Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur nga sot fazën e aplikimit për grante për projekte që ndërlidhen me përpunimin e produkteve bujqësore në disa sektorë si: sektorin e përpunimit të qumështit, sektorin e përpunimit të mishit, sektorin e përpunimit të pemëve dhe perimeve, si dhe sektorin për prodhimin e verës. Këta sektorë mbështeten në kuadër të Masës 103 – Investimet në asetet fizike në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore që ka një buxhet prej 5 milionë eurove. Në këtë masë mbështetën kryesisht fabrika dhe agrobiznese që merren me përpunim dhe shuma maksimale e mbështetjes së një projekti nga ana e MBPZHR-së është 200 mijë euro. Afati për aplikim për këtë masë fillon nga sot dhe përfundon më 25 prill 2016. Më herët Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur fazën e aplikimit për grante në prodhim, Masa 101, diversifikim Masa 302 dhe Masën e Ujitjes së Tokave Bujqësore. Duke përfshirë këto masa si dhe masën e përpunimit buxheti total i paraparë është 23 milionë euro. Në ditët në vazhdim, MBPZHR-ja pritet të hapë fazën e aplikimit edhe për subvencione, ku edhe aty është paraparë një buxhet prej 23 milionë eurove. Për më shumë informata, lidhur me procedurat e aplikimit, kriteret e vlerësimit qytetarët mund të informohen në detaje në ueb faqen e ministrisë dhe Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.
Nga këto shpërblime përfitojnë firmat që kanë kapital, të cilat kanë edhe përfitime të shumta, ndërsa nuk shpërblehen ata që kanë pak tokë dhe pak mundësi për ekzistencë dhe që janë shumica dërrmuese e popullatës rurale të vendit. Po ashtu këto shpërblime në rastet dërrmuese i marrin militantët e partive në pushtet.(RKL)