Popullsia e Shtimes e prezantuar në librin “Oblast Brankoviqa” është vepër e përkthyesve nga gjuha turke në gjuhën serbe, Hamid Haxhibegiq, Adem Hanxhiq, Eshref Kovaçeviq në vitin 1972. Libri përfshinë rajonet e Kllopotnikut, Moravës, Vushtrisë, Topollnicës, Prishtinës, Llapit, Dollsit dhe Tregovishtës.
Studiuesi i kësaj periudhe kohore, profesor Banush Imeri, në monografinë e tij, “Shtimja me rrethinë”, botuar në vitin 2003 në Prishtinë, ka shteruar pothuajse tërësisht këtë temë, dhe me një metodologji të përparuar shkencore, duke u mbështetur në fakte e argumente historike, shkencore, ka arritur të ndriçojë me fakte të pamohueshme praninë në shumicë të elementit shqipfolës gjatë Mesjetës, në Shtime, e cila asokohe kishte 109 shtëpi me disa vëllazëri. Ajo popullatë i jepte kontributet vjetore në ispenxhe, akçe, xhizje, të prodhimeve bujqësore e artizanale pronarit turk, Qashnikir Muhamet Beut që ishte subash, qeveritar i lartë i Moravës. (Banush Imeri: “Shtimja me rrethinë”, Prishtinë, 2003, f. 31.)
Ky studiues, duke u mbështetur në burimet e kohës, dhe duke i shterur në tërësi, ka marrë në konsideratë për studim dy burimet kryesore, për popullatën e Shtimes, librin “Oblast Brankovica” të vitit 1972, të përkthyer nga autorë boshnjakë dhe librin e dr, Muhamet Tërnavës, “Popullsia e Kosovës në shekujt XIV-XVI, Prishtinë 1996).
Në monografinë e tij shkencore për Mesjetën, studiuesi, Banush Imeri, për arsye metodologjike nuk është ndalur veçmas në studimin gjuhësor linguistik të të gjitha emrave të prezantuar në të dyja librat, meqë monografia ka të bëjë jo vetëm me Shtimen por edhe rrethinën e saj prej vitit 1332 e deri në vitin 2002. Për këtë shkak ai nuk është ndalur veçmas në studimin komperativ linguistik të antroponimeve e patronimeve.
Në librin, “Oblast Brankovica” janë prezantuar më shumë se 115 emra, të anëtarëve të familjeve të shtimjanëve të asaj kohe, të cilat ishin të detyruar ta paguanin taksën dhe regjimit turk nuk i nevojitej fare as kërkonte përkatësinë gjuhësore, fetare apo fisnore e banorëve. Megjithatë, në kë libër dalin shënime edhe të përkatësisë gjuhësore të etniteteve të caktuara.
Duhet kuptuar që në fillim se regjistrimi nuk ishte bërë mbi baza të përkatësisë etnike, ndërsa regjistruesi duke u ballafaquar me palët që i regjistronte shkruante emrin e personit, që kishte obligim ta paguante “ispenxhen” që ishte targë për çdo të krishterë, pa dallim, nga ku vileshin edhe tatimet bazë, pastaj të dhjetat e prodhimeve të caktuara duke u bazuar në sasinë e pronave bujqësore, që i posedonin banorët, pastaj taksë të caktuar në gjitha llojet e prodhimeve, grurë, misër, fasule, thekër, tërshëre, të fitimeve nga tregtia, nga mjalti, prodhimeve e leshit dhe çdo prodhim tjetër. Lehtësime apo rëndime kishin beqarët, gratë e veja, bonjakët, priftërinjtë etj.
Duke qenë se regjistrimi ishte bërë, duke u bazuar në regjistrimet paraprake, emrat dalin mjaft heterogjenë në pikëpamje gjuhësore por edhe të cunguar e shpeshherë edhe të përsëritur.
Banorët e Shtimes në vitin 1455 në faqen 120 të këtij defteri janë prezantuar:
Popi Vojihna.
Prifti Dimitri.
Nikolla, protobar, zyrtar i kishës.
Branisllavi i Novoselit. ( Novoselo në kuptimin Fshat i Ri. ).
Vllahu me emrin Bogovac, vllah ortodoks.
Gjura i biri i Bogdanit. Emri Bogdan nuk ka trajtë burimore sllave, sikur pretendohet si Dita e Zotit por është koincidencë me emrin grekolatin, bogdanos … google: bogdanos ac depellendum Pocucenfi territorio Bogdanium ( Martini Cromeri Polonia) Petrus Bogdanos ( Pjetër Bogdani)
Radishi i biri i Ilinit, antroponim shqiptar ortodoks i mesjetës.
Stanku dhe Nikolla i Milladinit, sllavfolës.
Radihna emër shumë i përhapur ortodoks, në mesjetë, te të gjitha etnitetet.
Radunja shqifolës,
Radica sllav-folës.
Branku i Milloshit, sllav-folës.
Gjura ardhacak, shqip dhe sllavfolës.
Gjergji, shqip ( sllavisht Gjuragj si Gjuragj Ballshiq, Gjergj Ballsha i Dytë)
Depçi i Radiqit, sllavfolës.
Gjergji i Ostojes, Radunja vëllai i tij, shqipfolës.
Dopçi i biri i Radiqit, vllahfolës.
Branku i biri i Milloshit, sllavfolës,
Jovani i biri i Dobrashinit, sllavfolës.
Gjergji, djali i priftit, Dimitrit, shqipfolës.
Nikolla i Rajetit dhe djali i tij Dimitri, shqipfolës.
Millani, Rajku dhe Radovani, bijtë e Branjakut dhe Radunja djal i Dragutinit, sllavfolës.
Gjorgu i biri i Dapçinit, shqipfolës, njëjtë si Gjorg Golemi bashkëluftëtar i Skënderbeut.
Gjergji i Kojicës, Nikolla i Mirës, shqipfolës.
Radica Vujani, dhe Vukosllavi, të një familjeje, sllav-folës.
Oliveri, emër karakteristik i krishterë katolik, por ka shtrirje edhe ndër ortodoks.
Bogdani i biri i Vukosllavit, sllavfolës.
Dimitri i biri i Gjujkut, shqipfolës.
Ivanishi, Raja dhe Radishi, kovaçi, farkatarë, serbë dhe shqipfolës.
Duja Radivoj, dhe djali i tij Nikolla, shqipfolës,
Radica djali i Baliqit dhe djali Rada, shqipfolës. ( Baliq kishte edhe në Shtime po ashtu ka edhe në Reçak dhe në Carralevë),
Radisllavi i Radakut dhe Nikolla djali i tij, sllavfolës.
Bogdani i Bojiqit dhe stepani djali tij, sllavfolës.
Andrea djali i arvanitit, arbanasit.
Marku i Dushices Radika i Stepanit,sllavfolës.
Novaku djali i shigjetarit, shqipfolës.
Dimitri djali i Gjinit, shqipfolës.
Branku i Lilanit, sllavfolës.
Gjurica djali i Ankunovit, Milloshi fqinji i tij, sllavfolës.
Radica i Dragosllavit, Radunja djali i tij, sllavfolës.
Radihna djali i Grujicës, shqipfolës.
Mihali djali i Stanishit, Bogdani djali i tij, shqipfolës.
Todori djali i Koçës, shqipfolës.
Petku i Bozhidarit, Dejani i Vojkut dhe Smila, vëllai i tij, sllavfolës.
Radojku i Mihalit, shqipfolës.
Radisllavi, këpucëtar. Novaku djali i Radojës. Radovani djali i tij. Oliveri i Dragosllavit, sllavfolës.
Grubani djali i Martinit, Marku djali i Dimitrit, shqipfolës.
Vojihna lëkurëpunues, mund të jetë shqipfolës, por edhe sllavfolës.
Stepani djali i Rajanit. Kalani djali i Dimitrit, shqipfolës.
Jovani djali i Brankut. Vladisllavi djali i Bares. Stanishi djali i Neshqeredit, sllavfolës.
Vlladisllavi djali i Vllahut,vllahfolës.
Radica i Mirojës, sllavfolës.
Vllajica i Vojihnës, vllahfolës.
Rasku djali i Vukosllavit, sllavfolës.
Gjergji djali i Laletit, shqipfolës.
Nikolla i Ranivojës, Gjura djali i tij, shqipfolës.
Radica i Vllahut, vllahfolës.
Marku Këpucëtar, shqipfolës.
Bojani i Vukosllavit. Jovani i Vojkut, Kovaçi djali i Bozhidarit, sllavfolës.
Bogdani vëlla i Oliverit, dhe Dimitri vëlla i Novakut, shqipfolës
Vukashini djali i Ivanishit, sllavfolës,
Rahoja, vëllai i Llukës, shqipfolës.
Radisllavi i Crepkut, Radihna vëllai i Radicës, sllavfolës
Dançulla e ve dhe Olivera e ve, të dyja vllahfolëse.
Vllehët:
Dopçi i biri i Radiqit, vllahfolës
Vlladisllavi djali i Vllahut,vllahfolës.
Vllajica i Vojihnës, vllahfolës
Radica i Vllahut, vllahfolës.
Dançulla e ve dhe
Olivera e ve, të dyja vllahfolëse.
Si antroponime karakteristike sllave i kemi trajtuar ato që shpjegohen me këtë gjuhë dhe që kanë mbijetuar deri sot sikur janë emrat: Vlladisllav, Vukashin, Ivanish, Dragosllav, Radivoj, Radisllav, Milladin, Branisllav, Branko, Dragutin, Bozhidar, Radovan, Dobrashin, Vukosav e të tjerë. Emrat me prejardhje greke latine, kryesisht emra fetarë ortodoks, apo katolikë janë të pranishëm edhe të shqipfolësit, te vllahfolësit dhe pjesëtarët e etnike të tjera.
Emra të tillë mbi bazën fetare, të njëjtë te të gjitha etnitetet fetare janë: Bogdan (Bogdanos) Nikollë, Dimiter, Stefan, Milosh, Ivan, Georgije ( Gjergj, Gjurë, Gjorgje, Gjorg), Radihna, Mihal, Lluka, Mark, Gjon, Gjin, Oliver, Todor, Teodor, Andrea, Llazar, Lazër, Stojan, Filip, Pavel, Paul, Pal, Mojsi, Lekë, Aleksander, Simon, Matej, Kostandin, Manuel, Manojlo, Avram, Abraham, Isak, Josif, Jozef, Zef, Ilija, e qindra emra të tjerë, të cilët gjenden edhe te popujt sllavë, por që si antroponime i përkasin botës fetare të tri feve monoteiste.
Në regjistrimin e vitit 1467, në Shtime, dr. Muhamet Tërnava, duke u mbështetur në defterin e asaj kohe ka evidentuar vetëm 22 emra kryesisht të familjarëve shqipfolës dhe vetëm dy emra të familjarëve sllavfolës. Kjo lë për të kuptuar se popullata sllave e serbe, apo edhe vllahe ose ishte larguar ose iu kishte nënshtruar asimilimit. Në atë kohë në Shtime kanë jetuar këta familjarë: Pavel Nikolla, Pavel Pjetri, Nkollë Dimirtri, Ilija Dimitri, Nove Mati, Gjore Mati, Dimiter Jaku, Stojan Nikolla, Mati Nikolla, Peter Mihali, Boje Dimitri, Petko Nikolla, Stojan Ilija, Nikolla Stojan, Filip Mati, Mati Petko e të tjerë të gjithë me mbaresa gramatikore të gjuhës shqipe. Po kështu në këtë kohë, njëzet vjet pas regjistrimit të parë, dalin të shënuar edhe dy të konvertuar në islam. Ata ishin, Hajdari i biri i Abdullahut dhe Mehmedi i biri i Abdullahut. ( D. Muhaet Tërnava: Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI, Prishtinë 1996), faqe 106.
Duke bërë kategorizimin e emrave sipas përkatësisë etnike dhe fetare, dr. Muhamet Tërnava, ka arritur në përfundim se në vitin 1478, sipas regjistrimit në defterët turq, në Shtime kishte vetëm dy familje sllave apo serbe. Këta ishin: Dimje Bojin dhe Simon bozhiq. (Po aty faqe 237). Është vështirë të shpjegohet fakti se pas 20 viteve, ky lokalitet i njohur në Kosovë të ketë pasur një dyndje aq të madhe të popullatës sllave, kur në vitin 1455 përfaqësonte 35 për qind të popullatës së përgjithshme. Kjo nuk ka ndodhur në të gjitha viset e Kosovës në atë kohë… Është e mundshme të etniteti sllav, pas humbjes së Betejës së Dytë të Kosovës të vitit 1448, të ishte rikthyer drejt viseve verore, nga ku një pjesë e saj mund të kishte ardhur për të marrë pjesë në atë beteje.
Në regjistrimet e mëvonshme etniteti sllavfolës pëson rënie, ashtu sikur edhe shqiptarët ortodoksë, e katolikë të cilët gradualisht kishin pranuar islamin, në radhë të parë për shkak të taksave të rënda të cilat, për të krishterët ishin shumë më të larta dhe ndëshkuese. Gjendjen e rëndonte tejmase edhe “Ligji i Devshirmesë”, i cili merrte tatimin në gjak, i rekrutonte dhunshëm fëmijët e shëndoshë të krishterëve, deri në moshë 10-12-vjeçare dhe i rekrutonte në radhët e jeniçerëve.
( Gjatë shekujve, në Shtime ke mbijetuar një krahasim cinik, si Hajdar Shtimja, mbase edhe në kuptimin pezhotativ, “Je ba si Hajdar Shtimja”, në një trajtë tjerët madje edhe krejt pezhorative. Është e mundshme që tradita e konvertimit ta ketë qortuar apo satanizuar, personin me emrin Hajdar, si njeriun e parë të konvertuar. Ky është vetëm një supozim që lidhet me antroponimet e Shtimes, sepse po në të njëjtin defter dhe në ata të mëvonshëm dalin edhe të konvertuar të tjerë në fshatin fqinj, Koshare dhe në fshatra të tjera.
Struktura numerike e banorëve të Shtimes, sipas gjuhës së folur dhe karakteristikave gjuhësore shqip, sllavisht e vllahisht.
Në Shtime, në vitin 1455 janë evidentuar këta emra të kryefamiljarëve dhe bijve e vëllezërve të tyre:
44 shqipfolës
35 sllavfolës
6 vllahfolës
8 hipotetikë, sllav dhe shqipfolës
Gjithsej: 93 emra e mbiemra banorësh, duke anashkaluar fëmijët nën 16-vjeç si dhe emrat e femrave, përveç rasti të grave të veja.
Në këtë shkrim nuk janë marrë për shqyrtim emrat e mbiemrat e përsëritur, meqë ka të tillë kudo në ato regjistrime. Në këtë rast vërehen më shumë se 10 përsëritje.
Në regjistrimin e vitit 1467 janë regjistruar 22 familje shqiptare, asnjë vllahe dhe vetëm dy sllave apo serbe.
Gjendja sociale e banorëve të Shtimes në vitin 1455
Në regjistrimet turke, nuk dalin të shënuar emrat e femrave, përveç emrave të grave të veja. Po të kemi parasysh këtë fakt del se ky vendbanim në vitin 1455, kishte dy tre fish më shumë banorë, përderisa thuhet se kishte 110 shtëpi. Po ashtu nuk janë shënuar emrat e fëmijëve të mitur deri në 16 vjet. Dalin të shënuar emrat e grave të veja, meqë kishin zbritje të tatimit, po ashtu zbritej kishte edhe për të pamartuarit.
Në vitin 1455, në Shtime kishte dy gra të veja dhe tre beqarë, dy priftërinj, një protobar apo zyrtar i kishës, një shigjetë-punues, dy këpucëtar, një lëkurëpunues. Të gjithë ishin besimtar të ritit ortodoks, si sllavfolësit ashtu edhe shqipfolësit. Po kështu kishte dy priftërinj, njëri sllav, tjetri shqiptar, të cilët identifikohen në bazë të emrave e mbiemrave si dhe emrave të familjarëve të tyre. Edhe vllahët, gjashtë familje ishin ortodoks.
Literatura:
Oblast Brankovica, Sarajevë 1972.
Dr. Muhamet Tërnava, Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI, Prishtinë 1996).
Banush Imeri: Shtimja me rrethinë, Prishtinë, 2003.
- Qeriqi, Në gjurmim të lashtësisë, Prishtinë, 2002, f. 124).
Google: Bogdanos ac depellendum Pocucenfi territorio Bogdanium ( Martini Cromeri Polonia) Petrus Bogdanos ( Pjetër Bogdani)