Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Profesor, Mihal Kalia, studiues i mirëfilltë i kritikës letrare bashkëkohore shqipe

Kritiku letrar, analisti, mendimtari dhe intelektuali i shquar, Mihal Kalia, me krijimtarinë e tij në pasqyrimin që u ka bërë dhe u bën dukurive të jetës, krijimtarisë, shoqërisë, aktualitetit, me trajtimin e sa e sa temave me rëndësi jo vetëm kombëtare, radhitet në mesin e elitës më të shquar intelektuale shqiptare të kohës sonë dhe në radhën e kritikëve më të njohur të letërsisë shqipe si: Razi Brahimi, Rexhep Qosja, Dhimitër Shuteriqi, Adriatik Kallulli, Jorgo Bulo, Bedri Dedja, Nasho Jorgaçi, Moikom Zeqo, Fitim Çaushi, Hasan Mekuli e të tjerë.

 

E veçanta e krijimtarisë së tij është metoda analitike e studimit të mirëfilltë, dialektik, të proceseve shoqërore, vrojtimeve origjinale, të sintezave që burojnë nga një mendje-mprehtësi e tillë që nuk lë anash pa e studiuar, as grimcën më të imtë të problemit, të cilin e trajton. Metoda e tillë e analizës, tezës, sintezës,  depërtimi i thellë në lëndën që merr përsipër ta analizojë, përfundimet  që nxjerrë nga analiza e një teme  të caktuar, janë sikur metoda matematikore, e  cila çdo problemi të shtjelluar, më në fund i  nxjerrë edhe provën e vërtetësisë.

Me një qasje të tillë, të arrirë dhe thellësisht të pjekur shkencore, studiuesi, Mihal Kalia,  radhitet në mesin e kritikëve krejt të pakët që ka sot, sidomos kritika letrare shqipe, e cila në vitet e “demokracisë”  jo vetëm u la anash, por u bënë përpjekje që edhe krejt kritika letrare, paraprake,  e para vitit 1990 si dhe krejt letërsia shqiptare e asaj kohe të fajësohet,  sepse paska qenë socialiste dhe si e tillë paska qenë  dashur të abortohej bashkë me socializmin.

Nuk ka përqasje më të çoroditur se kjo, por mjerisht letërsia dhe kultura shqiptare ende  po përballet me këtë zezonë, sikur aktualisht po përballemi me koronavirusin.

Ky është vetëm njëri nga grumbujt e shëmtive e çoroditjeve që kishin filluar nga antikombëtarët, qysh në vitet e 90-të,  në mënyrën më të çartur e më barbare, dhe që po vazhdojnë  në atë  luftë lugetërish, për ta varrosur socializmin dhe 45 vitet më të ndritura të zhvillimit dhe emancipimit të popullit e kombit shqiptar, gjatë tërë historisë së tij mijëravjeçare. Ajo periudhë kohore e stopoi epokën e errësirës shekullore të robërisë dhe shqiptarin e nakatosur ndër shekuj e liroi nga të gjithë vargonjtë,  e ktheu në qenien  e tij autentike, jo gjithnjë durimtare e të nënshtruar  nga robëria,  por qëndrestar, që i kishte dalë zot atdheut, që kishte fituar luftën kundër fashizmit dhe mbi krejt të ligat, vurratat e të  zezat, që kishin sjellë shekujt e robërisë feudale e reaksionare.

Duke qenë i shkolluar dhe i emancipuar, i pajisur me dije gjatë studimeve  e më vonë në procesin e punës, duke qenë vrojtues i thellë i fenomeneve shoqërore, të natyrës, të edukimit kombëtar e shoqëror, ashtu si pjesa dërrmuese e intelektualëve të mirëfilltë shqiptarë, që i prodhoi koha e socializmit, Mihal Kalia i mbeti besnik realitetit, shkencës, dialektikës, filozofisë së jetës dhe nuk iu nënshtrua gënjeshtrës, babëzisë, fodullëkut, ndërrimit të bindjeve me qëllim përfitimi, as joshjeve që kishte ofruar e ashtuquajtura demokraci, e cila “lulëzonte” duke mohuar të kaluarën, duke e shkatërruar atë fizikisht e shpirtërisht, me qëllim për t’ i bindur shqiptarët se kot kishin jetuar 45-vjet nën “robërinë socialiste” dhe tani u dashka të “çliroheshin” nga vetvetja, duke e luftuar atë me një hakmarrje të egër, bizare, mazohiste,  në esencë antikombëtare, pse jo edhe antinjerëzore.

Kjo luftë perfide kishte mentorët e saj në Beograd e në Athinë, por edhe tutje-tëhu,  kuptohet se  për çfarë qëllimesh e interesash, por në asnjë rast  dhe asnjëherë për  të mirën e kombit tonë.

Në rrugën e tij shoqërore, edukative, arsimore, krijuese e intelektuale, Mihal Kalia ka ndërtuar segmentin e botës së vet autentike të vrojtimit dhe qasjes origjinale, që iu bën  disa  problemeve dhe fenomeneve kryesore, me të cilat është përballur dhe po përballet kombi shqiptar, në përgjithësi.

Në këtë drejtim, duke qenë i pajisur me dije dhe metodologji të përparuar shkencore, me qëllim  për ta materializuar dhe për ta vënë në spikamë atë dije, ai ka ndërtuar edhe këndin e tij origjinal të vrojtimit, lidhur me problemet të caktuara, që i ka marrë në shqyrtim, gjithnjë në përpjekje për të zbuluar të vërtetën e mohuar, me një frymë të pastër polemizuese, pa ia nënshtruar politikave zyrtare, por duke e zbuluar realitetin e veprës që buron nga vet vepra dhe jo nga interpretimi i deformuar me qëllime të caktuara, gjithsesi politike, të cilat e kanë dëmtuar dhe e dëmtojnë krijimtarinë e vërtetë, të dëshmuar e të arrirë.

Duke studiuar disa anomali të krijimtarisë gjatë regjimit socialist në Shqipëri, ai gjykon dhe polemizon me  metodologjinë mbizotëruese të kohës, në kontestin e kohës dhe jo me “kandarin” e tregtarëve të sotëm të flamujve.

Libri i këtij autori me tema të zgjedhura, titulluar”, “Përqasje e çoroditur”, botuar në Tiranë, në vitin 2019, është një vepër e thellë studimore, e cila për mendimin tim, shënon një fazë kulmuese të rikthimit të kritikës së mirëfilltë shkencore, të veprës letrare,  të kritikës së mirëfilltë afirmative, të dobishme dhe të domosdoshme në studimin e letërsisë tonë, në sinkroni dhe diakroni, duke u mbështetur në metoda të njohura shkencore, pedagogjike e didaktike, me rastin e hartimit të teksteve shkollore.

Në analizën, që autori i librit u bën teksteve  shkollore ku është e pranishme krijimtaria e poetëve dhe shkrimtarëve të njohur si: Naim Frashëri, Migjeni, Agolli, Kadare, e të tjerë, nxjerrë në sipërfaqe, një varg të metash, dobësish, prezantim jo meritor,  një qasje të çoroditur, ku autorët e caktuar të teksteve shkollore, pretendojnë ta ‘depolitiziojnë” letërsinë dhe me këtë qëllim ata përzgjedhin fragmente nga krijimtaria e krijuesve të njohur,  të cilat u dashka t’i përshtatën  “kohës së demokracisë”, lidhur me edukimin letrar dhe estetik të nxënësve. “Në përpjekje për t’ iu shmangur njëlloj politizimi, autorët e tekstit i mëshojnë një lloji tjetër të politizimit nëpërmjet ekstremizimit të filozofisë dhe metodës artistike, si rezultat i një metamorfoze, ritmi i realizimit të së cilës si proces përcakton sipas tyre, mungesën apo jo të karakterit të heroit. (“Përqasje e çoroditur”, faqe, 52)

 

Një çoroditje tjetër mes një duzine të këtij lloji,  autori vëren edhe në interpretimin e veprës së Kadarasë dhe pretendimeve,  që veprat letrare të tij, para viteve ’90-të në tekstet shkollore të studiohen e analizohen, në frymën dhe qëndrimin e autorit, në jetë dhe në letërsi, të periudhës së pas komunizmit. ( Po aty, faqe, 63).

Studimi polemizues,  “A është vërtet Kadare kundër Enver Hoxhës te “Pashallarëve të kuq”? të Ismail Kadaresë, është studim antologjik,  i veçantë dhe i papërsëritshëm   në kritikën letrare shqipe. Pavarësisht se pajohet apo jo edhe vetë Kadareja me këtë studim, e vërteta qëndron në faktin se kemi të bëjmë me një vështrim të thellë, të gjithanshëm, me një analizë gjithëpërfshirëse, ku çdo fjale, çdo vargu i vihet pas dëshmia, prova, realiteti  letrar dhe jo ai demistifikues,  e vërteta lakuriqe e shprehur në këtë poezi e jo velloja, esenca e saj e jo mendja e metamorfizuar e një kritiku, që logjikon ndryshe, duke lakuar vetëm titullin e poezisë, me qëllim për të nxjerrë përfundime sipas porosisë, apo shijes së tij të degjeneruar e profane, por pa asnjë fakt të qëndrueshëm, të cilin e prodhon vetë poezia…

Profesor,  Mihal Kalia,  me të drejtë konstaton se lënia anash e shkrimtarëve më të njohur të traditës, nuk e dëmton krijimtarinë  e tyre, nuk e dëmton letërsinë,  por i dëmton nxënësit, të cilëve shkolla nuk u jep mundësinë të njihen me ato vepra dhe vlerat artistike që kanë ato. Nuk mund të kuptohet letërsia shqiptare, duke lënë mënjanë, në harresë, autorë të tillë si: S. Spasse, Sh. Musaraj, F. Gjata, Dh. Shuteriqi, P. Marko, Fatos Arapi, Ali Asllani… Do të ishte mjerim i letërsisë shqiptare “vdekja” e “lumit të Vdekur të Jakov Xoxës… (“Përqasje e çoroditur”, faqe, 62).

Nga vështrimet e këtij studiuesi, lexuesit do të  kuptojnë se çfarë përmbytje  janë bërë dhe po bëhen për ta përmbytur madje edhe letërsinë dhe kulturën shqiptare përgjithësisht,  nga  deledashët dhe gjysmakët, trutharët  e miopët e të ashtuquajturës demokraci, e cila i ka vënë barrë vetes për ta “dekomunistizuar” Shqipërinë, duke bërë përpjekje donkishoteske për t’i  hequr Shtetit e kombit shqiptar: 45 vjet ekzistencë, liri, demokraci proletare, zhvillim, arsimim të detyrueshëm, çlirimin  e femrës dhe emancipimin e saj, shëndetësi falas të popullatës, ndërtim, jetë, shtet, ligj, drejtësi, solidarësi, zhvillim ekonomik të qytetit e fshatit me forca të veta, luftë e përditshme në të gjitha frontet për ta ruajtur shtetin, atdheun, nderin, besën, moralin, dinjitetin, njerëzinë, për t’ i ruajtur dhe për t’i përkrahur, zgjuar e konsoliduar kombëtarisht vëllezërit e mbetur nën robëri, në Jugosllavi e në Greqi dhe për të qenë pjesë përbërëses në luftën e proletariatit ndërkombëtarë kundër shfrytëzimit nga borgjezia kapitaliste, në kohën kur dy të tretat e botës i takonin atij blloku, socialist e komunist.

Çoroditje e tilla nuk do të kalojnë sepse ligjet e jetës e zhvillimit brenda  kombeve e bëjnë të vetën, pavarësisht luftës së egër të forcave të territ, forca këto që nuk i kanë munguar as i mungojnë asnjë shoqërie, as shoqërisë sonë të sotme, por, për forca të tilla retrograde ka vite jetese dhe jo epoka e shekuj sikur ka për forcat e lirisë dhe emancipimit.

Të shkruash për kritikën e një kritiku të ndritur e profesionist,  sikur është profesor, Mihal Kalia, jo vetëm që nuk është punë e lehtë, por edhe krejt pa dashur mund të ecësh  në një terren të rrëshqitshëm, sepse nuk ke çfarë të zbulosh tjetër, që ai të mos e ketë zbuluar, nuk gjen dot një lëshim apo një interpretim të paqëndrueshëm, që ai të mos e ketë pikasur, nuk i përflet dot të gjitha atë që i ka shkruar e dokumentuar shkencërisht, përveç nëse merr për detyrë t’ia vësh në spikamë publikut lexues, thjesht t’ ia rekomandosh  për t’ u lexuar sa më shumë dhe për të mësuar sesi hartohet analiza dhe kritika e vërtetë shkencore, letrare.

Qëllimi, në këtë shkrim timin, është që lexuesve të faqes së Radios-Kosova e Lirë, t’ua preferoj për lexim një vepër të shkëlqyer të kritikës letrare, bashkëkohore shqipe, sikur është libri studimor: “Përçasje e çoroditur” e profesorit e pedagogut, Mihal Kalia, nga e cila mund të mësojnë shumë, sidomos profesorët dhe studentët e  letërsisë, për të kuptuar ku kemi qenë, ku jemi dhe në cilën rrugë duhet të ecim, me qëllim që të ecim së bashku, në rrugën e integrimit të plotë kulturor gjithëkombëtar. Kam përshtypjen se ky libër edhe është shkruar e botuar për këtë qëllim, andaj na mbetet ta lexojmë dhe të mësojmë, për të mirën tonë.

Shëndet, suksese e punë të mbarë profesorit të nderuar, Mihal Kalia!

Ahmet Qeriqi

Prishtinë

mars 2020

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi – Në …