Kreu i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka takuar udhëheqësit e Shoqatave të Dala nga Lufta e UÇK-së, me të cilët është dakorduar për anulimin e të gjitha aktiviteteve përkujtimore të dëshmorëve e martirëve në Komunën e Skenderajt, me qëllim të parandalimit të infektimit me virusin COVID-19. Kryetari Jashari, bëri të ditur se në këtë takim po ashtu janë dakorduar rreth organizimit të Akademisë Përkujtimore në Ditën e Çlirimit të Komunës së Skenderajt. “Me udhëheqësit e Shoqatave të Dala nga Lufta e UÇK-së u dakorduam po ashtu që në Ditën e Çlirimit të komunës sonë, me 18 qershor të organizojmë Akademinë Përkujtimore, në kujtim e nderim të të gjithë dëshmorëve e martirëve të komunës sonë”, tha Kryetari Jashari. Kryetari Jashari apelon qytetarët e komunës që të evitojnë tubimet e ndryshme, pasi që në këtë mënyrë mund të rrezikojmë shëndetin e shoqërisë sonë.
Në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve!
Pa frikë e panik por me kujdes të shtuar, jemi bashkë dhe do t’ia dalim!