Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Taksa plus reciprociteti

Kosova dhe politika e saj që nga Konferenca e Rambujesë, Bisedimet e Vjenës dhe deri të Aktvendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të  Drejtësisë, ka bërë shumë kompromise. Kompromise këto të njohura edhe nga Komuniteti Ndërkombëtar, Grupi i Kontaktit e veçmas nga SHBA-ja dhe BE-ja. Prandaj GJND-ja tha se Pavarësia e Kosovës nuk ka ra në ndeshje më Ligjin Ndërkombëtar. Pas kësaj, politika e shtetit tonë nuk ishte në shërbim të shtetit tonë, por të individit. Këto politika fëmijërore kanë krijuar këtë gjendje kaotike brenda kombit.

Në vitin 2012, politika e Kosovës e pat bërë kompromisin më komprementues, kur bisedimet teknike, të kërkuara nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me një Rezolutë jo obligative, pat kërkuar që në mes Kosovës e Serbisë, me mbikëqyrjen e Brukselit të fillonin Bisedimet Teknike, të cilat Bisedime patën filluar në vitin 201, e pas një viti, pa asnjë debat përmbajtjesor u shndërruan ne Bisedime Politike. Kështu për Kosovën e proceset politike u “hap kutia e Pandorës”, nga e cila dolën të gjitha të këqijat dhe në vend të premtimeve e deklarimeve premtuese të qeveritarëve për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, ne, jo vetëm që nuk pamë normalizim, por pamë momente që krijuan situata konflikti e pasigurie në mes Kosovës e Serbisë. E këto të këqija janë bërë një gangrenë rrënuese për politikën tonë të çakorduar, e cila po sillet e pështillet si “çurat në mjegull”?! Kjo u pa edhe në seancën e fundit të Kuvendit që u mbajt më 2 mars 2020, ku u bisedua për “Mos heqjen e Taksës 100%” të vendosur nga qeveria e kaluar për mallrat që vijnë në Kosovë nga Serbia e Bosnja e Hercegovina. E në fakt shumica ishte për heqjen e Taksës?! Ndërsa, politikat e koalicionit qeverisës ishin krejtësisht të çakorduara, siç thuhet dikush thumbit e dikush patkoit.

Të gjithë e dimë, veç atyre që po e fusin kokën në rërë si struci, se Taksa 100%, që u vendosi nga Qeveria e kaluar e Kosovës, nuk ishte masë ekonomike, por ishte masë puro politike. Kush nuk e ka kuptuar këtë, qofshin nga tabori ekonomik apo politik, ata nuk kanë kuptuar asgjë ose dëshirojnë të vihen në shërbim të politikave të huaja. Ndërsa, ne e dimë se në Kosovë kur nuk kanë pushuar aktivitetin argatët e huaj, sado që ata mund të maskohen sot?! Madje sot në Republikën tonë, nuk po kanë ndonjë nevojë për maskim?! Kjo më se miri shihet nga trajtimi që i bëhet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo ka bërë që sot në Kosovë të bëhet çështje: Të hiqet apo të mos hiqet Taksa 100%?!

Nëse, deri me dje, ka pasur ndonjë arsyeje që të diskutohet çështja e Taksës, politika serbe me angazhimet e saja jo vetëm për heqjen e njohjeve, po tregon se mbajtja e Taksës 100% është bërë e pa mjaftueshme. Në një situatë të tillë, Taksës duhet me ia shtuar si përforcim edhe Reciprocitetin politik, ekonomik e diplomatik. Për këto veprime, Qeveria e Kosovës duhet t’i njoftoj: OKB-në, BE-në dhe sidomos SHBA-në. Kosova dhe miqtë e saj duhet ta kenë të qartë se me politika të qullta nuk mund të normalizohen marrëdhëniet me Serbinë e pinjollëve te Millosheviqit.

Bashkë me këtë veprim, jo vetëm politika e Kosovës, por edhe ajo e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në përgjithësi, duhet t’i ndryshojnë të gjitha politikat e deritashme të veprimit, përfshirë edhe politikat e komunikimit në mes krerëve të institucioneve shtetërore. Me politikat e deritashme të konfrontimeve të brendshme, nuk duhet të dalin jashtë kapinxhikut të oborrit.

Shqiptarët, duhet të bisedojnë më seriozisht se kurrë më parë, për sigurinë e kombit në të ardhmen. Për t’u siguruar kombi ynë, është i domosdoshëm bashkimi politik i tij! Koha është që të nisin bisedime serioze për këtë çështje.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …