leoni

REAGIMI I KRYETARIT TË KOMUNËSË SË RAHOVECIT, SMAJL LATIFI PËR MASAT E REJA NGA MINISTRIA E SHËNDETËSISË, NË EMËR TË PANDEMISË COVID-19

RAHOVECI ËSHTË VATËR E BUJQËSISË FERMERËT DUHET TË LEJOHEN TË KRYEJNË PUNËT PRANVERORE

Të nderuar qytetarë,

Me masat e reja të Ministrisë së Shëndetësisë, në emër të parandalimit të Covid-19 dhe menaxhimit të gjendjes në vend, janë cenuar liritë dhe të drejtat e njeriut (liria e lëvizjes së lirë dhe e drejta për të punuar tokat), ku me këto masa të reja fermerët dhe bujqit e vyeshëm të komunës së Rahovecit nuk po lejohen të kryejnë punët e tyre pranverore, pasi që një orë e gjysmë në ditë nuk është e mjaftueshme për bujqit tanë. Ne gjendemi në një presion të paimagjinueshëm nga fermerët e komunës sonë, të cilët sot ia kanë mësyrë objektit të Komunës së Rahovecit, për të kërkuar sqarime rreth këtyre masave, mezi kemi arritur të parandalojmë një protestë të mundshme, të fermerëve të komunës sonë, të cilët janë të indinjuar me veprimet dhe vendimet e Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës. Më lejoni t’ju informoj, se ne jemi duke pritur për t’u sqaruar në tërësi çka përmbajnë masat e reja dhe cilat janë rrethanat lehtësuese për fermerët dhe bujqit tanë, në të kundërtën do të insistojmë për një zgjidhje konkrete duke u lejuar kështu fermerëve qasje në tokat e tyre. Nuk mund të lejojmë që të aplikohen masa të paaplikueshme, në një komunë që është kryesisht bujqësore, që është krenaria e Republikës së Kosovës, që dikush të merr vendime pa u konsultuar, pa i marrë parasysh, shqetësimet, kërkesat dhe nevojat e fermerëve, Ministri në detyrë i Shëndetësisë, z. Arben Vitia, nuk është konsultuar fare me kryetarët e komunave për këto masa dhe të njëjtat janë arbitrare. Presim që, Ministri në detyrë i Shëndetësisë, z.Vitia, Ministrja në detyrë e MAPL-së, znj.Rexhepi dhe Ministri në detyrë i Bujqësisë, z.Besian Mustafa, ta adresojnë me urgjencë këtë çështje dhe të kemi një zgjidhje konkrete, një model të përshtatshëm, ku bujqit dhe fermerët mund t’i kryejnë punët pranverore. Ndërkaq, fermerëve dhe bujqve të komunës sonë, ju lutem të bëni durim, ne po mundohemi të gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme vetëm e vetëm që ju të punoni tokat e juaja, kjo gjithmonë duke u bazuar në udhëzimet e IKSHPK-së. Përpjekjet tona janë serioze, qëllimet tona janë mëse të qarta, fermerët tanë duhet të lejohen të punojnë tokat e tyre, zgjidhja të gjindet sa më parë që është e mundur.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …