“Pesha e Qiellit dhe vlera e Mësuesit – nuk mund të matën” (Konfuçi)
(Mësonjëtorja e parë (publike) shqipe, Korçë, 1887)
Në kalendarin e festave zyrtare dhe atyre jozyrtare, shtetet dhe kombet e ndryshme të botës shënojnë dhe kremtojnë data të ndryshme nga historia e tyre. Shqiptarët e festojnë 7 Marsin, si Dita e Mësuesit, dhe kjo festë, ndonëse në historinë tone shënon një ditë me rëndësi arsimore e kulturore, ka mbetur me status të festës jozyrtare. Është caktuar 7 Marsi si Dita e Mësuesit, me Vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, nr.113, datë 3 Mars 1960, kurse në Kosovë kjo festohet prej vitit 1994. E festojmë 7 Marsin në shenj kujtimi të themelimit të Mësonjëtores së parë publike shqipe në Korçë (7 Mars 1887). Deri atëherë, mësimi në gjuhën shqipe ishte rreptësisht i ndaluar, ndërsa në trojet shqiptare funksiononin mbi 2500 shkolla publike e private, shtetërore e fetare: turke, greke, sllave, llatine.
Hapja publike e Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë, me karakter kombëtar dhe laik, ishte një fitore e madhe dhe kjo u arrit në saje të angazhimit të një grupi të rilindasve dhe me përkrahjen e patriotëve të vendit e të mërgatës shqiptare. Kontribut të veçantë për atë Mësonjëtore dhanë Kolonia Shqiptare dhe Shoqëria “Drita” e Bukureshtit, që kishte shtypur librat e vëllëzërve Naimi e Sami Frashëri, të cilat përdoreshin në Shkollë. Shkollën e ndihmuan edhe shumë aktivistë e patiortë tjerë. Korçari Mandi Tërpko e fali shtëpinë e vet për këtë shkollë. Fillimisht në atë Mësonjëtore u regjistruan 35 nxënës, kurse në vitin e dytë arriti në 300 nxënës, djemë e vajza, të të gjitha shtresave shoqërore e fetare, nga vise të ndryshme të Shqipërisë. Aty mësohej, lexohej e këndohej vetëm shqip. Nxënësit e asaj Mësonjëtoreje, të edukuar në frymën e patriotizmit të Rilindjes kombëtare, do të bëheshin pasues të devotshëm të mësuesve të tyre në luftën për liri e pavarësi të vendit. Mësuesit e parë ishin Pandeli Sotiri, Thoma Sina, Thoma Avrami, etj, ndërsa drejtuesit e shquar të asaj Shkolle ishin: Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi etj. Disa javë më vonë u çelën shkolla shqipe edhe në disa qytete jera shqipare, por nuk vonoi shumë kohë dhe, në bazë të propagandës klerofashiste greke, administrata turke i mbylli, kurse drejtorin e parë të Mësonjëtores, Petro Nini Lurasin e mbytën (helmuan) në Stamboll qarqet reaksionare të xhonturqve, në bashkëpunim me klrofashizmin grek dhe me Patrikanën e Stambollit.
Me rastin e hapjes së Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë, Naim Frashëri shkroi këto vargje:
Hapu, hapu errësirë,
Pa jakë tëhu o dritë,
Se arriti kohë emirë,
U gdhi nata – u bë ditë!
……………………………….
Dita e Mësuesit është festë jo vetëm për Mësuesit, por edhe për nxënës e studentët dhe për qytetarët, që t’ikujtojnë me respekt mësuesit e tyre, por t’i kujtojnë edhe sakrificat e tyre prej ditëve të para të fillimit të shkollës shqipe. Mësuesi është si qiri: e shkrinë veten, për t’ua ndriçuar rrugën të tjerëve, thotë një urti anonime. Por, mësuesit ishin edhe artistë të fushave të ndryshme, humanistë, idealistë e propagandues që përhapnin idetë patriotike kombëtare.
*
Shumë njerëz kanë dëgjuar për betimin e Hipokratit, që e bëjnë mjekët kur diplomojnë, por pakkush e di se edhe mësuesit e kanë betimin e tyre (pedagogjik), që është patentuar për nevojat e UNESCO-s nga viti 1966. Teksti i betimit të Mësuesit, i hartuar nga pedagogu zvicëran Robert Dottrens (1893 – 1984), ka këtë përmbajtje:
“Betohem se:
* Do ta kryej detyrën time me ndërgjegje dhe krenari,
* Nxënësit e mi nuk do të jenë vetëm nxënës, por edhe fëmijë dhe kurrë nuk do të harroj se për fatin e tyre edhe unë mbajë një pjesë të përgjegjësisë,
*Do ta mbroj me të gjitha mjetet ekzistuese nderin e profesionit të arsimtarit,
* Kolegët e mi çdo herë do të jenë edhe miqë të mi,
* Në bashkëpunim me ta do të përpiqëm që vazhdimisht ta përkryej veprimtarinë e shkollës në kuptimin efikas të njohjes së të gjitha të drejtave në edukimin dhe barazinë sociale në arsim,
* Këtë betim e jap plotësisht në mënyrë të lirë dhe me nderë.
Betohem!”
*
Në Ditën e Mësuesit i kujtojmë mësuesit tanë prej ditës së parë të shkollës. I kujtojmë me respekt edhe mësuesit e të gjithë brezave dhe i falënderojmë ata për punën e vyeshme e të rëndësishme që kanë bërë për arsimimin tonë kombëtar, në kushte të vështira e me rrezik. Edhe personalitetet me gradat më të larta profesionale e shkencore, të çfarëdo profili e pozite që kanë arritur, i kujtojnë me respekt mësuesit e vet të parë dhe të gjitha periudhave të arsimimit të tyre.
Urime e gëzuar 7 Marsi – Dita e Mësuesit, të dashur mësues shqiptarë kudo që punoni e jetoni!