Mehmet HAJRIZI: KRYENGRITJA E KTHESËS HISTORIKE E VITIT 1981 NË KOSOVË

Mehmet HAJRIZI: KRYENGRITJA E KTHESËS HISTORIKE E VITIT 1981 NË KOSOVË

(Fjalë në Tryezën për Pranverën Shqiptare ‘81, më 11 mars 2020)

  1. Kryengritja

Si sot 39 vjet më parë, në Universitetin e Prishtinës studentët shqiptarë ndezën shkëndijën e parë të demonstratave kundër regjimit pushtues, të cilat më vonë u kthyen në një kryengritje masive të qytetarëve.

Të filluara më 11 mars të vitit 1981, me kërkesa dhe karakter social, në ditët vijuese, më 26 mars dhe 1 prill demonstratat u shkallëzuan, me pjesëmarrjen e gjerë të qytetarëve dhe me karakterin politik e kombëtar të tyre, me parullën qendrore “Kosova-Republikë”, për të arritur kulmin e zhvillimit më 2 dhe 3 prill me qindra mijë pjesëmarrës. Programi minimum dhe legjitim i kryengritjes për statusin e republikës kishte qëllim kryesor barazimin e shqiptarëve në Jugosllavi me popujt tjerë të Federatës.

I ndodhur para një kthese të madhe historike në Kosovë dhe para heroizmit masiv, regjimi pushtues, në gjendje paniku, solli me ngut mbi gjashtëdhjetë mijë forca, tanke dhe aeroplanë, agjentë dhe hetues, kriminelë të hurit e të litarit,  të cilat shtinë me armë zjarri mbi masën e grumbulluar dhe arrestuan gjerësisht demonstrues e veprimtarë të çështjes kombëtare. Në Kosovë u shpall gjendje e jashtëzakonshme dhe orë policore, kurse demonstratat u kualifikuan kundërrevolucion, që t’u jepej karakteri i rrezikshmërisë së lartë dhe të ndërmerreshin masat vepruese kundër Kosovës dhe popullit të saj.1 Qëllimi i regjimit ishte  t’i hapte rrugë sulmit frontal kundër  popullit liridashës shqiptar, lëvizjes çlirimtare dhe vlerave të tij politike, kombëtare, arsimore, kulturore etj.

Bilanci i dhunës serbe në kryengritje ishte tragjik. Në ballë të demonstratave, si organizatorë të shkëlqyeshëm të tyre, ranë dëshmorë Naser Hajrizi e Asllan Pireva dhe Xhelal Maliqi e Salih Abazi në Prishtinë, më 2 prill 1981. Më 3 prill ranë në Vushtrri Salih Mulaku e Ruzhdi Hyseni, kurse në Ferizaj Rizah Matoshi e Sherif Frangu. Më 13 maj 1981 në qëndresën epike në kullën e tyre, duke luftuar kundër hordhive policore e ushtarake jugosllave, ranë dëshmorë, babë e bir, Nebih e Tahir Meha, në Prekazin e rezistencës kundër pushtuesit serb. I riu, Nesimi Dervishdana u vra në Gjakovë më 26 korrik 1981 nga oficerë të Ushtrisë Jugosllave, kurse Ibrahim Krasniqin e Afrim Abazin, autoritetet e regjimit i mbytën në burgjet jugosllave. Gjithashtu u plagosën me armë zjarri një mijë demonstrues dhe u arrestuan e u dënuan me burgim të gjatë  mijëra të tjerë. Mbi 700 000 qytetarë u trajtuan në organet policore. Një sulm frontal i regjimit u drejtua kundër çdo vlere të kombit shqiptar, pa përjashtim. Atje ku digjen librat, në fund digjen edhe njerëzit, thoshte Haine, sikur të profetizonte  zhvillimet e ardhshme në Kosovë.

Politika shoviniste e kriminale e Beogradit në Kosovë i kushtoi shumë popullit shqiptar, por edhe vetë Serbisë e Jugosllavisë.

Kryengritja e vitit 1981 kishte shpërthyer si pasojë e padrejtësisë së fillimshekullit që i ishte bërë kombit shqiptar; statusit prej kolonie të Kosovës dhe rrezikut nga projektet serbe në njërën anë, por edhe si rezultat i veprimtarisë së gjatë e të bujshme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në anën tjetër.

E pakënaqur me reformën kushtetuese të vitit 1974, me të cilën statusi i Kosovës ishte avancuar në kuptim dubioz, duke u bërë element konstituiv i Federatës edhe pse mbetej brenda kuadrit të Serbisë, kjo përgatitej me projekte politike, për ta suprimuar autonominë e Kosovës, siç bëri më 1989.

  1. Lëvizja Kombëtare Shqiptare dhe kryengritja

Pas goditjeve që kishte pësuar në demonstratat e vitit 1968, Lëvizja Kombëtare Shqiptare ishte riorganizuar dhe konsoliduar, duke ndërtuar strukturën e saj mbi bazën e fortë teorike dhe në veprim praktik. Grupi Revolucionar i Kosovës i fillimit të dekadës së tetë, i cili më vonë u riemërtua Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës (OMLK) filloi për herë të parë botimin e shtypit klandestin, fillimisht me “Zëri i Kosovës” dhe në vijim “Pararoja” e së fundi me “Liria”-n e mirënjohur. Kjo organizatë i zgjeroi radhët e veprimtarëve profesionistë, veproi në të gjitha viset shqiptare nën pushtimin jugosllav gjatë gjithë dekadës, duke përgatitur faktorët subjektivë të një rezistence të hapur qytetare. Veprimtaria klandestine e këtyre viteve kishte vështirësitë e veta edhe për faktin e një iluzioni të lirisë dhe gjoja të zgjidhjes së çështjes shqiptare, si opinion i përhapur gjerësisht nga propaganda e regjimit pushtues.  Nga faktorët e jashtëm objektivë vështirësues, ishin rrethanat historike të të ashtuquajturës ”Luftë e ftohtë” në plan ndërkombëtar, Jugosllavia stabile në raporte të brendshme e të jashtme, angazhimi  për ruajtjen e paqes e të sigurisë në Evropë që kulmoi me mbledhjen e Helsinkit, kushtet e shtetit shqiptar të izoluar e të injoruar ndërkombëtarisht dhe fuqia madhore ushtarake jugosllave që rrezikonte jo vetëm Kosovën, por edhe Shqipërinë.

Në gjysmën e dytë të viteve shtatëdhjetë u organizuan dhe vepruan edhe disa organizata të tjera çlirimtare, si Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi, e cila nxirrte organin e shtypit ”Lajmëtari i Lirisë”, Lëvizja për Çlirimin Nacional dhe Social të Kosovës, Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi, me organin “Revolucioni”, Fronti i Kuq Popullor, i cili botonte revistën “Bashkimi”, etj.

Në prag të kryengritjes së vitit 1981, Lëvizja Kombëtare ishte mirë e organizuar dhe e përgatitur për ta orientuar dhe udhëhequr këtë ngjarje historike të Kosovës. Ajo i mobilizoi  shqiptarët në Jugosllavi, duke kultivuar vlerat më të mira  të traditës luftarake shqiptare, vuri bazat e bashkëpunimit me Shqipërinë dhe organizoi  mërgatën  e degdisur nëpër botë, duke e kthyer në një forcë të madhe të çështjes shqiptare. Trashëgimia e saj gjatë viteve shtatëdhjetë u shfrytëzua edhe nga brezat vijues, duke siguruar kështu avancimin e saj cilësor nga vitit në vit.

Organet sunduese në Kosovë dhe në Jugosllavi hiqeshin si të befasuara me kryengritjen dhe sidomos me përmasën e saj, megjithëse e dinin veprimtarinë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe nivelin organizativ të saj. Regjimi policor, pas ndjekjeve e luftimit sistematik të lëvizjes së organizuar, duke shtënë kundër saj, herë në cak e herë kuturu, besonte ta kishte gjymtuar atë, por për më tepër ishte i bindur se qytetarët e bombarduar me demagogjinë e tij mashtruese nuk do të mobilizoheshin në atë nivel dhe përmasë të rezistencës. Vladimir Bakariq, një zyrtar veteran dhe i lartë jugosllav edhe ky i befasuar thoshte: “Dikush  u ka prirë në mënyrë shumë profesionale këtyre demonstratave dhe është vështirë të thuhet se një Kosovë relativisht e prapambetur ka mundur të japë një nivel aq të lartë të organizimit sikurse ka qenë atje. Pra, jo në linjën komuniste, por në linjën antikomuniste.”2 Zyrtarët jugosllavë, megjithatë nuk shprehën befasi, si ishte e mundur që përkundër shovinizmit të shfrenuar serb, madje edhe ndër civilët që sulmonin demonstruesit, Lëvizja Kombëtare Shqiptare i kushtonte aq rëndësi ruajtjes së karakterit demokratik e paqësor të demonstratave dhe pastërtisë së luftës politike.

Lëvizja Kombëtare e Kosovës u godit rëndë, por si feniksi u ripërtëri sërish, duke u fuqizuar më shumë se kurrë më parë, duke u zgjeruar në të gjitha viset e pushtuara shqiptare nën Jugosllavi, por edhe në mërgatë dhe duke sintetizuar gjithë përvojën e brezave paraprak të saj.

Lëvizja e organizuar në kryengritje shpalosi virtytet larta morale e patriotike,   heroizmin masiv dhe profesionalizmin revolucionar, duke i dhënë asaj dëshmorë nga radhët e veta.

Gjatë  kryengritjes ajo hartoi dokumentin program të Frontit për Republikën e Kosovës, i cili shërbeu si bazë parimore e bashkimit të ardhshëm të Lëvizjes Kombëtare.

Dhjetë vjet veprimtari të Lëvizjes, me përballje dhe qëndresë të pashembullt ndaj represionit udbesk, me ngritjen e shpejtë dhe strukturimin profesional, komunikimin intensiv me publikun dhe frymëzimin e mobilizimin qytetar për rezistencë të hapur e masive, ishin themeli i kryengritjes dhe e kthesës historike në Kosovë.

  1. Rëndësia historike e kryengritjes

Kryengritja e Kosovës më 1981 ishte pagëzimi i zjarrit për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, sprova e pjekurisë dhe e qëndresës së saj. E copëzuar në disa grupe e organizata, Lëvizja u bashkua në skenën e hapur të veprimit çlirimtar, jo vetëm brenda saj, por edhe me popullin e ngritur në këmbë, duke mbledhur e mobilizuar gjithë energjitë dhe potencialin luftarak të Kosovës. Bashkimi në veprim u bë  më i fortë, kurse veprimi i bashkuar ishte kushti i suksesit.

Ky përbashkim i gjerë rreth flamurit dhe  qëllimit  legjitim të republikës e të barazisë, gëzoi solidaritet vëllazëror në Shqipëri, në mërgatë dhe gjithandej në botën demokratike. Kjo ishte fitorja e parë dhe më e madhja e kryengritjes. Jehona  e saj shkoi në katër anët e botës, duke e demaskuar fytyrën e vërtetë  të regjimit pushtues jugosllav, duke e bërë të njohur çështjen e pazgjidhur  shqiptare dhe duke vënë në lëvizje politikën e diplomacinë ndërkombëtare. Viti 1981 në Kosovë e nxori jashtë përdorimit makinerinë propaganduese e mashtruese të pushtuesve.

Nuk ishin faktorët e jashtëm motori i kryengritjes, siç pretendonte Beogradi zyrtar, por e kundërta, kryengritja e vuri në lëvizje faktorin e jashtëm.

Shkaqet e kryengritjes, karakteri dhe përmbajtja, legjitimiteti i programit dhe drejtësia e luftës, mënyra e organizmit e heroizmi masiv, qenë baza e rezultateve historike dhe e mbështetjes së gjerë, brenda e jashtë për aspiratat e Kosovës. Ja përse në mbledhjen e gjatë të KQ të LK të Serbisë, më 5 maj 1981, zyrtari i lartë serb, Nikola Stojanoviq, duke folur për gjendjen e krijuar nga kryengritja në Kosovë, thoshte: “… që nga lufta e deri tashti asnjëherë nuk ishim në situatë më të komplikuar.”3

Kosova, nga një krahinë e humbur dhe e panjohur, një problem i brendshëm serb e jugosllav, u ngrit lart në agjendën e kancelarive të botës dhe  në faqet e para të shtypit botëror, ku shpërfaqej tërë dimensioni i çështjes së saj që kërkonte zgjidhje.

Çmimi i kryengritjes qe i lartë, por në saje të tij, ajo u kthye në një nyje historike, tribunë e vullnetit plebishitar qytetar dhe një rubikon pa prapakthim.

Me kryengritjen e pranverës së vitit 1981 nis një epokë e re e çlirimit të brendshëm të energjive të lirisë e pavarësisë së Kosovës dhe hapet perdja e aktit të fundit të robërisë së saj. Kryengritja ishte përparim i ndërgjegjes së lirisë, siç do të thoshte Hegel, por edhe prelud i ngritjeve, sasiore e cilësore të Lëvizjes së re Kombëtare, që kulmoi me Ushtrinë Çlirimtare të Komandantit legjendar, Adem Jashari. Ashtu siç kishte ndikuar Lëvizja Kombëtare Shqiptare në kryengritjen edhe kjo ndikoi në mënyrë dialektike në ringjalljen dhe fuqizimin e saj. Zjarri i ndezur i lirisë më 1981, nuk u shua më deri  në ngadhënjimin e tij mbi errësirën. Në përpjekjet e çmendura të Jugosllavisë për të shuar këtë zjarr dhe për ta zhbërë Lëvizjen tonë kombëtare, mbase edhe të vetë Kosovës, ajo shpejtoi jo vetëm fundin e sundimit kolonial të saj, por edhe të shembjes së vet, si shtet i bashkuar federativ. Nga viti 1981, siç shkruante shtypi i huaj, Kosova dhe Jugosllavia nuk ishin më si përpara kryengritjes.

Një fakt esencial historik që do mbajtur parasysh në analizë të kryengritjes së Kosovës, është barrikada që ajo u vuri skenarëve serbë, të përvijuar sidomos në dokumentin “Libri i Kaltër” të vitit 1976 për suprimimin e autonomisë. Ky skenar pritej të inskenohej pas vdekjes së Titos, duke u përjetësuar shumë më lehtë në kushte paqeje e stabiliteti, se sa në fund të dekadës, kur po frynin erëra të tjera në rajon dhe në botë.

Kosova më 1981 po i kontribuonte zhvillimit të demokracisë evropiane në rajon, duke promovuar me gjak të drejtën e shprehjes së vullnetit e të revoltës dhe duke filluar rrënimin e një burgu të madh të popujve në truallin e Evropës.

Kryengritja i mbrojti, i kultivoi dhe i afirmoi edhe njëherë fuqishëm virtytet dhe vlerat e larta shqiptare, kundër të cilave u vërsul regjimi me tërë mekanizmat që kishte në dispozicion. Kosova e ndryshoi dhe e lëvizi historinë, duke triumfuar moralisht mbi armikun dhe duke  i hapur shtigjet e lirisë së sigurt që do ta arrinte në më pak se dy dekada.

  1. Përfundim

Në konkluzion, mund të thuhet që kryengritja e vitit 1981 u frymëzua, u përgatit e u mobilizua, për vite me radhë, nga Lëvizja Kombëtare, e cila e drejtoi dhe e udhëhoqi atë më sukses të plotë. Ajo nuk u orkestrua nga jashtë, por ishte vepër e vetë popullit të kryengritur shqiptar i cili po luftonte për të qenë i barabartë me popujt tjerë të Federatës jugosllave.

Viti 1974 përbënte një momentum historik për Kosovën që nuk u kap nga politika zyrtare. Shansi i Republikës ishte në reformën kushtetuese të atij viti, që në thelb kishte avancimin e vetëqeverisjes së republikave, duke e shtyrë sistemin jugosllav drejt konfederatës. Po të veprohej në sinkron, në njërën anë Lëvizja Kombëtare dhe në tjetrën institucionet politike zyrtare të Kosovës, në të cilat shqiptarët kishin pjesëmarrje dhe ndikim tashmë shumë më të fuqishëm, por edhe mobilizimi politik i qytetarëve, si presion nga baza, statusi i republikës për Kosovën do të bëhej i mundshëm që atëherë.

Shanset e tilla historia nuk i sjell shpesh para popujve, por megjithatë një tjetër erdhi më 1981, kur zyrtarët politikë institucionalë përveç forcës së argumentit, kishin edhe argumentin e forcës, me Lëvizjen Kombëtare më të fuqishme se kurrë më parë dhe më një popull të tërë të ngritur në këmbë. Nuk u shfrytëzua as kjo koniunkturë e përmasave historike. Si puna e gjuetarëve, kur njëri nuk arrin ta kap prenë, do ta kap tjetri; Serbia bëri çmos që të krijonte rrethana të reja në favor të saj dhe në dëm të Kosovës e të shqiptarëve.

Kryengritja nuk e përçau, por e bashkoi si kurrë më parë popullin, ajo nuk ishte e ngutshme, por madje e vonuar 12 vjet.

Statuskuo e para demonstratave ishte e paqëndrueshme, prandaj Kosova do të ecte përpara drejt avancimit, ose do të prapakthehej në histori.

Dimensioni dhe roli historik i kryengritjes së vitit 1981 ende nuk janë studiuar meritueshëm. Pas gati 40 vjet të kësaj kryengritjeje që e ktheu kursin e anijes së Kosovës drejt brigjeve të shpëtimit një herë e mirë, nuk ka ende përjetësim të saj dhe të sakrificës sublime të të rënëve, jo vetëm në ndonjë monument, por as me ndonjë projekt serioz dhe të plotë studimor të institucioneve tona shkencore!

Institucionet shkencore dhe studiuesit shqiptarë në përgjithësi, i kanë të gjitha kushtet për studimin e mirëfilltë të kësaj periudhe historike të Lëvizjes së re Kombëtare, me materialet e bollshme arkivore, me veprimtarët e dëshmitarët e gjallë dhe me distancën e mjaftueshme të kohës.

Këto studime duhet liruar nga subjektivizmi, instrumentalizimi e abuzimi dhe trajtimet e gabueshme metodologjike e përmbajtjesore. Historiografia jonë duhet ta studiojë shkencërisht kryengritjen e vitit 1981, mbi bazën e faktografisë dhe t’i japë asaj dimensionin historik, rolin e vendin që meriton në të kaluarën e lavdishme të Kosovës e të kombit shqiptar.

      Sikur më 1981, edhe sot Kosova e pavarur duhet t’i kërkojë miqësisht botës demokratike ta trajtojë të barabartë me shtetet e dala nga ish-Jugosllavia.

1 Mehmet Hajrizi, Lëvizja Kombëtare e Kosovës dhe demonstratat e vitit 1981, kumtesë në Simpoziumin shkencor të Institutit të Historisë dhe Departamentit të Historisë të Fakultetit Filozofik: Demonstratat e vitit 1981në Kosovë.   Prishtinë, më 25 mars 2011

2 Blerim Reka: Demonstratat e 81-shit antikomniste.  “Rilindja”, 12.03.1986, Tiranë.

3 Шта се догаћало на Косову, (Çfarë ka ndodhur në Kosovë), Политика, Београд , мај 1981, f.135

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …