Ministrja Dumoshi: Kosova në Frankofoni, dëshmia më e mirë për vlerat e larta civilizuese që ka vendi ynë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, mori pjesë në hapjen zyrtare të javëve të Frankofonisë, që u mbajt në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ndër personalitetet e shumta të pranishme në këtë ngjarje ishin edhe Glauk Konjufca, Ministër i Punëve të Jashtme, Marie-Chrstine Butel, Ambasadore e Francës në Kosovë, Jean-Louis Seervais – Shef i Misionit të Belgjikës në Kosovë, Natacha Gomes – e ngarkuar me punë në Ambasadën e Luksemburgut. Ministrja Dumoshi theksoi që anëtarësimi i Republikës së Kosovës në familjen e madhe frankofone po dëshmohet çdo vit se është një fat e privilegj, meqë përveç tjerash jemi bërë pjesë e një organizate, e cila udhëhiqet nga parime e vlera të larta civilizuese, shoqërore e demokratike, siç janë diversiteti kulturor, gjuhësor, solidariteti, paqja e mbrojtja e të drejtave të njeriut. Rreshtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës përkrah Ambasadës së Francës dhe shteteve tjera frëngëfolëse e frankofone përmes aktiviteteve të përbashkëta kulturore e artistike është dëshmia më e mirë e miqësisë sonë të thellë dhe familjarizimit tonë me frankofoninë. Ministrja Dumoshi falënderoi përzemërsisht Ambasadën e Francës në Kosovë për angazhimin dhe përkushtimin e tyre për të forcuar e thelluar lidhjet e dy shteteve dhe qytetarëve të të dyja vendeve, për angazhimin për kultivimin e miqësisë midis Kosovës e Francës. Ngjarja “Javët e Frankofonisë” është shndërruar në një prej projekteve më të rëndësishme kulturore në Kosovë. Viti 2020 shënon përvjetorin e pesëdhjetë të Organizatës Internacionale të Frankofonisë. Kosova u bë anëtare e asociuar në këtë organizatë, në vjeshtën e vitit 2018.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …