Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar sot tre memorandume të bashkëpunimit, me Federatën e Boksit (93 mijë euro), atë të Shahut (105 mijë euro) dhe të Bodildingut dhe Fitnesit (39 mijë), me çka federatat përkatëse programet e këtij viti subvencionohen me 237 mijë euro.
MKRS-ja me këto akte, siç ka bërë të ditur në disa raste, ka ndikuar dukshëm në krijimin e lehtësirave për funksionimin e federatave, dhe njëkohësisht ka ndikuar dukshëm që ato të mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë sa më të pavarur dhe me efikasitet të plotë.
Drejtuesit e federatave i kanë vlerësuar si shumë pozitive aktet e memorandumeve, të cilat, sipas tyre, krijojnë kushte për planifikime, dhe në të njëjtën kohë, ndihmojnë jashtëzakonisht shumë veprimtaritë e federatave dhe sporti në përgjithësi.
Ministri Kujtim Shala përgëzoi drejtuesit e federative për punën, dhe u shpreh se MKRS-ja po punon për të ndihmuar sportin e Kosovës, në infrastrukturë, me legjislacion modern dhe me subvencionime, në mënyrë që sporti i Kosovës të avancohet më tutje, dhe të prezantohet dinjitetshëm në arenën ndërkombëtare.
MKRS-ja do të punojë sistematikisht për shtimin e mëtutjeshëm të subvencioneve, meqë sivjet është vit olimpik dhe po ashtu reprezentacionet e Kosovës në të gjitha grupmoshat do të marrin pjesë në garat ndërkombëtare.