leoni

Rrustem Geci

Rrustem Geci: Ç A M Ë R I A – poezi Hymnore

Jam fije  bari  e  bimur  n´këto  troje

jam  gjuha  shqipe   e  dheut  amtar

në zemër kam  të  dashurën Kosovë

në shpirt e kam  të  lashtën  Çamëri!..

 

Atdhe, thirri ata që ty s´të kanë humbur

thirri të mblidhen në qytete dhe fshatra

thirre shkencën, artin, dhe univerzitetet

të krijojmë  Bashkimin  për  Shqipërinë

 

Nuk ka rehati pa  u bashkuar shqiptarët

nuk ka rehati  pa  i  rikthyer  tokat tona

nuk ka rehati pa  lumturi  të shqiptarve

gjuha na do  të  jemi  të  zotët  e vendit

 

Të rënët  e  tëra  kohërave  na thërrasin

ç´po bëjmë  ne  të  gjallët e  tashëm

pse kjo heshtje e  turpshme  ndaj vetes

mos heshtja na ka vrarë  e  shkërmoqur

 

Të tashmit që kundërshtojnë bashkimin

do të ikin  n´Hadhé, të harruar me turp

Çamëria  e  Bashkuar  s´ka zëvendësim

për 13  mijëvjet, jam Jugu  i Shqipërisë

 

Zgjohu Shqipëri! Zgjohu Shkup  i  Ilirisë

fol nëna  ime e përgjakur; jam Çamëria

një revolucioni i yni  është  i nevojshëm

Një  revolucion  shqiptar   për  bashkim!..

Poezi nga dorëshkrimet, prill, 2016

 

 

 

Rrustem Geci: Lirinë e Kosovës nuk ka burg që e nxë

(Ese për librin e shkrimtarit, Kadri Rexhaj, “Pikëtakime letrare”)

Shkrimtari, publicisti, dhe ish i burgosuri politik, veprimtari dhe patriot i radhëve të para për çlirimin e Kosovës, Kadri Rexhaj, këto ditë doli me libër të ri, „Pikëtakime letrare“. Me këtë libër të eseistikës moderne shqiptare, shkrimtari Kadri Rexhaj, e begaton letërsinë tonë të bukur me një vepër të mirëfilltë letrare. Veçanti të librit, „Pikëtakime letrare“ janë; stili i shkrimit, estetika e kuptimeve, dramaturgjia e përgatitjeve dhe përmbajtja e veprimit për luftën finale. Esetë e shkrimtarit Kadri Rexhaj, janë mesazhe veprimi dhe kulturimi. Ku fshihet e vërteta, se të pa vërtetës në Kosovë po i biem grushte në fytyrë.

Rruste, jam i dashuruar i së bukurës, shprehet poeti Rexhaj. Poetikë e kam kokën, shpirtin dhe zemrën. Kosovë, shprehet Kadri Rexhaj, unë i kam dy të dashur të mishit dhe të gjakut tim; Atdheun dhe motrën e tij, Lirinë. Pa këta dy të dashur të shpirtit dhe të mendjes sime, mua do më merrej goja, dhe do të më zihej fryma…Ky libër i botuar nga Radio Kosova e Lirë, i bën nderë edhe botuesit, lexuesit, po edhe opinionit krijues shqiptar. Libri i Kadri Rexhajt, „Pikëtakime letrare“, shtrihet në një hapësirë shkrimesh në 64 ese. Në këtë libër gjeografia e atdheut tonë, hapet përmes krijuesve të vullnetit kryengritës të shqiptarëve për liri, pavarësi, dhe bashkim kombëtar. Që në faqen e parë të librit me ese, „Pikëtakime letrare“, shkrimtari Kadri Rexhaj, zëshëm shpalon dashurinë e tij për artin, për letërsinë, dhe përcaktimin e vetes së tij në betejat Kuq e Zi të kësaj jete.

Për një popull qytetërues si ky i yni, pushtimi ishte poshtërim i rëndë. Prandaj, gishti në këmbëz për Çlirimin e Kosovës ishte i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Shkrimet e mia shprehet shkrimtari Rexhaj, para se t´i realizojë si art, i kam konceptuar dhe artikuluar si porosi, thirrje, mobilizim…Unë kujtoj shprehet autori i librit „Pikëtakime letrare“, se me arsim të mirëfilltë gjeopolitik, dhe historik, shqiptarët do të jenë në udhë të mbarë që t´i rikthejnë tokat e pushtuara nga fqinjët.

Fjala kryengritëse në letërsi është ndërgjegje e shkrimtarit, muziktarit, piktorit, artistit, dhe ndërgjegje e gjithë patriotëve që përfshihen në luftën për çlirim. Libri i Kadri Rexhës, „Pikëtakime letrare“, është përmbledhje esesh, që nga De Rada i madh e deri tek shkrimtari i zëshëm i Luftës Çlirimtare të Kosovës, Ahmet Qeriqi.

Kadri Rexhaj u lind me 7 shkurt 1949, në Cercë të Burimit. Është magjistër i shkencave filologjike, dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Veprimtaria krijuese dhe patriotike e shkrimtarit Kadri Rexhaj është e gjerë dhe me taban kombëtar. Shkrimtari Kadri Rexhaj, deri më tash ka botuar këto vepra; 1 . Kosovë, gurrë e bardhë, 2 . Fati i luleve ( monografi për Jusuf Gërvallën ), 3 . Pushkë lajmëtare ( monografi për Edmond Hoxhën ) 4 . Dervish Shaqa ( monografi ), 5 . Pikëtakime letrare, dhe 6. Thirrjet e kohës.

Në këtë libër autori na sjell një portretizim të krijuesve shqiptar. Bardhësia shpirtërore e poetëve shqiptar hetohet edhe në vargjet me plagë betejash dhe luftërash. Nuk ka shkronjë shqipe që nuk është përballur me armikun pushtues, dhe me djemtë e lirisë së burgosur. Libri i Kadri Rexhajt, „Pikëtakime letrare“, i takon llojit të eseistikës kryengritëse.

Në çdo betejë shkruan autori, fjala dhe flamuri ishin të parat. Fjala kryengritëse e brezit të autorit Rexhaj, ishte nevojë dhe domosdoshmëri, për të zgjuar masën milionshe të popullit tonë kundër pushtuesit serb.

Gjërat që kanë ngrohtësinë e diellit unë i pëlqej shumë shkruan shkrimtari Kadri Rexhaj. Unë kudo e ndiej këtë tokë, pëshpërimat dhe dhimbjet e saj. Në shpirtin tim prej shkrimtari unë kurrë si kam bërë strehë marrëzisë. Jeta pa dashurinë e atdheut për mua është e zbrazët dhe e pakuptimtë. Pa idenë krijuese të bashkimit, çdo gjë do mbetet e vogël dhe midis vogëlimave.

Nuk mjafton të jesh nën hije, e të bëhesh shkrimtar. Jeta nën pushtues do që ta bësh dorën grusht. Ambient lufte dhe kryengritjesh ishte e tërë jeta ime dhe e brezit tim shprehet shkrimtari, Kadri Rexhaj. I frymëzuar nga betejat e poemave të shkrimtarëve të rilindasve tanë, Kadri Rexhaj, në librin „Pikëtakime letrare“, na e jep një peizazh mbresëlënës të letërsisë sonë të bukur. Me kujdes i kam lexuar ëndrrat e mia, ujqërinë e fqinjit armik, të tashmen time të ardhshme, dhe të kaluarën time të tashme.

I frymëzuar nga motivet e popullit kryengritës, si dhe nga betejat e poemave të shkrimtarëve dhe të rapsodëve tanë më të shkëlqyer, me librin „Pikëtakime letrare“, shkrimtari Kadri Rexhaj, na e ka dhënë një dimension të veçantë letrar dhe një tablo me peizazh ndezës të letërsisë sonë të bukur. Uroj autorin Kadri Rexhaj, për këtë libër të mrekullueshëm. Sukses i nderuari shkrimtar!

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …