BE-ja u ndalon eksportet e pajisjeve shëndetësore vendeve të Ballkanit Perëndimor

BE-ja u ndalon eksportet e pajisjeve shëndetësore vendeve të Ballkanit Perëndimor

Bashkimi Evropian vendosi për t’i ndaluar eksportet e pajisjeve shëndetësore me vendet joanëtare të Bashkimit Evropian, e që solli shqetësim në vendet e Ballkanit Perëndimor të cilat janë të prekura me COVID-19. Me këtë rast, kryeparlamentarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor i janë drejtuar me një letër Presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli, dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nëpërmjet së cilës u propozojnë Parlamentit dhe Komisionit Evropian disa masa shtesë për luftën ndaj pandemisë në rajonin tonë.

“Të vetëdijshëm për kompleksitetin e situatës së pandemisë COVID-19, numrin e personave të infektuar dhe pajisjet e pamjaftueshme mjekësore të vendeve tona, sot, më tepër se kurrë, kemi nevojë për solidaritet, një qasje të koordinuar dhe veprim të përbashkët. Ndaj, kërkojmë që vendet e Ballkanit Perëndimor: Të përjashtohen nga vendimi për të kufizuar eksportin e pajisjeve mjekësore nga Bashkimi Evropian dhe të përfshihen në skemën e autorizimit të eksportit BE-së; Të kenë akses në prokurimin e përbashkët me BE-në të pajisjeve mjekësore për të luftuar pandeminë; Të lejohen që një pjesë e fondeve të Programit IPA II dhe të gjitha fondet e tjera në dispozicion nga burimet e BE-së të përdoren për të luftuar pandeminë COVID-19. Veç masave të propozuara, në emër të parlamenteve të vendeve tona, mirëpresim çdo lloj ndihme që Bashkimi Evropian është i gatshëm të vejë në dispozicion të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në letrën e kryeparlamentarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Letra është nënshkruar nga Gramoz Ruçi, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë; Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës; Denis Zvizdic; kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të Bosnjë-Hercegovinës dhe Dragan Covic, kryetar i Dhomës së Popujve të Bosnjë-Hercegovinës; Ivan Brajovic, kryetar i Parlamentit të Malit të Zi; Talat Xhaferi, kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut; Maja Gojkovic, kryetare e Parlamentit të Serbisë.

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj Kosovës duke i vendosur masa ndëshkuese

Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar

Albin Kurti,  në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …