Vendosja e taksës 100 % në të gjitha mallrat e Serbisë dhe të Bosnjës e Hercegovinës nga Qeveria e Kosovës, ishte për të mos thënë i vetmi vendim dhe veprim i drejtë i Qeverisë, Haradinaj dhe i koalicionit PAN.
Për herë të parë në historinë e Kosovës, nga viti 1918, duke përjashtuar katër vjet të Qeverisë shqiptare italiane (1941-1944) një Qeveri e pas luftës ishte kujtuar për t i thënë jo kolonializmit ekonomik serb në Kosovë. Kjo betejë e fituar për një ditë kundër Serbisë, kishte pritu 20-vjet derisa dikush ishte kujtuar për një veprim të tillë qeveritar, edhe pse kishte pasur veprime paraprake për moslejimin e futjen në Kosovë të mallrave nga Serbia e Vuçiqit dhe Daçiqit.
Është folur dhe është shkruar shumë lidhur me taksën, nga e cila Serbia ka humbur një përqindje bukur të madhe të tregut dhe një humbje në total gati 500 milionë euro në vit. Në planin tregtar dhe ekonomik nuk është ndonjë shifër që ngre peshë, por kjo kishte domethënie të shumëfishtë politike. Në radhët të parë Kosova me një vendim qeveritar, po e përjashtonte Serbinë nga tregu i vet, fillimisht në shenj hakmarrjeje nga veprimet e përditshme antishqiptare dhe po iu tregonte firmave tregtare dhe ekonomike të Serbisë se Kosova nuk do të jetë më e varur nga prodhimet e saj, madje as nga ato të Bosnjës, jo për shkakun e boshnjakëve paqësorë e miq, por për shkak të Republikës serbe, e cila nuk lejon njohjen e Pavarësisë së Kosovës.
Taksa i shkaktoi kokëçarje BE-së dhe miqve të Serbisë në Evropë e më gjerë, sepse të gjithë ata janë mësuar që Kosova edhe pas shpalljes së pavarësisë të mbetet koloni tregtare dhe ekonomike e Serbisë. Këmbëngulja e kryeministri, Ramush Haradinaj dhe mbështetja e partnerëve të koalicionit, bëri që qarqet ndërkombëtare me ndikim, përmes Gjykatës Speciale, t’ i bëjnë presion Ramush Haradinajt, i cili krejt pa pritur u ftua për hetime në Gjykatë, edhe pse në dy gjykimet paraprake në Hagë ishte shpallur krejtësisht i pafajshëm.
Sapo kishte marrë lajmin, Haradinaj kishte ofruar dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe kjo kishte shkaktuar rënien e Qeverisë, shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe një varg pasojash për vendin.
Qëllimi i BE-së ishte që qytetarët e Kosovës ta kuptonin se Brukseli nuk e dëshiron një koalicion të partive të dala nga lufta e UÇK-së, që mund t i thonë jo ambasadorëve të huaj në Prishtinë dhe mund ta frenojë edhe procesin e bisedimeve me Serbinë.
Votuesit pacifistë e kishin kuptuar me kohë porosinë e Brukselit po ashtu edhe përçarjen e thellë bajraktarë e krahinore të koalicionit PAN. E vetmja mënyrë për bashkëqeverisje kishte mbetur bashkimi i LDK-së me Vetëvendosjen, dy parti të deklaruara me vija të kuqe ndaj PDK-së, parti e cila i kishte shembur veten nga bajraktarët e brendshëm.
Paradoksi e tërë kësaj lufte politike arrin kulmin kur për t’ u veshur me çdo kusht me pushtet, Vetëvendosja, kërkon koalicion të domosdoshëm me LDK-në, parti me të cilin ishte në luftë politike, po aq sa me PDK-në.
Partia e Albin Kurtit, e cila kishte mbështetur taksën, madje ishte partia që kishte zhvilluar sa e sa protesta deri edhe të përgjakshme për të mos lejuar futjen në Kosovë të mallrave të Serbisë, doli me qëndrimin që taksa 100 për qind të hiqej dhe të zëvendësohej me atë që quhet reciprocitet, që nuk është kurrgjë më shumë se një eufemizëm politik, njëjtë sikur eufemizmi i kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili propozimin e ndërrimit të territoreve me Serbinë e quante korrigjim të lehtë të kufirit.
I ashtuquajturi reciprocitet është tërësisht i pamundur të instalohet, sepse Koaova nuk është e njëjtë me pozitën e Serbisë, as është shtet i pranuar nga OKB-ja, as nga Be-ja. Përveç taksës as edhe një mundësi tjetër të vetme nuk e ka Kosova në favor të vetin ndaj Serbisë, sepse Beogradi i Vuçiqit dhe i Daçiqit, ka instaluar me kohë në Kosovë, Listën Serbe, de facto ka ndarë veriun, ka vendosur vija të autonomisë territoriale të Kishave e Manastireve me dhjetëra mijëra hektarë tokë e prona që kontrollohen nga Sinodi në Beograd dhe ka arritur të imponohet paraprakisht në të gjitha segment, para se Albin Kurti ta ketë menduar fjalën “reciprocitet”, në kuptim të veprimit politik.
Beogradi zyrtar e ka shfrytëzuar taksën për t u paraqitur viktimë dhe për ta sensibilizuar faktorin ndërkombëtar duke e kushtëzuar heqjen e taksës me vazhdim të bisedimeve, por bisedime me kryefjalën “kompromis”, sepse Serbia ka herë e ka bërë të ditur se në bisedime do të fitojnë ose do të humbin të dyja palët, ndërsa nuk do të arrihet asnjë marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, nëse edhe Serbia nuk fiton diçka, duke lënë të nënkuptohet marrje edhe de facto e veriut, madje edhe një pjesë të fshatrave të Moravës, por pa dhënë asgjë nga komunat e Kosovës Lindore.
Nuk do të njohim Kosovën e të mos fitojmë asgjë, ka deklaruar në Novi Sad kryetari i Serbisë, Aleksander Vuçiq. Në pyetjen e gazetarëve se si do t’i përgjigjet Serbia, ultimatumit të Prishtinës, Vuçiq është kundërpërgjigjur po me pyetje: “Çfarë ultimatumi? Që ne të detyrohemi t’i pranojmë, e të mos fitojmë asgjë? Nuk ka gjë prej kësaj”, është shprehur ai. Le të bëjnë ata punën e vet, ne tonën, pastaj të shohim kush del më i suksesshëm, ka thënë presidenti serb, duke shtuar se me këtë rast është vendimtare të ruhet paqja dhe stabiliteti. Ai ka konfirmuar se Uashingtoni është serioz në qëllimet që taksa e Prishtinës ndaj produkteve serbe të hiqet dhe se beson se trysnia amerikane do të vazhdojë.
Presioni ndërkombëtar dhe ai i brendshëm kundër qëndrimeve të Albin Kurtit, të cilin nuk e përkrah as partneri në koalicion LDK-ja, tregon mirëfilli se Kurti, do të detyrohet të bëjë kompromise deri në atë nivel që do të kishin bërë edhe Ramushi, Thaçi, Veseli apo kushdo tjetër. Albini, në marrëveshjen e detyrueshme me ndërkombëtarët nuk mund bëjë asgjë as mund të bëjnë më shumë përveç se të nënshkruajnë ato të thotë Greneli, Boreli, në fund Trumpi dhe Putini. Të tjerat janë konsum i brendshëm politik, luftë për favore, largim nga puna i zyrtarëve të ish koalicionit dhe zëvendësim me militantë të koalicionit të ri, zhvatje e buxhetit nga klientela afër pushtetit të ri dhe nga bosët e super përfitimeve të afërt me koalicionin bashkëqeverisës, tenderë, trafiqe, korrupsion të rafinuar e të lyer mirë, darka, dreka, vizita jashtë, mëditje dhe asgjë më pak por ndoshta edhe më shumë, sepse zyrtarët që ikën kishin filluar të ngopeshin, këta që kanë ardhur janë të pangopshëm, pasi ka 16 vjet që presin për ta marrë njëherë arkën e Shtetit dhe për t’ i gëzuar favoret që sjellë ajo.