Gjon Gazulli (1400 -1465), ishte i biri i Gjin Gazullit, me prejardhje nga Shqipëria e Veriut, nga Mirdita ose Zadrima e Shkodrës. Familja e tij ishte vendosur në Raguzë (Dubrovniku i sotëm), që asokohe ishte republike në vete, sikur ishte Vendiku. Nuk dihet viti kur kishte arritur në Raguzë konkretisht familja e Gjon GazuLlit, por ka të dhëna të vitit 1301 në librat e Raguzës, në të cilat përmendën emra me mbiemrat Gazul, Gasulus, Gazola.
Nuk dihet saktë as datëlindja e tij, por dihet se Gjoni kishte edhe dy vëllezër tjerë: Pali e Ndreu dhe motrën Lucie. Sipas asaj që shkruan Martin Camaj në novelën Gjon Gazuli, i ati i tyre (pa ia përmendur emrin, por nga burime tjera dihet se quhej Gjin), ishte një tregtar – shitës pemësh e perimesh në tregun e Raguzës, dhe se në rininë e hershme Gjoni i ndihmonte të atit në punët e tij.
Gjoni kreu shkolla për jurisprudencë, teologji dhe filozofi, në Raguzë dhe në Padovë. Pas kryerjes së studimeve në Padovë në vitin 1428, dy vjet më vonë, më 31 janar 1430 fitoi titullin e doktorit të shkencave të lira në Universitetin e Padovës. Në ceremoninë e mbrojtjes së doktoratës kishin shkuar e marrë pjesë shumë arbëreshë të Italisë dhe të Dalmacisë. Më vonë (1436 – 1445, me ndonjë ndërprerje) u bë pedagog dhe shef i katedrës së matematikës dhe astronomisë, ndër më të përgatiturit dhe më të shquarit e pedagogëve të atij Universiteti dhe më gjërë. Student i Gjonit ka qenë edhe astronomi i njohur polak, Nikolla Koperniku. Fama e Gjon Gazullit, si shkencëtar dhe humanist shkëlqeu në gjithë Europën e Rilindjes.
Gjoni, përveç si pedagog universiteti, zuri vend të lartë në hierarkinë kishtare, shkencore, kulturore e diplomatike dhe praktikisht ishte diplomat i Skënderbeut në Raguzë, Romë, Budapest, Firencë, Sienë,Lubjanë. Ishte rektor i shkollave të Raguzës, por për shkak të angazhimit pedagog në Universitetin e Padovës, posti i rektorit të shkollave të Raguzës iu besua vëllait të tij Palit, i cili ishte poashtu mjaft i përgatitur profesionalisht. Përndryshe, edhe Pali dhe Ndreu ishin diplomatë të emëruar të Skenderbeut, ndërsa për shkak të moshës dhe angazhimeve në punën shkencore-hulumtuese Gjoni u tërhoq nga diplomacia.
Testamenti i Gjon Gazullit
Dy ditë para se me ndërrua jetë, me shkrim të noteruar kishte lënë testamentin për ndarjen e pasurisë së tij, duke mos harruar asnjë nga familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij. Testamentin e përpliuar më 17 shkurt 1465, e fillon: “Unë Gjon Gazulli, duke kujtuar fjalën e urtë ungjillore që thotë: jini të përgatitur, sepse nuk dini ditën, as çastin, i dobësuar nga shëndeti, por i kthjellët në mendje dhe vetëdije, po caktoj kështu dhe po përpiloj testamentin tim të fundit”, dhe vazhdon me përpikmëri duke ndarë pasurinë që kishte lënë. Natyrisht, testamentin e ka shkruar në gjuhën latine, që përdorej atëherë gjithandej, e lere më në Raguzë. Kishte një shtëpi rrënzë Ankoras, një sasi financa dhe pasuria e tij më e madhe ishte në libra të shumta e të ndryshme. Me testament, të gjitha librat e të drejtës ligjore dhe librat e shenjta ia ka lënë Katedrales së Raguzës, ndërsa librat tjera ua ka lënë kishave, bibliotekave ose personaliteteve të caktuara. Pasurinë financiare e ndau në shumë persona nga rrethi familjar dhe i bashkëpunëtorëve, la për të sëmurët nga leproza, madje nga tre grosh t’iu jepen të gjithë priftërve të Raguzës, që t’i luten Zotit për shpirtin e tij.
Pas dy ditëve që kishte nënshkruar testamentin, në prani të dëshmitarëve, Zyra Noteriale e Raguzës shpalli se Gjoni kishte ndërruar jetë.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu e kishte cilësuar Gjon Gazullin si yllë i ndritur i Arbërisë.
FRAGMENT PËR GJON GAZULLIN, NGA VEPRA E MARTIN CAMAJT
“Gjith se sia marrësh, Gjon Gazulli qe një njeri tejet i kapërthyem. Nga kjo rrethanë,zë fill ma së pari edhe mospërfillja e bashkëkohorëve të tij, mandej edhe lanja mbasdore ose qitja në harresë e veprës dhe e jetës së tij për pesë shekuj rresht. E si mund të ishte ndryshe? As Pali dhe Ndreu, të dy vëlleznit, ndonëse edhe ata të shtitëruem ndër letra, nuk e kuptonin Gjonin, jo ma bota! Të vëlleznit vërtetë e çmonin si njeri të ditun vetëm për së largu, por ndërronin mendim kur takoheshin, ngase arsyetimet, deri jeta që çonte humanisti u dukej atyne fare e pa grat.
– Mirë – i kishin thanë ata të vellatë të parilemë – mirë e ke që s’don të merresh me cikërrimet e përditës, por a e ke pleqnue nëse të ka hije, me të tanë këtë za që ke, të zmbrapesh nga rrëmuja e ngjarjeve të kohës?
– Qe, këtë barrë ua kam lënë juve, e këpuste kuvendin me ta.
Pali dhe Ndreu, si përkrahës të Skanderbegut, merreshin me diplomati; silleshin mes Durrësit, Raguzës e Budapestit, pa e lane me njenën anë as tregtinë, për të qenë fare të pavarur, thoshin ata, për të veprue vetëm për të mirën e vendit. Po qe se ndokush i pyeste si e kish punën Gjoni, dijetari, me çfarë problemesh qenkej i zanun, s’dinin me i dhanë kurrë përgjigje të saktë, ndonëse edhe ata afërsisht kishin pasë të njëjtën përgatitje humanistike.
Ç’është thelbësore – thoshin përciptazi- mbetet për vëllaun tonë ndërlidhja mes matematikës dhe astronomisë, në një anë, dhe njeriut, në anën tjetër. – Për të mos përsëritë prore të njëjtat fjalë, e sillnin gunën mbrapsht: Vëllau përpushet me ardhë te njoftime sintetike mbi njeriun.
Kur largoheshin prej pritjeve ndër kurte të mëdha zotash e mbretënsh të përmendur, Pali e Ndreu i thoshin njeni tjetrit me një si gjysmë gazi në buzë:
Sgurisht, ai vëllau ynë e humb kohën më kot në decifrimin e ndonjë pergamene të gjetun prej ndonjë tregtari venecian në Spanjë! Po flasim mirë për të, sa të mundemi e sa të dimë për të mos ia prishë zanin e mirë.
Por kur këta, të dy, binin ngusht dhe s’dinin t’i dalin në krye çështjes, e kërkonin dhe i lypnin këshilla. Gjoni i lente të shfaqin imtësisht të dhanat e u thoshte që të vinin nesër; ndërlidhte fijet e ngjarjeve njena për tjetrën, metodikisht, dhe kur dukeshin ata përsëri tek ai, i mësonte se çka duhej të banin, kinse si vëllau ma i madh e jo si ma i ditun se të vëllaznit, ma të rij. Gjithnjë i këshillonte me i ndejë gati vetes sepse ata kishin gra e fëmijë. Familja mbështetet në ju, u thoshte, tue lanë me nënkuptue se ai jetonte në një tjetër botë të veçueme prej kohës e kufijsh tokësorë.
A e sheh? – i tha Pali Ndreut, kur u ndamë të mbramen herë prej Gjonit.- Ai flet ma me bindje se për së gjalli ka vdekë për fëmijë e vend. Bani ju, thotë, kështu e kështu, tue mos përmendë askund veten! Kësaj here s’na ndien zema mirëpër dijetarin tone, – ankoheshin të vëlleznit e Gjon Gazullit.- Çfarë fatzezësh paskemi qenë mos me jetue të tre bashkë, së paku në një qytet”.(…).
(Fragment nga vepra letrare e Martin Camajt, libri 3, me pesë novela: “Pishtarët e natës”, “Shkundullima”, “Rrungaja në mars”, “Katundi me gjuhë të fshehtë” dhe “Gjon Gazulli”, fq.305-307. Po të shohim shkurtazi, kush ishte Gjon Gazulli, në të vërtetë).