- Kronika e disa zhvillimeve në mars prill, maj 1981
Natyrisht se kanë kaluar 34 vjet nga ajo kohë dhe ”koha e bën të veten”. Edhe me këtë rast koha e ka bërë të veten, duke i dhënë të drejtë kërkesave të protestave e demonstratave të asaj kohe të cilat, filluan paqësisht por kulmuan me një përpjekje për kryengritje të armatosur, që u manifestua me një lëvizje të përgjithshme, e cila nuk ndaloi deri në luftën e armatosur të UÇK-së, çlirimin e Kosovës nga regjimi kolonialist e hegjemonist, Jugosllav e serb, në qershor të vitit 1999 dhe që u kurorëzua me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.
11 marsi i vitit 1981 ishte shkëndija që paralajmëronte fillimin e zbrazjes së zemërimit popullor kundër padrejtësive, kundër shtypjes e shfrytëzimit nga Serbia e përgjithësisht nga RSFJ, kundër idesë së përshtatjes, kundër pretendimeve për krijimin e një kombi hibrid kosovar, kundër jugosllavizimit të qetë dhe përbashkësisë me popujt sllavë.
Kërkesat sociale që u manifestuan në mbrëmjen e 11 marsit, në “Mensën e Studentëve” në Prishtinë për kushte më të mira jete, nuk ishin spontane por kulmim i natyrshëm i një zemërimi, i cili nuk mund të përmbahej më tej.
Defilimi i qindra studentëve në orët e mbrëmjes të asaj dite, u pasua me solidarizimin e mijëra qytetarëve, të cilët për afër katër orë rresht protestuan paqësisht nëpër sheshet e Prishtinës.
Alarmi i fillimit të manifestimit të zemërimit popullor kundër pabarazisë dhe padrejtësive tashmë ishte dhënë. Lëvizja e fshehtë e Rezistencës, e njohur në kuptimin përgjithësues si Lëvizje ilegale kishte filluar të mobilizonte radhët dhe të artikulonte përveç kërkesave sociale edhe kërkesa politike, meqë me të drejtë konstatohej se barazia e plotë e shqiptarëve në Kosovë e më gjerë nën okupimin jugosllav, do të arrihej me krijimin e një Republike të barabartë me republikat e tjera të Federatës jugosllave.
Zhvillimet që pasuan më 26 mars, të po atij viti, në kohën kur nëpër qendër të Prishtinës po defilonte Stafeta e Titos, (një manifestim i kultit politik gjithë-jugosllav), Njësitë speciale të Jugosllavisë, me lejen me aprovimin e më besnikëve të regjimit të Beogradit si: Azem vllasi, Xhavit Nimani, Mahmut Bakalli, Ali Shukriu, Fadil Hoxha Mehmet Cikuli- Maliqi e të tjerë, sulmuan brutalisht demonstruesit, duke përgjakur qindra prej tyre. Intervenimi brutal, më 1, 2 dhe 3 prill 1981, nxori në sipërfaqe fytyrën e vërtetë të fashizmit jugosllav dhe të bashkëpunëtorëve, të cilët i shërbenin asaj politike shoviniste antishqiptare. Revolta gjithë popullore, që pasoi më 2 dhe 3 prill, ia çjerri përfundimisht maskën politikës së ” përbashkësisë e barazisë së kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë”. Shtypi perëndimor dhe ai i Tiranës zyrtare konstatonin se në Kosovë kishte ndodhur njëra ndër gjakderdhjet më të pashembullta në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore.
Kryengritja shqiptare kundër robërisë e vitit 1981, pas sulmit gjakatar, që mori në fillim nga ushtria dhe policia jugosllave, së shpejti filloi të konsolidohet duke iu përshtatur rrethanave të reja të veprimit. Dhuna, brutaliteti i forcave policore, arrestimet, vrasjet, plagosjet zgjeruan edhe më shumë frontin e rezistencës. UDB-ja në bashkëpunim me kolaboracionistët, milicët, inspektorët e UDB-së, prokurorët, gjyqtarët, nxori para gjyqeve qindra grupe nxënësish, studentësh, punëtorësh dhe intelektualësh, ndërkohë që në platformë të kërkesës Kosova Republikë angazhoheshin shumë grupe të tjera, krejtësisht të pavarura nga njëra tjetra, por me synime dhe qëllime të njëjta.
Ideatorët dhe përkrahësit e lëvizjes për çlirim dhe bashkim kombëtar, veprimtarinë e tyre atdhetare nuk e pushuan as nëpër burgje. Dhe sapo liroheshin nga burgjet, sërish riorganizoheshin dhe vazhdonin veprimtarinë atdhetare, duke kërkuar barazi dhe liri.
Në vitet 80 sipas informatave që sjell shtypi i huaj, por edhe ai jugosllav, për vepra të cilësuara si antijugosllave, janë dënuar prej 2 muaj e deri në 20 vjet burg rreth 12.000 shqiptarë, të moshave të ndryshme, por mesatarja e moshës së tyre ishte prej 20 deri në 30 vjet. UDB-ja kishte hapur rreth 400.000 dosje për shumicën dërrmuese të intelektualëve shqiptarë, kryesisht të familjeve që ishin shquar për rezistencë kundër forcave okupatore serbe qysh prej vitit 1912. Vetëm në ushtrinë jugosllave qenë dënuar 1.200 shqiptarë, në mesin e tyre edhe ndonjë epror. Shtypi i kohës nuk i ka shënuar këto të dhëna, meqë nuk lejonte censura e kohës së totalitarizmit jugosllav.
Në Kohën e krijimit të strukturave të para organizative të UÇK-së brenda në Kosovë dhe në mërgatë, në të gjitha nivelet komanduese ishin inkuadruar ish të përndjekurit dhe të dënuarit e vitit 1981 e më vonë. Ata tashmë drejtonin Shtabin e Përgjithshëm, shumicën e zonave Operative, sigurimin sekret, institucionet e para informative të UÇK-së. Përderisa shumica e të burgosurve të vitit 1981 qenë hedhur në ballin e luftës për liri, pati edhe disa oportunistë që i mbeten besnikë Lëvizjes pacifiste, duke mos i besuar forcës kombëtare e cila po e zhvillonte rezistencën e armatosur.
Në këtë aspekt marsi dhe prilli i vitit 1981 shënojnë njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë. Po të mos ndodhte ajo që ndodhi asokohe, shqiptarët sot do të jetonin ashtu sikur se jetojnë hungarezët në Vojvodinë, myslimanët në Sanxhak, apo vllahet në krahinën e Timokut në Serbi. Mirëpo në kushte dhe rrethana të caktuara lëvizja e rezistencës shqiptare, e përkrahur fuqimisht edhe nga Tirana zyrtare, arriti të konsolidojë idealin e lirisë, arriti ta mbajë gjallë atë dhe në rrugën e gjatë e të mundimshme të historisë, arriti të realizojë me sukses tri luftëra çlirimtare, të cilat u përkrahën nga mbarë shqiptarët atdhedashës dhe nga forcat përparimtare botërore.
Vijon