Vetëm një javë pasi ka marrë detyrën e komandantit të Grupit Shumëkombësh të Betejës-Lindje, kolonel Ros Gammon, qëndroi për një vizitë njohëse në zyrën e kryetarit të Ferizajt Muharrem Svarqa.
Kryetari Svarqa e njohu kolonelin Gammon me disa karakteristika të komunës së Ferizajt dhe me marrëdhëniet e shkëlqyera që ka pasur lidershipi i Komunës së Ferizajt me komandën e forcave të NATO-s në Bondsteel gjatë viteve të kaluara. Ai i tha komandantit të ri se gjendet në një mjedis paqësor e miqësor dhe se siguria në Ferizaj e rrethinë është shembull për tërë Kosovën.
Komandanti i ri i GSHB-Lindje, kolonel Ros Gammon u interesua për punën që bën Policia e Kosovës për garantimin e sigurisë për qytetarët si dhe për aspekte të jetës e të punës në komunën e Ferizajt.
Kryetari Svarqa i dhuroi kolonelit Gammon një pamje të Ferizajt të punuar me piroteknikë.