Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa ka pritur sot në takim Ambasadoren e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, me të cilën ka biseduar rreth mundësisë së bashkëpunimit në projekte të përbashkëta mes të dyja vendeve. Ministri Mustafa ka falënderuar Ambasadoren për mbështetjen që Franca i ka dhënë në vazhdimësi Kosovës për zhvillimin e sektorëve të ndryshëm, duke përfshirë edhe atë të bujqësisë dhe për gatishmërinë e saj për mbështetjen e projekteve bujqësore të MBPZhR-së.
Me këtë rast, Ministri e ka njoftuar Ambasadoren për projektet që janë në fokus të Ministrisë, siç është ai për zgjerimin dhe rehabilitimin e sistemit të ujitjes së tokave bujqësore dhe rritjes së vlerës të produkteve bujqësore kosovare përmes treguesve gjeografik.
Nga ana tjetër, Ambasadorja Marie Christine Butel, ka vlerësuar gatishmërinë e Ministrit Mustafa për të bashkëpunuar edhe më tej, dhe po ashtu ka ritheksuar edhe njëherë mbështetjen pa rezervë të shtetit të saj për të përkrahur zhvillimin bujqësor të Kosovës përmes projekteve konkrete ne fushat e parapara me plan programin qeverisës.