Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: Pas koronavirusit

Ndonëse ditëve të fundit për shkak të koronavirusit, anekënd botës po dominon brenga, shqetësimi, frika e herë herë edhe paniku, është shpresë dhënës aksioma se çdo gjë që ka fillim ka edhe fund, e fund do të ketë edhe koronavirusi që ka marr mijëra jetë të njerëzve.

   Është shpresëdhënës fakti kur sheh shqetësimin dhe solidaritetin e njerëzve për të shpëtuar jetën e të tjerëve por shpresa shuhet sakaq kur kujton se janë me qindra mijëra jetë njerëzisht që shuhen çdo ditë nga uria e zërat e tyre të mekur nuk dëgjohen nga mediet e as fytyrat e tyre nuk zënë vend nëpër edicionet e lajmeve. Po ashtu janë me mijëra jetë njerëzish që shuhen nga uji i ndotur e janë mbi 200 sëmundje që vijnë nga kjo ndotje e që shkaktojnë vdekje të panumërta por as për këto nuk shqetësohet njeriu sot. Po jo vetëm kaq, janë edhe  me mijëra jetë të njerëzve që shuhen nga ndotja e ajrit por as për këto nuk jemi shqetësuar ndonjëherë, ndonëse raste të tilla kemi edhe në Kosovë ku janë me qindra raste me kancer të mushkërive për shkak të ndotjes së ajrit por edhe pse kanë vdekur me qindra, as edhe njëherë nuk jemi brengosur për këto jetë të shuara!? Mbase koronavirusi po shpërfaq egoizmin e njeriut dhe friken e tij të jashtëzakonshme kur rrezikohet mirëqenia e tij por nuk qanë kokën kur shuhet padrejtësisht jeta e tjetrit! Por ja që shqetësohet pa masë nga koronavirusi sepse ai mund ta prek edhe atë por jo ta mbys me patjetër sikur i mbyt mijëra të tjerë uria, tifoja e zorrëve, kolera, lufta, kanceri nga ajri i ndotur e qindra shkaktarë të tjerë që kanë marrë shumë herë më shumë jetë njerëzisht por ja që këta shkaktar nuk e prekin njeriu pasi ai mund të ju shmanget pa u trazuar se janë me qindra miliona që nuk arrijnë të ju shmangen assesi!

Mbase do ta kemi një botë tjetër pas koronavirusit, një botë ku njeriu do të jetë më i ndjeshëm dhe do të brengoset edhe kur një fatkeqësi që ndodhë mijëra kilometra larg, ai do të brengoset e bashkë ndjenë  ani pse nuk paraqet asnjë rrezik për mirëqenien e tij por shqetësohet se edhe ai ose ajo tjetra është njeri dhe duke respektuar e shqetësuar për jetën e tij apo saj ne po respektojnë dhe shqetësohemi për qenien njerëzore në përgjithësi, pavarësisht përkatësisë së tij kombëtare, fetare apo racore. Mase vetëm kështu do ta përmbushim porosinë e profetëve, mendjendriturve e liderëve që kanë frymëzuar njerëz anekënd botës me idetë e tyre përparimtare por ja që njeriu i sotshëm nuk lodhë mendjen për ato porosi sepse është në vrap të përmbushjes së egos së tij!!!

Është interesant nëse krahasojmë disa nga simptomat e njeriut nga të infektuar me koronavirusin dhe shenjat që po na i jep planeti ynë me dekada por që njeriu ka bërë analfabetin ose të pavëmendshëm ndaj saj ani pse fal saj ne jetojmë në mirëqenie.

   Ka kohë që për shkak të aktiviteteve të njeriut për plotësimin e egos së tij, temperatura globale ka shënuar ngritje të ndjeshme! Ndonëse ambientalistët ka kohë që kanë dhënë alarmin për pasojat që do të ketë shtëpia e njeriut nga kjo rritje enorme e temperaturës, njeriu është treguar shpërfillës ndaj dëmtimit të së vetmes shtëpi të tij-TOKËS. Ama ja që tani është alarmuar tej mase nga ngritja e temperaturës së tij të shkaktuar nga koronavirusi.

   Muaj më parë, të gjithë ishim dëshmitar të djegies së pamëshirshme të pyjeve të amazonës, pyje të cilat konsiderohen mushkëritë e planetit tonë por njeriu nuk u shqetësua sa duhet as për këtë fakt shqetësues por ja që shqetësimi arrin kulminacionin nëse vjen deri te dëmtimi i mushkërive nga koronavirusi!!!

   Për fat të keq, muaj më parë, miliarda qenieve të gjalla ju shua jeta nga zjarret e jashtëzakonshme në Australi por këto zjarre përbënin vetëm lajm për njeriun dhe asgjë më shumë. Nuk qante kokën njeriu sepse si duket nuk është i vetëdijshëm që jeta e tij është e ndërlidhur me jetën e qenieve tjera të gjalla dhe me tokën- shtëpinë e vetme ku mund të jetoi, gjalloi e të realizoj ëndrrat e tij. Ama shqetësimi arriti majat kur humbën jetën mijëra jetë njerëzish dhe njeriu tregoi se din të alarmohet, brengoset e shqetësohet dhe kërkon me çdo kusht shpëtim ama vetëm kur rrezikohet jeta e tij por jo edhe qenieve të tjera të cilat ishin larg tij, larg syve, zemrës dhe mendjes së tij!

   Po jo vetëm kaq. Është çudi se si nuk na alarmoi as edhe njëherë fakti se buzë segmentit rrugor nga QMI-ja deri në Prishtinë, në një gjatësi afër 8 km, janë 7-8 spitale!. Pra në çdo km një spital. Apo si nuk jemi alarmuar nga fakti se në çdo 50 metra kemi nga një barnatore në të cilat duhet të presim me radhë për të blerë barna! A nuk tregojnë edhe këto për praninë e sëmundjes në mesin tonë!? Deri kur ne do të shqetësohemi vetëm kur cenohet aty për aty jeta ose mirëqenia jonë!?

   Është shqetësues se çfarë njeriu kanë ndërtuar sistemet arsimore anekënd botës dekada me radhë, thuaja pa përjashtim! Njeriu sot tregon ndjeshmëri ekstreme kur rrezikohet në mënyre të drejtpërdrejt jeta apo mirëqenia e tij por është tejet i pandjeshëm kur zhvillimet nuk cenojnë aty për aty plotësimin e egos së tij, babëzinë e tij. Dekada më parë, Mahatma Gandi alarmonte se bota është e mjaftueshme për nevojat e të gjithëve por jo për lakminë e secilit. Dhe njeriu heshtë gjatë gjithë kohës ndonëse kjo lakmi bënë që të vdesin mijëra jetë njerëz nga uria, sëmundjet nga uji e ajri i ndotur. Ku ishte strukur kjo brengë që po e shfaq sot kur mund të cenohet mirëqenia e tij!? Le të urojmë që pas koronavirusit te njeriu altruizmi e solidariteti të fitoj terren ndaj egoizmit e lakmisë. Shekuj më parë, indianët e Amerikës tërhiqnin vërejtjen se çka i bëjmë tokës i bëjmë vetës sonë dhe pyesnin njerëzit e pushtetshëm të bardhë: A do t’i mësoni ju fëmijët tuaj sikur i mësojmë ne fëmijët tonë se nuk është toka e njeriut por njeriu është i tokës!? A do t’i mësoni fëmijët tuaj se të jesh mos respektues për tokën do të thotë të jesh mos respektues ndaj Zotit pasi ai është krijues i saj dhe se tokën e ke dhuratë nga Zoti!?

    Le të urojmë që kjo frymë të përhapet anekënd botës, fryma e kujdesit të njeriut për dhuratën e Zotit – mirëqenien e natyrës e je vetëm plotësimin me çdo kusht të egos së tij.

Dhe për fund, janë disa tregime të mira e mbresëlënëse dhe me porosi që sa më herët i përmbushim do të kemi të ardhme më të mirë. Tregohet se një prind i zënë pas punëve e karrierës, nuk arrinte të gjente dot kohë t’i përkushtohej fëmijët të tij ndonëse ai ia kërkonte çdo natë pak kohë për bisedë. Dhe një natë, prindi i thotë fëmiut: dëgjo, unë po e marr e po e bëjë copë copë këtë hartën e botës dhe kur ti ka kesh ribashkuar përsëri sikur ka qenë pak më parë, do të bisedoj me ty!? Pas pak minutave, fëmija i gëzuar hyn me hartë e rregulluar në kabinetin e prindit dhe i tregon se për pak minuta e ka kryer detyrën!

Prindi i habitur se si ia kishte dal fëmija i tij ta rregulloi hartën e thërmuar prej tij copë- copë, e pyet i habitur fëmijën  e tij:

– Po si e bëre, si ia dol kaq shpejt t’i ribashkosh copat e hartës së botës të shpërndara anekënd!?

– Ishte shumë e thjesht, o babi im!

– Po si ia dole kaq shpejt, kush të ndihmoj!?

– Askush por mbrapa hartës ishte portreti i një njeriu dhe duke rregulluar atë njeri e rregullova krejt botën!

Mbase ende nuk e kemi kuptuar se të gjitha problemet e vuajtjet anekënd botës zanafillojnë nga njeriu dhe se për ta bërë botën më të mirë duhet ta bëjmë njeriun të tillë dhe ta mësojmë se çka i bënë ai sot tokës, ka për ta shijuar vet nesër!!! Mbase ende vlen konstatimi i një prej filozofëve më të mëdhenj, Imanuel Kanti kur thoshte se pyetje e të gjitha pyetjeve filozofike është pyetja: Ç’është njeriu!?

Le të urojmë që pas koronavirusit, njeriu do të ndryshon dhe botën do ta ndjej si vendbanim, që nëse i ndodhë sot diçka njeriut në një lagje të këtij vendbanim, nesër ka për të ndodhë edhe në lagjen e tij. Fundja e fundit, a nuk është bërë sot bota si një fshat!? A nuk na mësonin të parët tanë se çka i ndodhë sot në komshi, prite nesër në shtëpi!? Le të urojmë që koronavirusi ta bëjë njeriun që tani e tutje kështu të arsyeton. Le shpresojmë se pas koronavirusit do ta lëmë pas edhe këtë mendësi moskokëçarëse për vdekjet e fatkeqësitë që ndodhin larg nesh dhe nuk na e cenojnë mirëqenien tonë por të fillojmë e të brengosemi e shqetësohemi për çdo jetë njeriu, pavarësisht largësisë fizike, përkatësisë kombëtare, fetare e racore. Fundja e fundit çka na mësonin shekuj më parë indianët, të mos kesh respekt ndaj krijesave të Zotit është njëjtë sikur t’mos kesh respekt ndaj Krijuesit tënd!!!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …