Deklaratat diametralisht të kundërta të Albin Kurtit dhe Avdullah Hotit, tregojnë më së miri se cila gjendje po mbretëron brenda koalicionit të zorit, LDK-Vetëvendosje. Kurti kërkon afat për ta bindur LDK-në të veprojë ashtu sikur do vetë dhe kurrsesi ndryshe, ndërsa zëvendësi i tij nga radhët e koalicionit, Avdullah Hoti, kërkon që taksa të hiqet përnjëherë, por vetëm me fjalë, që i merr era, sepse nuk mund të kushtëzojë me asgjë shefin e tij, derisa një krah i LDK-së me Vjosa Osmanin në krye mbështet Kurtin.
Andaj Hotit i kanë mbetur fjalët bombastike, për të treguar sesa është i përkushtuar për Amerikën, por ja që po e pengon shefi i tij, i cili nuk merakoset për Amerikën, sepse duke i bërë “karshillak” asaj ai po tregon se nuk është vasal, si Isa Mustafa e Hashim Thaçi. Kjo është mendësia e Albinit. Ai e di fare mirë se zëvendësi i tij, duhet ta dëgjojë atë e jo Amerikën, sepse ai është kryeministër i Kosovës e jo Grenelli, madje as Trumpi.
Avdullah Hoti duhet ta kuptojë mirë pozitën e tij, mbase edhe e ka kuptuar me kohë, por ja që ka nevojë ta shpreh amerikanizmin e tij puro gjenetik të LDK-së, me aq sa ka mundësi, por të dalë mbi shefin nuk mundet, sepse në radhë të parë nuk e lejon shefi dhe nuk e ka përkrahjen e shumicës së zyrtarëve të partisë së vet, të cilët sapo kanë zënë postet në Qeveri e kudo dhe as mund të paragjykohet se do t’ i lënë ato për një kërcënim të Amerikës, apo të ardhmen mjaftë të brishtë dhe të pasigurt të Kosovës.
Burri që është burrë njëherë thotë jo dhe “guri lua e burri nuk lua”, kanë thënë dikur malësorët.
Albini do ta heq taksën por jo menjëherë, por vetëm në momentin kur të bindet se mund të ketë pasoja për pushtetin që e ka në dorë, edhe pse në llogarinë e kohës, mund të gabojë, sikur gabojnë ata që e lënë punën për minutën e fundit. Ai me kohë e ka kuptuar se tërë e kaluara dhe historia e LDK-së, tërë filozofia e saj pacifiste është bazuar dhe bazohet në pritje, në lëshim pe, sikur ka lëshuar pe edhe në formimin e koalicionit edhe në emërimin e kryekuvendares sipas pëlqimit të Albin Kurtit.
Kemi kohë për të pritur. Tani aleati kryesor i Kurtit për pritje është koronavirusi dhe gjendja e rëndë e frikës me të cilët po përballohet jo vetëm Kosova por gati gjysma e botës. Kujt i bie në mend të mendojë se po e heq apo jo taksën Qeveria Kurti, se po pajtohet apo jo, Avdullah Hoti… Albini ka sens për ta nuhatur situatën, andaj edhe kërkon kohë për ta bindur LDK-në që mendimet e qëndrimet e tij, ashtu sikur e ka bindur deri tani. (RKL)