ADEM JASHARIT-LEGJENDARIT
(Me krenari 9 mars 1998)
Ato ditë kur gjithësia për Ty lutej,
Atë javë kur Zoti për Ty gjykoi,
Shqiptaria të mos frigohej,
Bota demokratike për kombin
Tënd ndryshe të mendojë.
Atë muej kur Zoti i gjithësisë,
Për popullin tënd po lutej,
Atë vit kur populli Yt u nda në dy,
Një palë t` admironte e t` çante,
Një palë të mallkonte e besa mëtej!
E TY liria e kuçe e gjaku Yt i familjes sate,
Të gjitha civilizimet i përshkoi nepër dejë.
Atë ditë kur krenaria Jote u bë NEOLUFTË,
Ta lindë një familje një Epokë të re historike,
Tërë bota për Ty dhe në Ty do të bëjë be,
Sepse asnjë popull si i Bacë Ademë Demës,
Se nxënsit Tuej Adem Jashari s`kanë më u frigua,
Pa bërë luftë për liri dhe për të shtrejtin atdhe,
Kështu është e kështu Epoka në gjithësi po del,
Adem JASHARI -Legjendari shembulli YT për LIRI,
U bë për jetë e mot për tërë Botën model.
ADEM LEGJENDARIT
(Me admirim më 9 mars 1999)
Të dy sytë me bëjnë më tepër dritë,
Edhe pse jam lodhë e vrugnua,
Nga padrejtësitë e robërisë e pas,
Por kur emrin Tënd e ndiej,
Kurrë më krenar nuk bëhem,
Kur e shoh pamjën e JUEJ,
Diersëm e zverdhem mos jam i huaj,
Se kam dëshirë të jam me ty për TY,
Në bylykun e Kombit tuaj.
E Zemra më mbushet diell,
Kur e di se jam i kombit tënd.
Truri më folë Hënë e plotë,
Se në errësirën e robërisë,
Si amanet që e bëre,
Kurrë kombin në robëri ma
S` kemi me ta lënë!
Ndalem e krenohem i lëshoi dy pika lot,
Bacë! Ti edhe sot komandon.
Bacë me gjakun tend një komb
E ke përtrirë mos e harroni,
Nuk jam ai që të përkujtojë
Vetëm në çdo jubile,
Por jam ai që kam ëndrruar kësi heroi,
Prej ditës kur kam folur,
Pse jo edhe prej çastit kur kam le.
NGA SHKOLLA KOMBËTARE E PREKAZIT DERI NË ÇLIRIM
Për ta gjetur rrugën e re, për ta çliruar kombin, Adem Jashari me shokë e panë të nevojshme se duhej lexuar shumë, se duhej mësuar në çdo çast. Ky fakt do të mësohet gjatë qëndrimit për ushtrime ushtarake në Akademinë “Skenderbej”, në Tiranë. Kuptohet, mësuan te profesorët patriotë dhe shkencëtarë të akademisë prestigjioze. Pikërisht për këtë, gjeneratës së Adem Jasharit i duheshin njohuri të plota mbi luftën guerile, e cila nga mësimet në Akademinë “Skenderbej” në Tiranë u kthye në luftë speciale.
Në lidhje me këtë, luftën speciale, komandanti legjendar Adem Jashari filloi ta avancojë duke u mbështetur jo vetëm nga leksionet speciale, jo vetëm në literaturën profesionale ushtarake, por edhe në traditën e ndritur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899), në trimërinë e Ahmet Delisë, Hasan Prishtinës, Kamer Loshit, Azem Bejtës, Ramë Vllasës, Osman Pollatës, Dan Dorocit, Shaqir Igrishtës, Ilaz Raçalkut, Bajram Currit, Nazim Gafurrit, Luftës antifashiste të Emin Durakut, luftës antifashiste dhe antiçetnike të Shaban Polluzhës, në luftën politike të NDSH-së së Halim Spahisë, LRBSH-së së Adem Demaçit e deri te Ruzhdi Xhakja me shokë në Besi (2 prill 1981), e Tahir Meha me familje në Prekaz (13 maj 1981).
Adem Jashari, duke e begatuar traditën e luftës për liri, e lidhi politikën e Adem Demaçit dhe NDSh-ja në rrafshin horizontal dhe vertikal, duke e bërë luftën e drejtë tredimensionale: lartësia, gjerësia dhe gjatësia e saj, e begatuar me moral të pashterur, se nuk i vërsulet askujt që nuk është violentë ndaj atyre që luftojnë për liri, pasi që ishte proklamuar se atdheu – Kosova nuk duron më robëri.
Adem Jasharit, komandantit të një ushtrie në themelim, i interesoi deri në përkushtim politika e Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës. Mësoi për luftën e drejtë dhe rolin e demonstrimit popullor, me theks të posaçëm për demonstratat shqiptare në Kosovë dhe viset tjera të robëruara më 1968. Adem Jashari mësoi se demonstratat e viteve 1981-1989 e kishin një mision civilizues, sepse e nxirrnin popullin nga letargjia dhe politika e diferencimeve dhe e forconin bindjen se çlirimi i Kosovës kërkon sakrifica sublime, duke shtuar se ideologjia nuk mundet të kryej punë aty ku kërkohet të flet gryka e pushkës së orës të Ali Ajetit me shokë.
Adem Jashari në Akademinë “Skenderbej” dhe nga rrethi shoqëror me të cilin jetonte në Shqipëri, sidomos, mësoi se okupatori serbian po i ushtron dy politika robërie ndaj shqiptarëve: me një anë po vret ushtarë shqiptar nëpër kazermat e tyre (1981-1990), në anën tjetër po vret demonstrues civilë në kontiniutet. Lidhur me këtë, vrasja e Jusuf Gërvallës me shokë, vrasja e Enver Hadrit, vrasjet e të rinjve dhe të rejave në vijim në Kosovë, janë një alarm se kombi duhet të zgjohet. Dhe kur të ngritët “opinga dhe hosteni, të huajit nuk do t’i mbetet ma vendi”, me Adem Jasharin-legjendarin në ballë.
Adem Jashari afroi rreth veti një forcë të organizuar djalërie të cilët ishin të dëlirë, sepse prindërit e tyre kishin një shkollë që lirisht mund të quhet se kishte për “kryeqytet” Prekazin. Së këndejmi, lufta e Tahir Mehës për Adem Jasharin dhe ushtarët e tij, ishin pjekë dhe përgatit për një luftë të programuar dhe të komanduar, gjithnjë të drejtë, në çdo aspekt. Së këndejmi, Adem Jashari ishte i udhëzuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që do ta komandojë, nuk guxon të jetë kundër civilëve të cilit do komb, që jetojnë me bindje se të gjithë qytetarët duhet të janë të barabartë. Adem Jashari nuk ka bërë luftë selektive, çdo dhunues të lirisë, qoftë ai sllav apo shqiptar, duhet ta ndiej peshën e luftës prej së cilës kishte krijuar bindje se shteti dhe politika koloniale e atij shteti okupator, do të dalë humbës i dyfishtë. Dhe, doli.
Adem Jashari kishte mësuar në Akademinë “Skenderbej” në Tiranë, se ngritja në kryengritje do përkrahje gjithëkombëtare, do përgatitje teorike dhe praktike, do armatim dhe logjistikë që nuk është në funksion vetëm për një ditë e tri ditë siç ka ngjarë në historinë tonë. Por lufta e Adem Jasharit, lufta e UÇK-së e komanduar nga një institucion ishte e përgatitur që të bëjë sakrifica për një kohë shumë të gjatë. E kur të sigurohet ky qëndrim në masë absolute, paralelisht me këtë, duhet jo vetëm përkrahja verbale, por edhe materiale e miqve që do të sigurohen me luftën tonë politike dhe civilizuese, duke shpjeguar të drejtën shqiptare, si e drejtë imediate dhe e domosdoshme deri në pashmangshmëri.
Historia e UÇK-së gjatë viteve 1992-1999, gjithnjë e më shumë po merrte përmasa të gjëra në lëminë e hulumtimit të shkencave të Historisë, Filozofisë, Politologjigjisë, Sociologjisë, Diplomacisë, Gjeostrategjikë, Etnopsikologjisë dhe të organizimit në përgjithësi, kudo në glob. E tërë kjo, për faktin se u themelua një ushtri që nuk kishte kazerma ushtarke, nuk kishte banka, nuk kishte fabrika armatimi, nuk kishte shtete të fuqishme që e përkrahnin luftën e saj të drejtë, në fillim.
Historikisht pra, UÇK-ja e ka ndarë mendimin për luftën, sepse kjo ushtri e Adem Jasharit, u krijua në kushte speciale për të bërë luftë speciale. E lufta e saj e drejtë do të quhet substancialisht neoluftë, për dallim nga paleolufta.
Në paleoluftë çdo gjë zhvillohet me qëllim kriminal. Paleolufta ishte mizori, që vrasjet në mes palëve ndërluftuese të jenë sa më të mëdha, por që fundi të sjellë jo vetëm fitore ushtarke, por edhe politike, duke krijuar njëfarë miti religjioz, duke i thurë kryeheroit “veprime” imagjinare.
Në neoluftën e Adem Jasharit qëllimi është (i palës që bën luftë të drejtë) që vrasjet të jenë sa më të pakta në numër, në mënyrë që fundi i saj të merret me çështje të viktimave, me çështje të humanizmit të kundërthënieve. E vërteta, për herë të parë (ata që bëjnë luftë të drejtë) në histori, fitimtarët nuk janë më uzurpues të industrisë së kotë siç janë reklamat për ndonjë luftë të re. Por çdo popull i robëruar me neoluftë, vihet në shans dhe në shembull se drejtësia demokratike e jo-totalitarizmi, qoftë i majtë, apo i djathtë, pra të dy ekstremet, t’i fryjnë xhepat e tregtarëve të armëve dhe të sigurojnë para. Neolufta, është pra një filozofi që mund t’i faturohet ushtrisë së Adem Demaçit dhe Adem Jasharit, si parathënie e zbritjes së njeriut nga “ajri në tokë”, për t’u këndellë truri i çdokujt, se edhe tjetri që nuk është si ti, ka të drejtë në jetë, ka të drejtë në çlirim kombëtar dhe ekonomik.
Me fjalë tjera, Ushtria Çlirimtare e Adem Jasharit i ka humanizuar vlerat e luftës, sepse nuk vret e nuk dhunon: civilë, gra, fëmijë, pleq, plaka, njerëz pa armë në dorë. Me fjalë tjera Adem Jashari nuk i kishte rrokë armët me shokë shumë, për ndonjë aventurë. Aventurën e Beogradit UÇK-ja ia faturon okupatorit që nuk po dallonte mjete, duke vrarë e dhunuar civilë (duke synuar spastrim total që shënoi në kulmin e luftës edhe gjenocidin, sepse nga Kosova u detyruan të shpërngulën 985 655 civilë duke u shpërndarë të katër anët e botës. Pra gjenocidi nuk mund t’u përshkruhet rreth 14 000 të vrarëve, por gjenocidi konceptualisht vërtetohet me 1 500 000 shqiptarë të zhvendosur civilë, nga shtëpitë e tyre. E vërteta, Adem Jashari dhe familja e tij famëlartë, kishin pësuar më shumë sepse ishin vrarë e masakruar, gati të gjithë. Edhe më saktë, okupatori për të humbur gjurmë kishte filluar të bartë kufoma nëpër Serbi, për t’i varrosur aty dhe andej kah nuk do të dihej ma kurrë (mars-prill 1999).
Lufta e Adem Jasharit, në anën tjetër kishte adresë, kishte mision e jo fiksion që të vrasë këndo që i del përpara. Mu për këtë, okupatori dhe agjenturat e tij, në bazë të dokumenteve u përkujdes që t’i vrasë disa figura të njohura shqiptare, krejt me qellim që të mbetën enigma, pale mos do të fillohet lufta qytetare ndërshqiptare, e cila do të ishte shumë më e egër se lufta klasike-paleolufta.
Lufta e UÇK-së së Adem Jasharit e ka edhe një çështje dalluese nga ajo që bëri okupatori. Ushtria Çlirimtare e Kosovës-Adem Jasharit nuk rrënon ura, nuk djeg shtëpi, nuk djeg arkiva e biblioteka, nuk rrënon objekte të kultit, nuk lëshon qoftë edhe një plumb mbi objektet që e përfaqësojnë okupatorin, sepse e kishte në ndërgjegje se shqiptarët dhe serbët janë fqinjë. Pra, shqiptarët si autokton mendojnë të jetojnë në trojet e veta, pra nuk rrënojnë asgjë, por okupatori që e ka të qartë misionin dhe fiksionin, provon që mos të mbetët asgjë pa u dëmtuar, duke proklamuar edhe stilin e luftës për: “tokën e djegur dhe pa shqiptarë”.
E kush e ktheu jetën në “tokën e djegur dhe pa shqiptarë”, shtrohet pyetja sot, vetëm lufta e drejtë e UÇK-ës. Dhe, kur t` i shtohet kësaj lufte edhe fuqia ushtarake e NATO-s që u rreshtua në anën e Adem Jasharit dhe ushtrisë tij, atëherë fitorja e saj është e dëlirë si hëna e plotë, si dielli që shndritë gjithësinë.
Në fund, shumë është folur për karakterin e atyre që e lëshuan Kosovën (nga presidenti me familje e deri të qytetari i rëndomtë më 1999) dhe atyre që sakrifikuan dhe mbetën, qoftë në varre qoftë duke i ndërruar vendstrehimet, por kurrë nuk e lëshuan Kosovën me UÇK-në në ballë, duke vlerësuar se kemi të bëjmë me një dallim cilësorë të veprimit. E veprimi i Adem Jasharit dhe familjes së tij që qëndroi dhe u sakrifikua në shtëpi, u bë shembull i luftës që nuk mund të përshkruhet tani për tani vetëm me fjalë, sepse pavarësia e Republikës Kosovës, vlen më tepër si në kohë ashtu edhe në kuptimin tredimensional: lartësi morale, gjerësi jetësore dhe largësi kohore, sepse koha nuk vdes kurrë, mësa Adem Jashari me familje, as për neve e as për civilizimin, sepse mbetet katakomb edukimi për njeriun aktiv dhe liridashës-lirindërtonjës.
Lufta e Adem Jasharit me familje ishte një neoreferendum që njeriu t’i besojë vetes, t’i besojë bukës së vet, zakoneve të veta, armëve të veta, fuqisë popullore mbrojtëse, fuqisë civilizuese që janë në dobi të kohës, sepse misioni dhe vizioni i lirisë nuk vdesin kurrë. Pra, Adem Demaçi, Adem Jashari dhe UÇK-ja janë një projekt civilizues tredimensional, si teorema e Pitagorës, që do të rrezatojnë si dielli gjatë historisë. T’ia japim besën shqiptare këtij projekti, se do të kujtojmë këtë vepër, se nuk do ta lëshojmë kurrë nga zemra dhe mendja derisa të ketë jetë mbi tokë. Respekt dhe përkulje para dëshmorëve të kombit dhe veprës sublime të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të neoluftës, që i priu krenarisht emri dhe vepra e Adem Jasharit – Legjendarit.