Me nismën e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizajt, sot në këtë qytet u takuan drejtorët e drejtorive të qendrave më të mëdha të Kosovës, për të diskutuar një numër të madh problemesh që lidhen me funksionalizimin e teatrove të qyteteve.
Drejtorë të drejtorive nga Ferizaj, Gjilani, Mitrovica, Prishtina, Peja, Gjakova etj., si dhe drejtorë e artistë teatrosh, paraqitën një sërë vështirësish, të cilat po e pamundësojnë punën normale në teatrot e këtyre qyteteve. Në radhë të par ata veçuan moszbatimin e Ligjit për teatrot, lidhur me financimin e një stafi dhe trupe rezidente, e cila do të mundësonte repertor të rregullt, duke u dhënë shans krijuesve teatrorë ta bëjnë punën e vet, si dhe shikuesve t’i shijojnë vlerat që do të krijoheshin.
Pas një diskutimi të gjatë, pjesëmarrësit u pajtuan njëzëri që të kërkojnë takim me Ministrin e Kulturës, Rinisë e Sportit, për t’ia paraqitur kërkesat; të kërkojnë zbatimin e Ligjit për teatrot; të kërkojnë formimin e një kodi apo nënkodi buxhetor për teatrot; të caktojnë një afat për debat publik në të gjitha komunat e Kosovës, për të marrë mendimin e komunitetit artistik lidhur me zgjidhjet e mundshme; të ketë komunikim intensiv ndërmjet drejtorive komunale të kulturës dhe komunitetit artistik; të bëhen takime të shpeshta të kësaj natyre; të bëhet një memorandum i bashkëpunimit për repertor të përbashkët, ose për këmbimin e shfaqjeve; të formohet një kolegjium i drejtorëve, për të bashkërenduar aktivitetet etj.