Qerim Rexhaj

Qerim Rexhaj: Me rastin e 21-vjetorit të masakrës në fshatin Cerrcë të komunës së Istogut

KRONIKË E NJË PRANVERE  TË PËRGJAKUR TË LIRISË

(Kujtesë)

… gjatë vitit 1999 gjithandej Kosovës po jetohej dhe luftohej për mbijetesë,për jetë a vdekje. Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjithandej trevave shqiptare po i jepte goditje të njëpasnjëshme makinerisë vrastare të Sllobodan Millosheviqit Njëkohësisht ushtria ,policia dhe forcat paramilitare serbe aty ku nuk arrinin të përballeshin me forcat e UCK-së ,gjithë mllefin dhe hakmarrjen për dështimet e tyre i shfryenin mbi popullatën e pambrojtur shqiptare.

Pas 24 marsit edhe në komunën e Istogut,në veçanti, pas një zënke e cila shndërrohet në duel, në mes të tre vëllezërve Meshi nga fshati Lubozhdë dhe një patrulle të policisë serbe,pas te cilit konflikt mbeten të vrarë Afrim Meshi e Bashkim Meshi në njërën anë dhe dy policë të patrullës policore të ekzekutuar aty për aty me armët e vet policëve nga vëllai i tretë Kujtimi. Kjo ngjarje në komunën tonë shënon edhe daljen publike të formacioneve ushtarake të Brigadës 133 “Ardian Krasniqi”, brigadë kjo e cila përmes dy batalioneve të saj kontrollonte një zonë mjaftë respektive duke kryer aksione të shumta në terrenin e okupuar, por edhe duke u shndërruar në mburojë të popullatës civile e cila kishte mbrojtje në këtë zonë,kryesisht në fshatrat Vrellë, Sudenicë, Prigodë, Kaliqan, Ja-Bllanicë, Radac etj.

Pas vrasjes së vëllezërve Meshi, daljës publike të UCK-së dhe pas ndërhyrjes nga aleanca e NATO-s kundër caqeve serbe ,në komunën Istogut qe krijuar një gjendje tejet e rëndë.Gjithë mekanizmat e strukturave politike, militare, policore dhe paramilitare ishin vu në funksion të asgjësimit dhe përndjekjes së popullatës shqiptare nga trojet e veta duke vënë në funksion planin ushtarak “Patkoi” duke djegur e vrarë çdo gjë që frymonte shqip.

Më 26 mars 1999,patrulla të policisë nëpër të gjitha fshatrat e kësaj komune japin urdhrin e dëbimit të banorëve shqiptarë nga vatrat e tyre,

Më 28 mars banorët e fshatit Cerrcë,pjesa dërmuese e tyre,u vendosën fillimisht në vargmalin e quajtur Bjeshkët e thata që ndodhej mbi shtëpitë e tyre.Natën e dytë të qëndrimit të tyre në mal,pikërisht në ora 24 nga tre ushtarë të UCK- morëm urdhërin për t’u zhvendosur në zonën që kontrollohej nga UCK-ja me arsyetim së popullata në atë zonë është e rrezikuar. Këtij apeli në pjesën më të madhe iu përgjigj popullata e kësaj treve. Për të mos i lëshuar vatrat shekullore kishin vendosur pesë pjestarë të familjes Rexhaj: Isuf Arif Rexhaj,I cili ishte i sëmurë nga paraliza,bashkëshortja e tij Shakja e cila nuk kishte pranuar ta linte burrin e saj të paralizuar,Kadri Avdyl Rexhaj, pensionist ushtarak,Zykë Rexhaj invalide,  Rifat Rexhaj shurdhëmemec.

Më 1 prill të vitit 1999 ,rreth orës 10 të mëngjesit forca të shumta policore dhe paramilitare përmes një aksioni të fuqishëm të mbështetur nga dy autoblinda,dhe mjete tjera motorizuese dogjën çdo gjë që mund të digjej në fshatin Cerrcë dhe vranë të sipërcekurit më lartë,ndërsa kufomat e tyre I dogjën në një shtëpi,për të humbur gjurmët e krimit monsrtuoz.

Më 2 prill 1999,një grup të rinjsh të familjes Rexhaj të përbërë nga Smajli, Mustafa, Bekimi,Ahmeti, Flamuri, Bedriu, Ibri, Fadili e ndonjë tjetër udhëtojnë për të kuptuar fatin e të mbeturve të tyre në këtë fshat.Në një shtëpi të djegur gjejnë kufomat e tyre të karbonizuara por paraprakisht të ekzekutuara me armë zjarri.

Më 3 prill, një grupim tjetër i familjes së madhe të Rexhajve, pasi që më parë kishin marrë leje dhe mbështetje nga Shtabi I UCK-së në Sudenicë me mbështetje edhe të një grupi ushtarësh si pjesëtarë të UCK-së të fshatit Cërrcë, nisën për të bërë varrimin e tyre,

….natë. Udhëtojmë në kolonë duke mbajtur distancë nga njëri tjetri. Grupi numëron nëntëmbëdhjetë vetë. Pothuajse të gjithë jemi të armatosur se paku me një armë.Si pjesë e grupit ishim:Idrizi,Unë (autori I shkrimit),Ylberi,Ismet Shabani, Ibri, Flamuri, Qerimi Ragipi, Bedriu, Bekimi,të gjithë pjesëtarë të fisit Rexhaj.

Në këtë grupim ishin edhe shtatë pjesëtarë të armatosur të familjes së Bajram Mustafëve me mbiemër Hasanaj si dhe Ali Sefaj nga Vrella dhe Xhafer Kuqi nga Sudenica. Pararoja prej tre vetësh prinë para nesh për të përzgjedhur rrugën për në mëhallën e Arif Zekajve. Te Ura e Januzajve na ndalon roja e UCK-së. Pas një bisede të shkurtër,furnizohemi edhe me nga pak municion,ata të cilët e kishin të pakët ate. Vazhdojmë rrugën duke u rënë tërthorazi arave dhe livadheve. Ngadalë afrohemi afër fshatit. Një erë mbytëse mretëron gjithandej. Erë shkrumbi,erë e shtazëve të djegura nëpër shtalla, erë e karbonizuar. Asgjë nuk të jep përshtypjen e një normaliteti.

Shkrepje të refalëve të automatikëve,tutje vendbanime që digjen nën flakët e ferrit shovinist. Ecim nëpër fushë. Gjithandej dëgjohën të lehura të tërbuara qensh ,pëllitje lopësh,të lëshuara nga të zotët në fushë,blegërima delesh,hingëllima kuajsh…Eci dhe shtërngoj automatikun më fortë. Një urrejtje me lidhë këmbë e krye për armikun vrastar. Drejtohemi te shtëpia e Isuf Arifit, aty ku një ditë më parë grupi paraprak kishte gjetur kufomat e karbonizuara. Vëme roje në disa drejtime rrugësh nga mund të na vinte ndonjë goditje e papritur. Ora po shënonte një pasmesnate. Përmes një elektriku dore shquam në shkallët e shtëpisë një pallto gjysmë të djegur. Ishte palltoja e Kadri Avdylit. Hymë në odën e burrave. Tmerr! Pesë kufoma shtriheshin të karbonizuara në forma, trajta dhe pozicione të çrregullta. Mbi kufomat e karbonizuara,kishin rënë copëza trarësh të djegur dhe copëza tjegullash. Aty për aty bëmë disa fotografi me blic nga Xhafer Kuqi, si dëshmi e krimeve barbare që po bënte gjithandej makineria ushtarake vrastare serbe. Trupat e karbonizuar I vendosëm në thasë plastmasi dhe i varrosëm në oborrin e Isuf Arifit. Të gjithë ishim aq të rënduar nga dhimbja dhe trishtimi. Megjithatë, nata po na i  mbulonte fytyrat tona si një maskë, për të mos depërtuar në mbresat e njëri-tjetrit, ndonëse gjithçka hetohej në ngjyrat e zërave tonë që dilnin herë si ngërdheshje e herë si dënesje pikëllimi…

Nga aty ,po ktheheshim sikur të mpirë. Këmbët nuk na bënin ta linin ashtu të djegur,të vrarë dhe të përdhosur Cerrcën tonë të dashur. Megjithate, ishim të bindur gjithsesi së liria e Kosovës do të vinte, pavarësisht vuajtjeve, përndjekjeve,shkatërrimeve vrasjeve…

Sa e sa herë Kosova ishte shndërruar në tym e flakë dhe ne si bijë të saj rilindem si Feniksi për t’u ngritur edhe më të fortë në mbështetje të saj

Sot u bënë 21 vjet nga kjo plojë e familjes Rexhaj.

 Drejtësia kërkon shpagim, jo vetëm për këtë masakër por për çdo jetë që është vënë në themelet e lirisë së Kosovës…

Kontrolloni gjithashtu

REAGIM PUBLIK NGA ROSCAP NDAJ INSTRUMENTALIZIMIT POLITIK TË TEMAVE QË NDËRLIDHEN ME CILËSINË E ARSIMIT DHE MIRËQENIEN E FËMIJËVE

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) shpreh shqetësimin dhe indinjatën më …