Asociacioni i Komunave të Kosovës ka mbajtur Kuvendin e Përgjithshëm Vjetor, ku morën pjesë 65 delegatë nga komunat e Republikës së Kosovës dhe kryetarët e komunave.
Kryetari i AKK-së, Naim Ismajli, para delegatëve paraqiti Draft- Raportin e punës dhe atij financiar të AKK-së për vitin 2015, si dhe propozoi që të diskutohet çështja e lobimit në interes të komunave të Republikës së Kosovës.
Në mbledhjen e Asociacionit të Komunave të Kosovës, mbajtur në Prishtinë, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri në fjalimin e tij drejtuar të pranishmëve ka folur për çështjen e emërtimit të ri të komunës, Mitrovica jugore, gjë që po kundërshtohet nga qytetarët dhe këshilltarët e Kuvendit të Komunës.
Ai ka thënë se problemet rreth emërtimit janë pasojë e formimit të komunës së re në veri të Mitrovicës. “Qytetarët nuk pranojnë emërtim të ri të komunës legjitime. Edhe për Kuvendin e Komunës së Mitrovicës emërtimi i ri-Mitrovica Jugore, është i papranueshëm. Ne kërkojmë që edhe në të ardhmen të mbetet emërtimi i deritashëm-Mitrovica”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.
Po në këtë takim kryetari Bahtiri shtroi për diskutim çështjen e partneritetit publiko-privat, duke thënë se për shkak të mos definimit të duhur ligjor të kësaj çështje, komuna e Mitrovicës po has në probleme të shumta, sidomos në fushën e ndërtimit.
Kryetari Bahtiri kërkoj nga AKK që të mbështesë në mënyrë të veçantë komunën e Mitrovicës, pasi ajo ka probleme të shumta që nuk i kanë komunat tjera, e që janë si pasojë e situatës aktuale politike e të sigurisë.