin 1991 një vendim i tillë makabër do të bastardohet, se tani të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptarë ishin të përjashtuar e të diskriminuar nga e drejta për shkollën shqipe.

Përjetimet e rënda do të vazhdojnë pa ia ndarë për profesoreshën Naxhije Doçi. Edhe gjatë mbajtjes së mësimit nëpër Shtëpitë-Shkolla ajo është torturuar shumë herë fizikisht e psiqikisht prej policëve serbë, që hynin me barbari të paparë edhe në orët mësimore, në Shtëpinë-Shkollë.

SHTËPIA-SHKOLLË – 1992-1999 – Lagja “Kodra e Trimave” – Prishtinë

Menjëherë pas luftës, pra në fillim të vitit 2000 Naxhije Doçi zgjidhet Shefe në Drejtorinë e Arsimit-(DKA) -Prishtinë dhe Zëvendës Drejtor. Ishte vend pune që kërkonte përgjegjësi të madhe dhe përkushtim të veçantë. Gjendja e rëndë fizike e shkollave në Komunë të Prishtinës të shkatërruara nga lufta e pabarabartë serbe në Kosovë, kërkonte urgjencë për sanimin e gjendjes. Duhej gjithsesi adaptimi dhe meremetimi i shkollave, ndërtimi i shkollave të reja në pjesët rurale, reforma në arsim, inventari, kuadri etj. Për të gjitha këto, e edhe për shumë nevoja të tjera, duhej bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit, me OSBE, si edhe me forcat të tjera të akredituara në ndihmesë Kosovës pas përjetimi të një lufte të pabarabartë, çështje të reformës në arsim edhe konsultimi me plan-programet mësimore sipas modeleve të vendeve të zhvilluara.

Foto: Më përkrahje të DKA e MASHT – Vizitë Turqisë për reformën në arsim.

AKTIVITETI POLITIK I PROF. NAXHIJE DOÇIT

Naxhije Doçi që nga viti 1989, pos me aktivitete të organizuara arsimore, është marrë intensivisht edhe me aktivitete politike në të mirë të Kosovës. Ka punuar shumë edhe për shkollimin dhe emancipimin e femrës shqiptare në Kosovë, si edhe për të drejtat e saj. Nuk mund të pajtohej kurrsesi që në Kosovë të ketë vajza dhe gra të pashkolluara dhe analfabete, andaj edhe ka punuar me përkushtim të madh, duke dalë edhe në terren për zbutjen e një dukurie të tillë negative në Kosovë.

– Gjatë dhjetëvjetëshit të gjendjes së luftës në Kosovë, si edhe gjatë luftës së hapur 1997- 1999 ka dalë po ashtu në terren, por tani në ndihmesë luftës çlirimtare për liri të Kosovës. Ka dalë në terren edhe nëpër plumba të forcave serbe për ta vizituar popullatën e zhvendosur shqiptare nga lufta e pabarabartë serbe , si edhe dhe për ta ndihmuar atë. Ka dalë edhe për të mbledhur material nga goja e përjetueseve për dhunën dhe krimet serbe mbi popullatën e paarmatosur shqiptare me gra pleq e fëmijë.

Terreni: NË ODËN HISTORIKE TË FAMILJES JASHARI – PREKAZ – Shtator – 1999

– TAKIM DHE BISEDË ME BESARTA JASHARI

Naxhije Doçi është renditur ndër të parat aktiviste në Lëvizjen Gjithë popullore të vitit 1989, në Kosovë të quajtur pak kohë më vonë Lidhja Demokratike e Kosovës. Është themeluese e Degës së IV të LDK, në Prishtinë dhe më 1992-1997 zgjidhet edhe nënkryetare, si edhe kryetare e FGLDK për këtë Degë. Si pjesë e organizimeve të tilla politike ka punuar shumë dhe me përkushtim të madh, duke u ballafaquar edhe me rreziqe të shumta të shkaktuara nga pushtuesi barbar serb në Kosovë.

Pas luftës zgjidhet sekretare gjenerale e FGLDK dhe kryetare e Degës së II të FG, në Prishtinë. Nga viti 2010 dhe aktualisht është nënkryetare e Forumit të Gruas të LDK. -Më 2004-2008 zgjidhet deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

NAXHIJE DOÇI DEPUTETE NË KUVENDIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

– Më 2005 shpallet Ambasadore e Paqes Universale në Botë.

– Në Kongresin Mbarkombëtarë të Gruas Shqiptare, mbajtur në Prishtinë dhe Vlorë, në vitin 2012, shpallet:
Naxhije Doçi – Gruaja Shqiptare e Vitit për Kosovë.

Kontributi i politikanes dhe deputetes Naxhije Doçi
për funksionalizimin e ligjit në Kosovën e lirë

AKTIVITETET LETRARE TË KRIJUESES NAXHIJE DOÇI

– Naxhije Doçi është shkrimtare, poete dhe publiciste. Me shkrime ka filluar të merret që si nxënëse e shkollës së mesme, por publikimi e shkrimeve të saja si nxënëse ishin të ndaluara në shtypin e kohës, se sipas pushtuesit serb në Kosovë i përkiste familjare reaksionare që e kundërshton vëllazërim-bashkimin dhe pushtetin popullor në Kosovë. Publikimi i shkrimeve të saj do të marrin hov gjatë dhjetëvjetëshit të fundshekullit njëzet, e sidomos pas luftës së rëndë serbe në Kosovë. Naxhije Doçi shkruan poezi e prozë, si edhe publicistikë. Ka përpiluar edhe tekste shkollore për shkollat fillore në Kosovë.

Naxhije Doçi është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK)

– Anëtare Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë (USHKSH) – Prishtinë.

– Nënkryetare – PEGASI-Kosova dhe anëtare – LNPSHA-PEGASI – ALBANIA

– Anëtare – QKPSHA-Gjakova dhe anëtare e SHSH – Elena Gjika – Therandë.
– Anëtare: Unioni Global i Poetëve Shqiptarë
Anëtare: Shoqata Letrare Artistike “PRINC MUZAKA” – Tiranë-Kosovë

BIBLIOGRAFIA E NAXHIJE DOÇIT

– Naxhije Doçi është shkrimtare dhe i ka të shkruara këto libra:
1. Shpirti i dërmuar-Dhuna serbe ndaj femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999” – Prishtinë-2001 (330 f)
2. Destan Bajraktari folklorist, letrar dhe atdhetar” – Prishtinë -2009, (445 f.)
3. Krimi dhe përdhunimi serb kundër femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999”-Prishtinë-2010 (445 f).
4. ”The Serbian crime and rape against the Albanian Womanin Kosova 1997– 1999” – Prishtinë – 2013 (465 f.)
4. Kohë flakadanësh të lirisë – (Poezi) – Prishtinë-2012, (205 f.)
6. Times of flambeaus of fredoom – Pristinë, 2012 (205)
7. Libri – UDHA E KOMBIT – Ëndërr e dehur e rrënjës” – (Poezi), Prishtinë -2015, (120 f.).
8. Libri (poezi)“Vargëzim mbi gjurmë” – 2017 (120 f.)
9. Libri me poezi “JEH MOTESH” -Prishtinë -2019 (130 f.)
10. Në përfundim libri: “Rrëfimet e disa të mbijetuarve të gjallë të Masakrës së Tivarit”-
11. Libri në përfundim me tregime: “ERRËSIRA NË FLAKËRIM DIELLI”
12. Libri në përfundim me poezi “Rrënja vrushkullon për dritësinë”.

Për librat e shkruara dhe promovimet e tyre, si edhe për aktivitetet tjera më rëndësi ka qenë prezentë në shumë media shkrimore dhe elektronike në Kosovë dhe më gjerë.

DISA PREJ LIBRAVE TË BOTUARA TË AUTORES NAXHIJE DOÇI

INTERVISTË E NAXHIJE DOÇIT në RTK – IMAZH

Intervista në ZËRI I AMERIKËS – Shqip

JANË EDHE INTËRVISTA TË TJERA TË SHUMJTA NË TV, NDËR TË CILAT, SI:
– Intervista në TV-21, në TV-Rrokum, në TV-Dielli, në KTV, në TV-Klan-Kosova etj. Me shkrimet e veta fejtonistike, por edhe me prozë e poezi është gadi e përhershme në Gazetën “Bota Sot. Ishte edhe ne gazetën “Kosova Sot”, si edhe nëpër gazeta e revista letrare të shumta.

  • Naxhije Doçi si krijuese dhe shkrimtare ka marrë pjesë në shumë tubime letrare e shkencore në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri etj., ku edhe ka marrë shumë Mirënjohje, si edhe ka zënë vende:
    – Vendi parë për poezi–Konkurs Letrar: SHSH “Fahri Fazliu” – Kastriot, 02.11. 2016:

    – Vendi parë për poezi-Konkurs Letrar “Ditët e Lidhjes’ – Prizren-10. 06. 2019.
    – Vendi dytë -poezi–Konk Let-QKPSHA “Gjakova”-2014.
    – Vendi i dytë për poezi -Podujevë -18. 08. 2018
    – Vendi i tretë për poezi–Therandë -2014 dhe 2015.
    – Një numër të madh poezish, (diku mbi 40 sish), si edhe shkrime publicistike e etnografike i ka të botuara nëpër Antologji të ndryshme dhe në Revista Letrare e gazeta, botuar në Kosovë dhe nëpër trojet shqiptare. Disa prej tyre i ka edhe të përkthyera.

– Shumë poezi dhe prozë i ka të botuara edhe nëpër portale të ndryshme të pasluftës në Kosovë dhe më gjerë.

– Mirënjohjet, ndër të cilat:
– Mirënjohje ndarë nga shqiptarët e Rumanisë-2018 Titulli: KRENARIA–PEGASI Albania” – Tiranë – 2009

– Titulli – “Publiciste vitit 2013 për Kosovë” – PEGASI – Albania.
– Aktiviste e viti 2014 për Kosovë-Akademia PEGASIANE.
– Mirënjohje “Ulpiana Krenaria jonë”- Komuna-Prishtinë (Drejtoria për Kulturë) -2013
– Mirënjohje “Engjëlli i Ulpianës”–2014 dhe shumë Mirënjohje të tjera, diku mbi 40 sish.
– Naxhije Doçi është autore e shumë fejtoneve publicistike për tmerret e luftës serbe në Kosovë-1999, vlerësimeve letrare e shkencore dhe e punimeve etnografike e gjuhësore.
Naxhije Doçi është recensuese veprash letrare dhe autore tekstesh shkollore:
1. “Fletore pune e gjuhës shqipe”, për klasën e IV.
2. “Fletore pune e gjuhës shqipe”, për klasën e V-të.
3. Libër leximi për klasën e III – “Mësojmë shqip”.

Nehat Jahiu – Shkurt – 2020

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …