leoni

Ahmet Qeriqi: Popullata e Shtimes në regjistrimin e vitit 1455 I

Ahmet Qeriqi: Popullata e Shtimes në regjistrimin e vitit 1455 I

Hyrje

Për fillim, duhet pasur para sysh faktin se defterët e Vilajetit Vëllk fillimisht janë përkthyer nga turqishtja në gjuhën serbe, në Bosnje dhe onomastika e toponimia është përshtatur në gjuhën e përkthyer. Në gjuhën shqipe nga gjuha turke i ka përkthyer dr. Muhamet Tërnava, i cili po ashtu, në kushtet dhe rrethanat e njohura historike në vitet nën robërinë jugosllave të Kosovës, kishte hasur në shumë pengesa, madje edhe në ato metodologjike, të shkollës nacionaliste historike sllave e serbe.

Regjistrimi i Perandorisë osmane  i vitit 1455 i banorëve i të ashtuquajturit “Vilajet i Vëllkut” apo i  trashëgimtarëve të Vuk Brankoviqit kishte përfshirë shumicën e fshatrave, qyteteve dhe lokaliteteve të sotme në Kosovës qendrore, Drenicë, Moravë, Rrafshit  të Kosovës deri në zonën e Kaçanikut, por jo të këtij qyteti si dhe lokalitetet e Kosovës lindore e veriore. Rrafshi i Dukagjinit dhe Anadrini apo rajoni i Alltun Ilisë janë përfshirë me Sanxhakun e Shkodrës.

Në radhë të parë duhet pasur para sysh rrethanat historike kur është bërë regjistrimi i popullatës dhe i pasurisë në vitin 1455. Ky regjistrim ndodhi shtatë vjet pas Luftës së Dytë të Kosovës së vitit 1448, ku forcat e krishtera kishin pësuar shumëfish më shumë sesa në Betejën e vitit 1389 dhe vetëm dy vjet pas pushtimit të Konstandinopojës nga Turqit  dhe rënies  së Perandorisë së Lindjes.

Në ato rrethana, kur ende nuk ishte konsoliduar pushteti perandorak, nuk duket të jetë bërë një regjistrim  i mirëfilltë edhe për faktin se regjistrimi bazohej kryesisht në shënimet e administratës së Brankoviqve, të cilët në parim konsideronin serbë e sllav çdo ortodoks, pavarësisht origjinës dhe gjuhës, shqipe, vllahe, greke, e të tjera.

Popullata dhe prejardhja e saj, në Shtime në vitin 1455 e më vonë si dhe pasuria që dispononin ata është prezantuar në defterët turq të këtij Vilajeti   (Oblast Brankovica),  i cili banorët e  saj i trajton si popullatë tërësisht e krishterë dhe tërësisht sllave.

Një element me rëndësi që nuk është vërejtur, ose është vërejtur fare pak është mungesa e pranisë së patronimit serb, si i biri i serbit, derisa kemi formulime si Miloshi i biri i Arbanasit, ose Todori biri i vllahut,  Radi i biri i Ermenit e kështu me radhë.

Po kështu në aspektin metodologjik është bërë një lëshim i madh me faktin se regjistrimi turk është bazuar në gjuhën sllave të defterëve paraprakë të pronarëve sllavë të kohës dhe duke i trajtuar si të tillë mbi parimin fetar, kryçali, dini-dushman, të pa fe e nofka të tjera armiqësore. Defterët në masë ishin mbështetur edhe në “krisobulat” sllave të Mesjetës, të kohës së sundimit të Dinastisë së Nemanjidëve në vitet e Kosovës dhe në pjesën veriore të Shqipërisë dhe Malit të zi.

Regjistrimi kishte përfshirë rreth 646  fshatra, qytete dhe lokalitete.

Shumica dërrmuese e emrave dhe mbiemrave të banorëve ishin prezantuar me emra me prejardhje ortodokse, kryesisht të gjuhës greke të periudhës së Bizantit, emra sllavë, apo karakteristikë  për sllavët, emra shqiptarë, vlleh (madje me një shumicë të konsiderueshme pas shqiptarëve e serbëve ishin vllehët), pastaj hebrenj, raguzianë apo  gjermanë, të evidentuar edhe si sas apo shashë, armenë, cincarë, pollom, bullgarë, hungarezë e të tjerë.

Lidhur me përkatësinë tejet heterogjene të banorëve të Ballkanit në viset e Kosovës e më gjerë, duhet marrë në konsideratë fakti se gjatë dy shekujve të kryqëzatave, në shekujt 12-13, të gjitha trevat qendrore dhe  jugore të Ballkanit ishin vende nga ku rrugëtonin mijëra pjesëtarë të kryqëzatave nga vendet e Evropës, për të depërtuar në Bizant e prej andej në viset arabe e islame të Lindjes së Afërt.

Pikërisht nga kjo kohë dalin edhe mjaft patronime me emra popujsh, karakteristikë vetëm për antroponiminë e patroniminë shqiptare, si: magjari, gjylani, ballazhi ( nga trajtat omonime hungareze), franca apo frangu, allamani, bullgari, maqedoni, rashani, llatini, çeku, boshnjaku, rusi, turku, zara ( zariq), vllahu, armeni, ermeni, gjermeni apo germeni, kermeni, arapi, çerkezi,  vllasi, (trajta sllave për vllehët)  mëziu ( nga Dako-Mezia) e të tjerë. Këto patronime nuk janë evidente, edhe pse në një masë nuk mungojnë te popujt tjerë të Ballkanit. (A. Qeriqi: Në gjurmim të lashtësisë, Prishtinë, 2002, f. 124).

Mbi të gjitha në metodologjinë e derisotme shkencore në trajtimin e antroponimisë, patronimisë dhe toponimisë janë bërë gabime të shumta kur është anashkaluar origjinali dhe studiuesit janë mbështetur në defterin e përkthyer nga gjuha turke, sikur ka ndodhur me rastin e defterëve turq të Vilajetit vëllk të vitit 1455. Këtë problem e ka vërejtur me kohë dr. Muhamet Tërnava ( 1947 -2017) por iu ka qasur me rezervë për shkaqe politike, sepse në kohën kur ai kishte filluar studimet në këtë lëmi konsideroj si falsifikim i historisë serbe, prania e shqiptarëve shumicë, të besimit ortodoks në Mesjetë, sidomos në Kosovë,  dhe kjo dënohej me ligjet e shtetit ashtu sikur ishte dënuar e persekutuar gjatë tërë jetës  edhe dr. Muhamet Tërnava,  tani i ndjerë.

Tërnava i ka përkthyer defterët turq dhe ka arritur në zbulimin historik, duke evidentuar shkencërisht përkatësinë e popujve sipas mbaresave gramatikore të emrave e mbiemrave, në formulimin analog:

Dhimiter Janki, apo Janku,

Dimitar Jankoviq,

Dimitar Jankov,

Dimitri Janaqis,

Mbresat gramatikore të mbiemrave tregojnë përkatësinë, shqiptare, sllave-serbe, bullgare e greke. (Dr. Muhamet Tërnava, Popullsia e Kosovës gjatë shekujve  14-16. Prishtinë, 1996).

Kjo ishte “teorema” e Muhamet Tërnavës, e cila u trajtua si falsifikim, u injorua dhe autori iu nënshtrua dhunës e satanizimit sa nga serbët dhe politika zyrtare historike e kohës, po aq mbase edhe më shumë  nga pothuajse të gjithë kolegët e tij historianë shqiptarë, të cilët edhe sot, për së vdekuri e injorojnë emrin, punën, burgun, persekutimin dhe martirizimin e tij.

Duke u mbështetur dhe duke e thelluar metodologjinë e tij shkencore, pse jo në shkollën e tij lidhur me Mesjetën ( e them këtë me qëllim për t i bezdisur pesë historianë të  gjallë, të cilët nuk duan as të dëgjojnë për emrin e tij), dëshmohet me argumente linguistike, historike dhe shkencore, prania me shumicë e shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e tjera të banuara me shqiptarë ortodoks gjatë mesjetës, por  e më vonë deri në konvertimin e shumicës dërrmuese në myslimanë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …