Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, gjatë ditës së djeshme ka nxjerrë Urdhëresë për ndërmarrjen e masave shtesë preventive nga bizneset që sipas vendimit të Qeverisë lejohen të operojnë në këtë situatë emergjente.
Me këtë urdhëresë bizneset ndër të tjerash detyrohen:
-
Të bëjnë dezinfektimin e rregullt të hapësirave;
-
Supermarketet të bëjnë dezinfektimin e karrocave dhe shportave sa herë ato përdoren nga konsumatorët;
-
Në hyrje të bizneseve të vendosen dezinfektues që konsumatorët të dezinfektojnë duart para se të hyjnë brenda;
-
Furrat e bukës të ambalazhojnë bukën pas përgatitjes dhe para se t’i vendosin në rafte;
-
Në furra, markete e biznese të vogla të mos lejohet hyrja e më shumë se një personi njëkohësisht;
-
Bizneset bankare të vendosin xham ndërmjet punëtorit dhe konsumatorit, për të mundësuar distancën sociale të nevojshme;
-
Përveç punëtorëve në biznese edhe konsumatorët të përdorin masa mbrojtëse gjatë furnizimit me produkte e shërbime të nevojshme.