Albin Kurti u bë kryeministër në emër të mbrojtjes së parimeve, por për më pak së 50 ditë punë, përveç që shkeli çdo fjalë e çdo parim që kishte premtuar t’i mbronte, shkeli hapur edhe parimet e Kushtetutës tonë, kontratës tonë shoqërore.
Të nderuar miq,
Kosova ndodhet në një situatë të pazakontë të shëndetit publik, për shkak të virusit COVID-19. Për fat të keq, e pazakontë dhe jo-normale është edhe qeveria që po drejton vendin në këtë kohë. Albin Kurti u bë kryeministër në emër të mbrojtjes së parimeve, por për më pak së 50 ditë punë, përveç që shkeli çdo fjalë e çdo parim që kishte premtuar t’i mbronte, shkeli hapur edhe parimet e Kushtetutës tonë, kontratës tonë shoqërore.
Ai nxori një vendim për të kufizuar lirinë e levizjes në gjithë territorin e Kosovës, të cilin Gjykata Kushtetuese e shpalli si kundër-kushtetues. Dhe kur pritej që, minimalisht të kërkonte falje për këtë vendim kundër-kushtetues, ai u shfaq sërish arrogant, duke kërcënuar madje se nëse gjykata do të vendoste në të ardhmen për një çështje që atij nuk do t’i përshtatej, nuk do ta njihte atë vendim dhe do të organizonte protesta.
Në vitin 2014 thoshte se fituesi i zgjedhjeve nuk ka rëndësi, tani thotë se fituesit i takon gjithçka. Në vitin 2014 gjeti shumë partner për të mohuar fituesin, tani nuk gjen asnjë partner edhe pse ka fituar zgjedhjet.
Nuk mund të ishte më keq së kaq. Pasi prishi raportet me aleatin strategjik të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai po tenton të imponoj sjelljet e tij autoritare, duke dashur të monopolizoj të vërtetën. Merr të drejtë t’i tregoj Presidentit dhe Gjykatës Kushtetuese si duhet ta interpretoj Kushtetutën e Kosovës, dhe këtë e bënë jo se do ta mbroj atë ose ndonjë akt tjetër juridik ose parim politik, por sepse në përpjekjen e tij për të mbajtur sa më gjatë dhe për të marr sa më shumë pushtet, ai ka humbur çdo pikë referimi të çdo standardi minimal të sjelljes së një burrështetasi.
Nga anë tjetër, për të mbuluar dështimet dhe paaftësinë e tij për të punuar dhe për të ndërtuar partneritet, Albin Kurti po investon e retorike dhe fjalë boshe, duke mbajtur fjalime populiste, pas asnjë vlerë dhe interes për qytetarët. Më kujton atë thënien e famshme të ish-Presidentit amerikan, Xhon F. Kenedi, kur thoshte: “Nëse jemi të fortë, forca jonë do të flasë vetë. Nëse jemi të dobët, fjalët nuk të ndihmojnë dot”. Prandaj Albin Kurtit, nuk do ti ndihmojnë fjalët dhe retorika boshe, sepse qytetarët tanë dinë të dallojnë mirë fjalët dhe retorikën boshe nga punët dhe veprat.
Prandaj, në këto kushte, është jetike për shtetin dhe shoqërinë, që të gjithë ne bashkë, partitë politike e intelektualët e pavarur, të mbajmë qëndrim dinjitoz për të mbrojtur shtetin, kushtetutën dhe institucionet të cilat janë ndërtuar me shumë mund e janë bërë me shumë sakrifica.
Të kesh ambicie dhe të punosh për të fituar sa më shumë në garën politike, është një gjë normale, por të shkelësh mbi çdo parim, mbi çdo normë për t’i realizuar ato, përveç së është jo-normale dhe e pa-pranueshme duhet të konsiderohet edhe e pa-lejueshme, nga të gjithë ne. Drama individuale e Albin Kurti për të marr sa më shumë pushtet, nuk mund të shndërrohet në dramën tonë kolektive për ta dëmtuar rëndë, nëse jo për ta zhbërë shtetin.
Prishtinë, 3. 4.2020.