leoni

Me seancë solemne Komunat Skenderaj e Drenas fillojnë shënimin e Epopesë së UÇK-së

Kuvendi Komunal i Skenderajt në bashkëpunim me Kuvendin Komunal të Drenasit, kanë mbajtur një seancë të përbashkët solemne me rastin e shënimit të 22 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë seancë u përkujtua sakrifica e pashembullt e Familjes Jashari si dhe e të gjithë dëshmorëve e martirëve të rënë për lirinë e Kosovës. Në emër të dy strukturave udhëheqëse në këtë seancë foli Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ngriti lartë kontributin e Komandantit Legjendar Adem Jasharit dhe familjes së tij. Sipas Lladrovcit tri ditët e betejës së Jasharajve janë shndërruar në tri ditët e epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku mijëra djem e vajza, janë rreshtuar krah njeri –tjetrit për çlirimin e vendit. Më rastin e 22 vjetorit të epopesë se UÇK-së, Komuna e Skenderajt ka organizuar një varg aktivitetesh për shënimin e këtyre datave. Duke filluar me datën 5 mars me seancën e përbashkët me Komunën e Drenasit, vazhduar tutje me pjesëmarrjen e Kryetarit të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari në Parakalimin e FSK-së në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë. Ndërsa me datën 6 mars, në orën 08:30 do të bëhen homazhe te shtatorja e Komandantit legjendar Adem Jashari, e me pas tek kompleksi memorial në Prekaz dhe tek memoriali i dëshmorëve në Marinë. Kjo ditë do të mbyllet me Akademinë Përkujtimore me rastin e 22 vjetorit të epopesë së UÇK-së në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Me datën 7 mars në ora 17:45, do të bëhet ndezja e flakadanëve në kompleksin memorial “Adem Jashari”, në Prekaz. Në ora 18:00, do të bëhet përmbyllja e manifestimit “Nata e zjarreve” ne sheshin “ Adem Jashari” në Skenderaj.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …