Surroi në ballin e frontit për Vetëvendosjen, ashtu sikur prej vitit 1981 në mbrojtje të Jugosllavisë nga nacionalizmi shqiptar I

Surroi në ballin e frontit për Vetëvendosjen, ashtu sikur prej vitit 1981 në mbrojtje të Jugosllavisë nga nacionalizmi shqiptar I

Shfletuesve dhe lexuesve të Kohës Ditore,  të portalit koha.net, prej fillimit të këtij viti u ka rënë në sy animi hapur i krejt Kompanisë Koha për Vetëvendosjen dhe aktivitetin e saj, edhe pse kjo kompani mediale konsideron veten se është e pa anshme, profesionale dhe pretendon se në Kosovë  është gazeta numër 1, portali, nr.1, Tv-koha nr. 1, ndërsa Surroi gjithnjë numri 1, tani çdo ditë në faqen e parë të kësaj “shtëpie mediale” duke improvizuar rolin e Emil Zolës në aferën Drajfus.

 

Shërbimi që i ka bërë dhe po i bën Vetëvendosjes kjo kompani, nuk është shkelje e etikës, sepse shumica e mediumeve jo vetëm në Kosovë por në rajon dhe kudo në botë bëjnë shërbime të tilla, dikush krejt hapur dikush në mënyrë pak më të kamufluar.

Por, është diskutabil fakti se a po i bën më shumë dobi apo dëm vetëvendosjes, Veton Surroi me kompaninë e tij, kur dihet qëndrimi i Kompanisë së Surroit ndaj Vetëvendosjes që nga fillimi i ekzistimit të saj.

Po ashtu tani po shihet se a i ka bërë më shumë dobi apo dëm Vetëvendosjes  lidhja e “kurorës” me LDK-në, e cila në fillim u prit me entuziazëm por tani pasoi me një shkurorëzim të shpejtë dhe të njëanshëm.

Kam prirje të besoj se edhe shkurorëzimi i Vetëvendosjen me Vetonin dhe kompaninë e tij  do ta ketë të njëjtin fat, sepse lidhjet e panatyrshme, sidomos ato në aspektin ideologjik nuk e bëjnë të gjatë, për shkak se janë dy botë të kundërta, sepse është një eklektizëm i paqëndrueshëm, që nuk ka të bëjë me tolerancën, por me interesin dhe kur është në pyetje interesi, toleranca e mirëkuptimi zbehen.

Dihet po ashtu se si i ka shërbyer  Kompania Koha, Vetëvendosjes së kohën e demonstratës së 10 shkurtit,  të viti 2007, në Prishtinë,  ku mbetën të vrarë dy nga protestuesit e Lëvizjes Vetëvendosje! Mon Balaj dhe Arben Xheladini.

Po ashtu dihet dhe mund të shfletohet arkivi i kësaj kompanie mediale ku janë evidentuar të gjitha demonstratat e protestat e Vetëvendosjes deri në protestën e fundit, për të parë dhe për t’u bindur se cili ka qenë qëndrimi i Surroit dhe “shërbimi” që i ka bërë Vetëvendosjes. Nuk është fjala për prezantimin medial, por edhe për qëndrimin redaksional, ashtu sikur po vazhdon edhe sot por i ndërruar në 180 shkallë.

Përkrahja pa rezervë dhe vënia në shërbim të Vetëvendosjes dhe Qeverisë së shkarkuar Kurti, e Surroit me Company mund të jetë edhe fatkeqësi e radhës, sepse ky gazetar profesionist me kredo jetësore të bashkim-vëllazërimit, shërbëtor i denj i ideologjisë jugosllave, është ekzemplari i vetëm i besnikërisë së epokës së Titos, i slloganit Edhe pas Titos, Tito, dhe i motos “Shoku Tito ne të betohemi, se nga rruga jote kurrë nuk do të largohemi’. Nëse është për të treguar besë tipike shqiptare, në këtë segment, Veton Surroit nuk ia kalon askush, pavarësisht nga qëndrimi tij ndaj Besës si fenomen tipik dhe autentik shqiptar, i cili ka pasur dhe ka edhe anët e paqëndrueshme.  Vetoni e gëzon këtë të drejtë dhe askush nuk mund t ‘ia mohojë.  Por çka nënkupton kjo?

Ja disa pyetje:

A u ka rënë të lexoni në shkrimet e Surroit një shkrim të vetëm ku ai ta ketë atakuar regjimin titist?

A u ka rënë të lexoni, një shkrim jo se jo,  por një  fjali të vetme, ku ai ta ketë përkrahur apo ta ketë  lavdëruar luftën e UÇK-së?.

A keni lexuar për 21 vjet në Koha Ditore qoftë vetëm një biografi të një dëshmori të UÇK-së apo dëshmorëve të tjerë?

A e dini se Faqen e fundit të gazetës “In memoriam”, në kohë të luftës e redaktonte Baton Haxhiu asokohe redaktor i kohës ditore,  me çmim deri në 30 marka për familjarët e dëshmorëve, për një foto 4 cm 6-të.

E keni lexuar shkrimin më antikombëtar të Veton Surroit për vrasjen e Aziz Kelmendit dhe katër ushtarëve në Kazermën e Paraçinit, më 2 shtator të vitit 1987, ku ai ka shprehur qëndrimin e tij të patundur politik dhe ideologjik?

Ja çka shkruar veç tjerash, Veton Surroi, asokohe:

Megjithatë, shtjellimi i këtoditshëm i së kaluarës së vrasësit e ngjyros krimin e tij me ngjyra urrejtjeje kombëtare. Shënimet e prezantuara për veprimtarinë armiqësore, për indoktrinimin me ideologji nacionaliste nga pozitat shqiptaromëdha e vënë aktin e vrasësit në kategorinë e shfryrjes së vetëdijes nacionaliste me anë të terrorit. Kategoria antikombëtare e nacionalizmit tejkalon me këtë rast çdo shkallë tjetër për të arritur në atë skajshmërinë e antihumanitetit

Urrejtja e Aziz Kelmendit, ndonëse e manifestuar individualisht, kaherë i ka kaluar ata kufij. Ka prekur, nëpërmjet sulmit në APJ, në të gjithë ne.

Më shumë se ndonjëherë gjerë më tani, na nevojitet fronti i përbashkët kundër urrejtjes, simbol i së cilës qe kësaj here, vrasësi, Aziz Kelmendi. Kundër urrejtjes, pra, që me vrazhdësinë më ekstreme po orvatet të depërtojë brenda qenieve tona shoqërore, kundër atyre bombave latente që janë të drejtuara kah qenia e bashkësisë sonë, kah simbolet e saj, pra edhe kah jeta e të rinjve tanë. Krimi në Paraqin është edhe një mësim që e dëshmoi këtë, por mësimi u pagua shumë shtrenjtë.( Rilindja, 9 shtator, 1987)

A e dini se është i vetmi shqipfolës në Kosovë që ka shkruar se fashistët shqiptarë të UÇK-së po iu hakmerren serbëve, (me rastin e vrasjes  së 14 serbëve në fshatin Grackë të Lypjani në gusht të vitit 1999) kur dihej se ata i  ka vrarë shërbimi sekret serb, sikur  i kishte vrarë edhe 6 serbët e mitur  në lokalin Panda të Pejës, në janar të vitit 1999. Tani është zbardhur edhe njëri nga vrasësit e serbëve në Grackë, agjent i Serbisë.

E dini se Surroi librat e tij ku stigmatizon krerët e luftës së UÇK-së i përkthen në gjuhën serbe dhe i promovon në Beograd?

E dini se Surroi ka bërë përpjekje përmes organizatës UJDI ta ringjallë Jugosllavinë në kohën kur ajo kishte filluar rrokullisjen drejt ambisit?

Me siguri se të gjithë në Vetëvendosje e dinë fare mirë qëndrimin e tij antiamerikan dhe këtë qëndrim e ka bërë publik ish ambasadori Dell, i cili ka zbuluar po ashtu se Surroi i kishte rënë në gjunj Hashim Thaçit, në mënyrë që ta emëronte ambasador? Po ashtu dihet se Thaçi do ta kishte emëruar me siguri, por nuk kishte lejuar ambasadori Kristofer Dell.

E dini se partia ORA e Surroit kishte ngelur në 4.7, ndërsa ai kishte dhënë dorëheqje, meqë vetë kishte propozuar pragun zgjedhor 5%, në të cilin mori në thua dhe ra përtokë politikisht?

E dini se më 20 mars të vitit 2004, me rastin e demonstratave gjithë-popullore kishte deklaruar për B-92 se protestat shqiptarëve kishin për qëllim dëbimin e popullatës serbe nga Kosova dhe uzurpimin e shtëpive të tyre.

E dini çfarë sulmesh të poshtra idiotike, përbuzëse, tallëse, diskredituese i ka bërë Adem Demaçit në një polemikë në Koha Ditore?

E dini se ka deklaruar publikisht se Të gjithë ata qytetarë 200 mijë prej tyre që kanë votuar Hashim Thaçin dhe PDK-së pajtohen me krimin dhe janë të kriminalizuar!

Këta janë vetëm disa prej krejt pak shembujve  të veprimtarisë së Veton Surroit të cilat me siguri se edhe më mirë i ka përcjellë dhe i di, kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti e shërbimi i tij informativ.

I arsyeton apo jo Albin Kurti veprimet e tij kjo nuk është bërë e ditur.

Por shërbimet nga një njeri i tillë, dihet se ku qojnë, sepse këto janë shërbimet jo vetëm të nostalgjikut të ish-RSFJ-së.

Po duhet pasur para sysh edhe faktin tjetër, se Albin Kurti, Kadri Veseli apo kushdo tjetër nuk mund t’i thotë një “magnati” të medieve, mos më përkrah, apo nuk e dua përkrahjen tënde. Në Kosovë nuk kemi politikanë të tillë, meqë të gjithë luftojnë për pushtet dhe jo për atdhetari e bashkim kombëtar.

Po kështu jam fare i sigurt se përkrahjen e mundshme nga Surroi do ta pranonte me dëshirë  Kadri Veseli, pse jo edhe Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj e të tjerë, dhe nuk ka  pse të mos e pranojë këtë përkrahje “parimore” Albin Kurti e Vetëvendosja.

Por pyetja është kjo:

Sa ndihmon kjo përkrahje, për çfarë qëllimesh  bëhet dhe a ka më shumë dëm apo dobi nga kjo përkrahje kur dihet se “popullata politike e bashkim vëllazërimit” në Kosovë, ka vetëm pleq e plaka, bijtë dhe bijat e të cilëve nuk i përkrahin baballarët politikisht, përveç në raste të veçanta, të atyre që janë veshur me pushtet. Ata e dinë se ka vdekur dhe është varrosur përgjithmonë ideja e përbashkësisë, miqësisë dhe vëllazërimit të shqiptarëve me serbë e sllavë.

Bijtë e bijat e tyre nuk kanë arsye t’ i dënojnë baballarët, as nënat për bëmat e tyre,  në kohën e Titos e të Milosheviqit, as duhet t’ i dënojnë, sepse i kanë prindër dhe duhet t’ i respektojnë dhe me siguri se shumica dërrmuese edhe i respekton, por nuk është e thënë ta ndjekin verbërisht rrugën e tyre të dikurshme. Kjo i bie sikur dikush në Kosovë ta ndiqte rrugën e gjysh-stërgjyshërve  dhe të bënte përpjekje për ta kthyer kohën e “Babës Mbret”.

Vetëvendosja është në pat-pozicion:

Ose në rrugën politike pa asnjë aleat dhe drejt Kalvarit…

Ose të kthehet në programin burimor të Lëvizjes për Vetëvendosje për bashkim të kombit, në kohën kur e kemi përkrahur të gjithë dhe të lërë anash lëvizjet për ta marrë pushtetin fillimisht pastaj për ta realizuar bashkimin kombëtar. Tashmë u  pa sheshit  se ky eklekticizëm është i paqëndrueshëm, sepse askund në botë nuk mund të bashkëjetojnë  edhe lëvizja e masave edhe pushteti në të njëjtën kohë. Tash për tash ka ikur ajo kohë…

Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …