Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur nga 17 marsi fazën e aplikimit për pagesa direkte/subvencione për disa kultura dhe aktivitete bujqësore.
Për sektorët, të cilët do të mbështeten përmes Programit për Pagesa Direkte 2016, MBPZHR-ja ka ndarë një buxhet prej 23 milionë eurove dhe afati për aplikim për këtë program zgjatë deri më 25 prill 2016.
Ministria e Bujqësisë, në programin e sivjetmë ka paraparë subvencione për grurë, për farë gruri, për misër, për luledielli, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi, për qumësht sipas kategorive të cilësisë, për pulari, për bletari, për derrari, për pemishtet ekzistuese, për perimet në fushë të hapur, për therjet e raportuara te gjedhit. Për herrë të parë do të subvencionohen akuakultura, bujqësia organike, elbi, thekra, aronia, arra, lajthia, si dhe thëllëzat.
Ditë më parë MBPHR ka hapur afati për aplikim për Programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, ku fermerët dhe agrobizneset mund të aplikojnë për të përfituar grante nga fondi prej 23 milionë eurove. Në total buxheti për këto dy forma të mbështetjes arrin në 46 milionë euro.
Për më shumë informata, lidhur me procedurat e aplikimit për pagesa direkte, kriteret e vlerësimit fermerët mund të informohen në detaje në ueb faqen e ministrisë dhe Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.