MKRS e Komuna e Prishtinës me shumë projekte të përbashkëta në dobi të kryeqytetasve

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka vizituar Komunën e Prishtinës, ku është takuar me kryetarin Shpend Ahmeti, me të cilin kanë diskutuar për projektet e përbashkëta të MKRS-së dhe Komunës, qofshin ato të investimeve kapitale dhe atyre që janë aktivitete konkrete, si ngjarjet kulturore, rinore e sportive. Në këtë takim të parë, Ministrja Dumoshi, u shpreh se bashkë me kryetarin Ahmeti kanë folur për bashkërendimin e veprimeve që të konkretizohen e finalizohen projektet kapitale që do të realizohen në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, si Teatrin e Operës dhe Baletit, Muzeun Bashkëkohor, për projektet për Stadiumin e Qytetit, Qendrën e Tenisit, e shumë projekte të tjera që janë në interes dhe në dobi të qytetarëve. “Biseduam me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, për ndërlidhjen dhe bashkëveprimin në projekte të ndryshme. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në buxhetin e vet ka edhe projekte kapitale të cilat i takojnë dhe do të vendosen në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. Biseduam edhe për Teatrin e Operës dhe Baletit, dhe për projekte tjera” u shpreh ministrja. Ndërsa, kryetari Ahmeti, tha se ky takim i parë me ministren Dumoshi, nuk do të jetë i vetmi, ngase do të përkundër diskutimit të sotëm për tema të përbashkëta, do të ketë edhe takime tjera për konkretizimin dhe dakordësimin e këtyre temave. Kryetari Ahmeti u shpreh se është fatmirësi për Prishtinën, sepse ministrja Dumoshi e njeh për së afërmi situatën dhe nevojat që ka kryeqyteti për përkrahje, pasi ka qenë drejtoreshë e kulturës, rinisë dhe sportit në komunën tonë. Në takim u diskutua edhe për ngjarjet kulturore e sportive që janë në plan të organizohen sivjet në kryeqytet dhe u shikua mundësia e përkrahjes dhe pjesëmarrjes së përbashkët në këto ngjarje, të cilat e pasurojnë jetën kulturore e sportive.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …