Qeveria e re e Republikës së Kosovës u votua me 3 shkurt 2020. Me 6 mars 2020, Qeveria ka miratuar Programin e saj 2020-2023 për “Kosovën gjithëpërfshirëse, me drejtësi dhe zhvillim të qëndrueshëm”.
Programi prej 46 faqe është i ndërtuar mbi bazën e Marrëveshjes së Koalicionit dhe është i organizuar në 12 fusha të qeverisjes. Programi synon kompletimin e procesit të shtetbërjes dhe integrimin e plotë të Republikës së Kosovës në kuadër të institucioneve rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare.
Programi i Qeverisë është dokument më i rëndësishëm politik pasi që përfaqëson vizionin dhe vullnetin e Qeverisë për të shtyrë përpara reformat në rrugën tonë integruese. Prandaj, në publikimin tonë të radhës kemi vendosur të kthejmë vëmendjen drejt analizimit të Programit të Qeverisë.
Qëllimi i publikimit të radhës është de-konstruktimi i programit të Qeverisë nga gjuha abstrakte dhe teknike e tij në infografikat e qarta, të matshme dhe të kuptueshme për publikun e gjerë. Ne shpresojmë se kjo do të ndihmoj në inkurajimin e një diskursi vibrant publik i cili do të kontribuoj në dizajnimin dhe zbatimin e politikave kualitative qeverisëse.
Ne kemi identifikuar 217 masa konkrete për të cilat është zotuar Qeveria e Kosovës në kuadër të Programit të saj 2020-2023 – nga masat e reciprocitetit në dialogun me Serbinë, e deri te gjetja e zgjidhjes për Kartonin e Gjelbër. Duhet sqaruar që në fillim që ne kemi tentuar të bëjmë përzgjedhjen e masave të Programit të cilat janë të qarta, konkrete dhe të matshme. Me fjalë të tjera, nuk kemi përfshi masat e programit të cilat në esencë nuk janë masa, por zotime abstrakte psh. do të konsolidojmë funksionimin e kompanive publike, do të zbatojmë MSA dhe rishikojmë ligjet/strategjitë/politikat, do të forcojmë/fuqizojmë kapacitetet e institucioneve, etj. Po ashtu, nuk kemi përfshirë masat e programit të cilat përbejnë detyrat e zakonshëm të qeverisë, psh. përmirësimi i llogaridhënies ndaj qytetarëve, shpërndarja e granteve për komuna, dhe aktivitete të ngjashëm.
Këto janë disa nga zotime kyçe që burojnë nga Programi i Qeverisë 2020-2023:
Një rezolutë/platformë për dialog duhet të miratohet në Kuvendin e Kosovës;
Rishikim i plotë i marrëveshjeve të arritura deri më tani;
Zëvendësimi i tarifave doganore me masa të reciprocitetit të plotë;
Financimi i qëndrueshëm dhe transparencë e llogaridhënie të plotë të RTK-së;
Programi Kombëtar i Kursimit;
Zbatimi i shtesave të fëmijëve;
Anëtarësimi në INTERPOL;
Monitorimi i proceseve rekrutuese & avancimit (MB, BE, etj);
Dizajnim i një procesi të ri të përhershëm për emërimin e anëtarëve të bordeve;
Fondi Zhvillimor;
Transformimi i Agjencisë Kosovare për Privatizim, në agjenci brenda qeverisë;
Rritja, deri në 400, e numrit të inspektorëve të punës;
Padi kundër Serbisë për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë;
Vetting: Gjykatat, Prokuroria, Policia, Agjencia Kosovare e Inteligjencës, Dogana, Inspektorati Policor, Njësia e Inteligjencës Financiare;
Mekanizmi i veçantë hetimor për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë;
Fond për Ruajtjen e Aseteve të Konfiskuara;
50% përfshirja e fëmijëve të moshës 3-5 vjeç në edukimin parashkollor;
Dyfishim i pjesëmarrjes së grupmoshës 1-3 vjeç në edukimin parashkollor;
Rikthim i Kosovës në ENQA;
Themelimi i Spitalit të Prishtinës;
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore;
Eliminimi i monopoleve (Homologimi i automjeteve);
Anëtarësimi në UNESCO;
Stadiumi Kombëtar;
Partneriteti për Paqe me NATO-në;
Shërbimi ushtarak i obligueshëm tremujor;
Rishikimi funksional i shërbimit të jashtëm;
Banka Zhvillimore;
Votim në misionet më të afërta diplomatike dhe konsullore;
Gjetja e zgjidhjes për Kartonin e Gjelbër.
Me qëllim të monitorimit më të lehtë dhe rritjes së llogaridhënies ne kemi përgatitur edhe ndarjen e detyrave që burojnë nga Programi i Qeverisë sipas mandatit të secilit ministër. Ministria me më së shumti detyra është Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit, me gjithsej 36 masat, së bashku me Ministrinë për Ekonomi, me gjithsej 35 masat.
Programi identifikon funksionimin e 9 fondeve të ndryshme dhe miratimin e 27 ligjeve.
rogrami i Qeverisë së re është diku në mes ideales dhe të pamundurës. Programi përmban masat e duhura, pothuaj në çdo sektorë. Sidoqoftë, zbatimi i Programit do varet nga disa të panjohura. Si do të financohen të gjitha 217 zotime? A do të arrijë koalicioni të ruaj konsensusin politik për të shtyrë përpara njëkohësisht dialogun me Serbinë, reformën në drejtësi, administratën publike dhe/apo në shëndetësi? A do të këtë Qeveria kapacitet të mjaftueshëm teknik dhe ekspertizë për të administruar një program kaq ambicioz?
Ne besojmë që sikur në ato pyetje më komplekse të njerëzimit, përgjigja edhe në këtë rast është: vetëm koha do të tregoj. Sidoqoftë, në ndërkohë, ne besojmë se publikimi ynë i radhës na ka ofruar mjete të mjaftueshme për të monitoruar punën e Qeverisë dhe për të kërkuar llogaridhënie për zotimet e bëra.
Studimi i plotë “MISION I (PA)MUNDUR: Programi i Qeverisë 2020-2023” mund të shkarkohet në: https://www.epik-eu.com/sq/publikimet.
[email protected] epik-eu.com /epikinstitute