Forca e Sigurisë së Kosovës me aktivitete ushtarake e tematike ka shënuar 22 –vjetorin e "Epopesë së UÇK-së“

Forca e Sigurisë së Kosovës me aktivitete ushtarake e tematike ka shënuar 22 –vjetorin e “Epopesë së UÇK-së“

Në Kazermën „Adem Jashari“ të Forcës së Sigurisë të Kosovës, në Prishtinë dhe nën përkujdesjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, sot u mbajt manifestimi qendror në shënimin e 22-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, në nderim të Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit të rënë për liri. Në këtë ceremoni trupat e Ushtrisë së Kosovës ( FSK ) ishin të rreshtuara në kuadrate sipas njësive, në pistën e kazermës „Adem Jashari“ në Prishtinë. Të pranishëm në manifestim ishin presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentarja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, ish-presidentja Jahjaga, ish kryeministri Haradinaj, ministra, deputet, kryetar komunash, veteranë, invalidë, familjarë të dëshmorëve, qytetarë dhe nxënës të shkollave të Kosovës.

Pas revistës së kuadrateve të FSK-së, nga presidenti Hashim Thaçi dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, manifestimi filloi me intonimin e himnit shtetëror dhe kombëtar.

Pastaj, presidenti Thaçi, kryeministri Kurti, kryetarja e Kuvendit Osmani, vendosen kurora lulesh pranë Obeliskut të dëshmorëve, në kujtim dhe nderim të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithë dëshmorëve të kombit të rënë për liri.

Para të pranishmeve, në manifestimin e njëzetë e dy vjetorit të Epopesë së UÇK-së, presidenti Hashim Thaçi, në fjalën e tij, pos tjerash tha: „Të dashur ushtarë të ushtrisë të Republikës së Kosovës, ju jeni trashëgimtarë të projektit më të suksesshëm politik dhe ushtarak të Kombit shqiptarë të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, të këtij projekti të shenjtë. Me luftën heroike të UÇK-së, të popullit të Kosovës dhe ndihmën e botës demokratike u çlirua edhe u bë shtet i pavarur dhe demokratik.

Të nderuar ushtarë, nënoficerë dhe oficerë; qytetaret dhe shteti ynë krenohet me ju, dhe me rezultatet e juaja kudo që shërbeni në çdo cep të Republikës së Kosovës. Ju jeni krenaria jonë, ju jeni ushtria moderne, bashkëkohore, jeni ushtri multietnike, ju do të pajiseni me pajisje me moderne të një ushtrie bashkëkohore, ky edhe ishte mesazhi gjatë diskutimit tim në Pentagon“.

Ndërsa, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalën e saj, adresuar të pranishmeve tha se sakrifica e familjes Jashari tregoi se sa e rëndësishme është liria, dhe se tani me dhembje e krenari kujtohet komandantin Adem Jashari, Hamëz Jashari, Shaban Jashari e të gjithë ata ushtarë që lanë jetën dhe gjymtyrët e tyre për lirinë që sot e gëzojmë.

Kryetarja Osmani, më tej shtoi se; Kosova asnjëherë nuk ka pasur synime ndaj të tjerëve, por se „qëllimi ynë ka qenë vetëm mbrojtja e atdheut tonë. Sot secili kadetë, ushtarë e oficer duhet ta ketë parasysh sovranitetin e vendit, njësoj sikurse komandanti Adem Jashari. Ai dha shembullin se si mbrohet atdheu e duke u shndërruar në simbol të rezistencës“.

Kurse kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në fjalën e tij, pos tjerash tha: „Është çdoherë kënaqësi të jesh në prani të Forcës së Sigurisë së Kosovës e sidomos në këto ditë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne kemi sakrifikuar shumë që të kemi të drejtat dhe liritë tona, të kemi shtetin tonë, por sidomos të kemi ushtrinë tonë, të fortë e madhështore, jo sepse ne kemi ambicie për të pushtuar, por për shkak se kemi të kaluar të hidhur. Ne duam një ushtri të fortë, profesionale e cila mbron tërësinë tonë territoriale dhe garanton sigurinë tonë kombëtare; duam anëtarësim në NATO, prandaj edhe do të rrisim investimet të cilat janë të domosdoshme që të bëhemi partnerë të denjë. Aleanca jonë me NATO-n është e domosdoshme dhe anëtarësimi ynë edhe në NATO edhe në BE duhet përshpejtuar në mënyrë që edhe të forcojmë paqen në rajon, por edhe të parandalojmë ndikimin e fuqive të huaja“..

Në emër të familjes Jashai, foli vëllai i komandantit legjendar Adem Jasharit, Rifat Jashari, i cili nga Kazerma „Adem Jashari“, falënderoi të pranishmit dhe tha se vetë prezenca juaj, në këtë manifestim nderon dhe përkujton veprën e Adem Jasharit dhe të gjithë dëshmorëve të rënëve për liri.

Manifestimi i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u përmbyll me parakalimin e kuadrateve të FSK-së, para qytetarëve të pranishëm në kazermën „Adem Jashari“ në Prishtinë.

 

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Sllovakia, është njëra  nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Kosovën, dhe …