leoni

Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Kultura e të shprehurit

Kultura e të shprehurit me gojë apo shkrim, është më shumë se dhunti, jo gjithmonë e lindur, më shumë e kultivuar nga përvoja e jetës, mbështetur mbi përgatitjen profesionale, intelektuale, akademike etj. Pa dyshim, paraqitja enorme e kësaj dhuntie, pasqyron edukatën familjare dhe ambientin nga ku ai/ajo është rritur dhe edukuar.

Paraqitje kjo, që në zanafillë ngërthen shtresat me një kulturë të ngritur shoqërore, të cilat janë në koherencë të qëndrueshme mes raporteve njerëzore të komunikimit social, ekonomik, filozofik, politik etj. Vlerë e çmueshme kjo për stadin e një shoqërie në zhvillim. Megjithatë, paaftësia e zbërthimit të të shprehurit si mision, qëndron edhe për faktin e nënçmimit apo mbivlerësimit të palës kundërvënëse. Prandaj, jo gjithsecili di të shprehet, përkundër vullnetit të mirë të tij, po aq sa, jo gjithë secili ka kulturë për të dëgjuar dhe të mësoj nga dëgjimi i tjetrit me vëmendje, që i thonë të zënit mësim!

Veç kulturës së të shprehurit, një vend po aq të rëndësishëm e zë edhe kultura e dëgjimit. Të gjithë ata që kanë durim dhe urti për të dëgjuar palën bashkëbiseduese, kanë shkallë të lartë ngritjeje dhe edukimi, mbi të gjitha, kanë një gjendje të lakmueshme psikologjike mbi bazën e së cilës, ata formojnë konceptin e vlerësimit logjik mbi palën që debaton, apo shprehet.

Për fat të keq, mangësinë fataliste të të shprehurit dhe të të dëgjuarit e hasim përditë në debatet e “analistëve”,  përmes shumicës së mediave tona, ku nuk di as kush pyet e as kush përgjigjet, nuk di kush fletë e kush dëgjon, ku të gjithë falsin përnjëherësh , ku të gjithë përgjigjen përnjëherësh, ku krijohet një kakofoni zërash, ku nuk e merr vesh askush askënd!…

Grupin e tretë e përbëjnë ata që argumentin e shprehjes e mbështesin mbi argumentin e forcës, që çirren e zhurmojnë me një paraqitje vulgare, ku fare çartë vërehen simptomat e çrregullimit deri në shkallë averzioni organik. Ky grupim është i yshtur për të bindur të tjerët dhunshëm se vetëm ata kanë të drejtë!,  gjendje shpirtërore kjo, që ka tendencë të anojë më shumë nga manitë e ndryshme që pamundësojnë realizimin e konceptit të një dialogu të kulturuar e social. Përderisa mediat tona, me vetëdije, gjejnë hapësirë edhe për këtë grupim, nuk përjashtohet mundësia se edhe ato, janë prekura nga manitë e ndryshme që anojnë më shumë nga injoranca moderne!

Grupim tjetër përfshin të gjithë ata, që botën e shohin vetëm përmes prizmave të interesit personal, mbi këtë prizëm, ata asnjëherë nuk e mbrojnë dhe nuk e thonë realitetin. Kjo kategori shoqërore, nuk zgjedh mjete për arritur qëllimin!, për të ruajtur pozitat e veta aktuale në shoqëri! Ata në çdo kohë, në mënyrë permanente, janë me secilin – dhe njëkohësisht kundër secilit!, natyrisht kur është në pyetje pozita personale, qoftë edhe në kohë pushtimi!…

Për më keq, kjo kategori shoqërore, në kohën e pluralizmit sot, është me secilin dhe njëkohësisht kundër secilit!, këta, janë emra të lakueshëm dhe amorf, aspirata e tyre e vetme është: interesi personal mbi të gjitha!

 Është fat i madh që bota nuk sillet rreth boshtit të manisë individuale, ajo ka ligjet e veta dialektike, dhe nuk falë askënd. Ne, një ditë do të jemi numra në zbritje, sa pak jemi të vetëdijshëm për numrat dhe shumëzimin e tyre me numra njerëzish, të cilët dikur moti kanë kaluar në kohë e nëpër kohë, as më shumë e as më pak se numra!…

CH – 13.04.2020

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Me rastin e festave të nëntorit, si dhe në  shenjë të përkujtimit të datë së …