Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Gjykata Speciale për Kosovën duhet të hetojë krimet serbe kundër shqiptarëve

Nuk ka dyshim se qeveria aktuale e Kosovës ka bërë gabime të shumta në skenën e brendshme politike po aq sa edhe në atë të jashtme. Po ashtu, nuk ka asnjë dyshim se zyrtarët udhëheqës në Prishtinë janë përkujdesur deri më tash vetëm për interesat e tyre personale dhe i kanë harruar krejtësisht interesat e qytetarëve tanë. Një ndër gabimet më të mëdha së fundi është edhe aprovimi në mënyrë të verbër i Gjykatës Speciale të Krimeve të Luftës në Hagë, e cila ekskluzivisht do të merret vetëm me pretendimet për krime lufte të shqiptarëve duke injoruar krejtësisht gjenocidin e ndërmarrjes kriminale të Serbia gjatë luftës së Kosovës për pavarësi në vitet 1998/99.

Shumica qeverisëse në Kosovë përmes këtij aprovimi dhe liderët aktual të Kosovës janë përkujdesur për fatet e tyre personale duke shpresuar se do të falen nga gjykata përmes, siç  shumëkush në Kosovë beson marrëveshjeve të heshtura me perëndimorët për pozita të reja në shkëmbim të pranimit të krijimit të gjykatës. Me gjasë, jo vetëm të gjykatës, por edhe të marrëveshjeve të dëmshme të vitit 2013 e 2015 me Serbinë, përfshirë edhe Demarkacionin me Malin e Zi. Marrëveshje që u konstatua nga Gjykata Kushtetuese, se ishin shkelur 23 nene te Kushtetutës ose binin ndesh me frymën e saj..

Arsyeja që po shkruaj nuk ka të bëjë për t’i krijuar pengesa funksionimit të kësaj gjykate. çështja thelbësore është nevoja për të përmirësuar gabimin e bërë me formën e saj dhe që ajo të merret edhe me krimet e luftës të bëra në Kosovë nga regjimi i Serbisë nën udhëheqjen e Millosheviqit. Shumë nga ata që janë përgjegjës për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës gjenden të lirë në Serbi dhe madje janë të përfshirë në jetën politike atje po ashtu. Kjo gjykatë në formën aktuale të saj është diskriminuese. Asnjë standard ndërkombëtar i drejtësisë nuk është respektuar kur janë marrë vendimet për formimin e saj.

Gjykata Speciale nuk po formohet për t’u marrë me të gjitha krimet e kryera në Kosovë. Ajo po krijohet për t’u marrë vetëm me pretendimet për krimet e kryera vetëm të njërës palë, asaj të UÇK-së. Kjo është thjeshtë një drejtësi selektive dhe krejtësisht e turpshme. Krimet nuk kanë etni, as komb, as racë e as fe. Krimi është krim ose nuk është fare.

Kjo gjykatë speciale po formohet për të ndriçuar pretendimet e raportit të politikanit zviceran Dick Marty, të adoptuar në Rezolutë nga Këshilli i Evropës. Besoj se këto pretendime janë krejtësisht fabrikim i Serbisë. Këto akuza janë të tmerrshme, por në të vërtetë janë të pabaza. Në të njëjtën kohë ushtria dhe policia e paramilitarët e një shteti që ka bërë krime lufte dhe gjenocid në Kosovë janë falur dhe janë lënë anash nga kjo gjykatë. Serbia është falur për krimet e tmerrshme që ajo i ka kryer në Kosovë dhe rajon. Kjo është e papranueshme për shoqërinë shqiptare të Kosovës e cila është injoruar krejtësisht nga drejtësia për të cilën na flasin  perëndimorët.

Ushtria e Serbisë dhe policia e saj në vitet 1998/99 ka masakruar mbi 13,500 qytetarë civil të të gjitha moshave (fëmijë, gra, vajza, të rinj, burra e pleq). Forcat serbe kanë dhunuar mbi 20,000 gra dhe vajza shqiptare në Kosovë. Shumë prej këtyre viktimave janë hedhur në puse (bunare). Lista e llojeve të krimeve të luftës që i ka bërë Serbia është e gjatë, shumë e gjatë. 500 varreza masive, qindra fshatra e qytete të djegura e të shkatërruara për tokë, plaçkitje masive … e deri tek depërtimi e dëbimi i afro 1 milion civilëve shqiptarë në vendet fqinje (Maqedoni dhe Shqipëri).

Forcat serbe madje kanë vjedhur e plaçkitur edhe kafshët shtëpiake, kanë shkatërruar ekonomitë familjare, prona shoqërore e shumëçka tjetër. Lista e krimeve serbe dhe dëmeve të luftës nga Serbia në Kosovë është vërtetë shumë e gjatë dhe e rëndë. Pse nga ndërkombëtaret heshtën këto fakte?

Qëllimi i ndërmarrjes kriminale serbe ishte që ta zbrazë Kosovën nga shqiptarët e të shkatërrojë e fshijë gjithçka që është shqiptare në Kosovë. Por falënderuar NATO-s dhe UÇK-së lufta e tmerrshme u ndalë, e forcat serbe u dëbuan nga Kosova. Të dëbuarit pastaj ishin në gjendje që të kthehen dhe të fillojnë një lloj jete përsëri nga zeroja.

Por afro 17 vite më pas ata janë harruar nga drejtësia ndërkombëtare. Kriminelët e Serbisë janë të lirë. Serbia shpëtoi nga gjenocidi i pandëshkuar, duke ju falënderuar qëllimit dhe qasjes të ashtuquajtur “stabiliteti ballkanik” nga perëndimorët dhe kërkimit nga ana e BE-së të liderëve “të moderuar” dhe “pro-perëndimor” në Serbi. Të njëjtit anëtarë të regjimit të dikurshëm të Millosheviqit sot pretendojnë në një far “drejtësie” përmes gjykatave të tyre në Serbi. Por hipokrizia është edhe më e madhe, sepse në radhët e këtij koalicioni qeverisës në Serbi ndodhen edhe gjeneralë dhe të tjerë anëtarë të regjimit të Millosheviqit përgjegjës për gjenocidin në Kosovë. Disa prej tyre janë në listën e Interpolit, të kërkuar nga misioni i BE-së (EULEX) për më shumë se një vit tashmë. Qeveria e Serbisë po refuzon t’ua dërgoj gjykatave të Kosovës, përkatësisht tek gjykatësit e misionit të BE-së EULEX-it.

Në të njëjtën kohë, përpjekjet e BE-së në Kosovë përmes EULEX-it për drejtësi rreth krimeve të luftës nuk kanë ndonjë kuptim. A do t’i dërgojë kryeministri i Serbisë Aleksandar Vucic anëtarët e partisë së tij dhe të shumicës qeverisëse në duart e gjykatave dhe gjykatësve të BE-së në Kosovë për krimet që i kanë bërë në Kosovë? Nuk po i dërgon dhe nuk do t’i dërgojë. Shqiptarët e Kosovës i kanë të gjitha arsyet pse janë të zhgënjyer me gjykatën aktuale të OKB-së në Hagë (ICTY) e cila do të mbyllet vitin e ardhshëm. Kjo është vazhdimi i hipokrizisë së vendosur nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së në vitin 2003.

Ndërkohë Gjykata Speciale e kërkuar nga BE dhe SHBA ndaj Kosovës do të hapet. Por kjo gjykatë është selektive dhe drejtohet vetëm ndaj njërës palë. Hipokrizia ndërkombëtare pra po vazhdon duke ia mbajtur anën Serbisë për çështje gjeo-strategjike. Drejtësi për të gjithë, është ajo për çfarë ka nevojë Kosova dhe rajoni. Drejtësi për të gjithë është ajo çka nevojë stabiliteti në rajon. Askush nuk duhet që të lirohet nga krime te luftës. Kush do ta dërgojë para drejtësisë regjimin gjenocidial të Serbisë për atë çfarë ka bërë në Kosovë? Kush do t’i dërgojë para drejtësisë kryesit e dhunimeve dhe përgjegjësitë e këtyre dhunimeve ndaj grave dhe vajzave shqiptare të Kosovës ?

Cila është arsyeja që kjo Gjykatë e re Speciale nuk po merret më këto krime ?

Qeveria e jonë e ka injoruar këtë, sepse disa prej politikanëve dhe disa liderë janë pjesë e listës së Marty-it. Por as BE e as SHBA nuk mund t’u predikojnë drejtësi, as ligj e rend qytetarëve të Kosovës të cilët e kanë humbur besimin ndaj kësaj qeverie dhe anëtarëve të saj vetanak, por edhe në drejtësinë ndërkombëtare në të njëjtën kohë. Kjo gjykatë duhet që të merret edhe me krimet që i ka bërë Serbia.

Kryetarja në largim e Kosovës, e ka aprovuar pak më herët marrëveshjen midis qeverisë së Kosovës dhe Holandës për gjykatën duke e anashkaluar parlamentin tonë. Kjo është kundër-kushtetuese. Edhe kjo marrëveshje midis dy shteteve duhet të dërgohet në Kuvend për ratifikim. Forma e gjykatës duhet që të rishqyrtohet, ndryshohet, zgjerohet nga parlamenti i Kosovës, pasi edhe po quhet Gjykatë e Kosovës. BE dhe SHBA nuk duhet të krijojnë pengesa. Ato duhet t’i përkrahin këto ndryshime hapur dhe të lejojnë gjykatën që të merret edhe me krimet e Serbisë. EULEX-it ka punë për të bërë mjaft për këtë gjykatë të re në Hagë. Në ketë mënyrë edhe besimi ndaj EULEX-it ndoshta mund të kthehet, sepse ai në Kosovë është humbur krejtësisht.

Ka ende kohë që qeveria e Kosovës, BE dhe SHBA të përmirësojnë gabimin trashanik të bërë me formën e tashme të Gjykatës Speciale. Krimet e Serbisë duhet që të përfshihen në pakon e ligjeve të miratuara vitin e kaluar dhe kriminelët e Serbisë duhet të dërgohen para drejtësisë në gjykatën speciale në Hagë për Kosovën.

Përndryshe, forma e tashme e gjykatës e bënë këtë gjykatë krejtësisht diskriminuese dhe raciste. Ajo duhet të ndryshohet dhe të sjellë drejtësi për të gjithë.

Drejtësi për të gjithë, amnisti për asnjë!

Një variant i shkurtuar i shkrimit është botuar në ketë link  https://euobserver.com/opinion/132712 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …